ELBASAN- Dy makinat luksoze në pronësi të ish- kryetarit të Gjykatës së Elbasanit, Arben Vrioni dhe bashkëshortes së tij e cila punon në Bashki, në zyrën e Urbanistikës janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e kësaj të premte.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ku dy automjetet tip Benz GLK dhe Mercdedes Benz CLA ishin parkuar poshtë shtëpisë ku jetonte çifti, pranë stadiumit "Elbasan Arena". Report Tv ka sjellë pamje ekskluzive nga vendi i ngjarjes. Burime konfidenciale bëjnë me dije se dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme për shkak të detyrës së pronarit të automjeteve.

Pamje nga larte e djegieve

Dyshimet se bëhet fjalë për një ngjarje të qëllimshme shtohen edhe për shkak se dy automjetet e çiftit Vrioni kanë qenë në një distancë prej 20 m larg njëra-tjetrës ku ndaheshin nga 4 kosha mbeturinash, me këto të fundit që nuk janë përfshirë nga flakët. Nga ana tjetër, referuar dëshmisë së disa banorëve të lagjes është dëgjuar një shpërthim i madh. 

Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, ku duket se ka qenë një mesazh për ish- kryegjykatësin Arben Vrioni për shkak të kaluarës së tij për shkak të dosjeve të nxehta që ka gjykuar, prej të cilave edhe Lulzim Berishës, duke e liruar atë 5 vite para afatit, dhe gjyqtar i dosjes 'Shullazi'. Ai u shkarkua nga Vettingu për shkak se nuk justifikonte pasurinë prej 85 mijë dollarëve

Zjarrefikset ne vendngjarje

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:59
Dy makinat e ish- kryegjykatësit dhe gruas së tij 20 m larg njëra-tjetrës, i ndajnë 4 kosha mbeturinash

Dy makinat që janë në pronësi të ish- kryegjykatësit Arben Vrioni dhe bashkëshortes së tij kanë qenë me një distancë të konsiderueshme nga njëra tjetra, prej 20 m. Dy makinat, më konkretisht AA 040 OK tip benz GLK në pronësi të Arben Vrionit dhe mjeti  AA502 XZ mercdedes benz CLA i bashkëshortes ndahen nga 4 kosha mbeturinash, të cilët nuk janë përfshirë nga flakët, çka shton dyshimet se zjarrri ka qenë i qëllimshëm. Pas më shumë se 20 minutash është bërë e mundur shuarja e flakëve.

Ora 21:54
U vihet flaka dy makinave të ish- kryegjykatësit dhe gruas së tij, policia jep njoftimin zyrtar

1587150707_MAKINA.jpg

Policia e Elbasanit ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me djedien e dy makinave në pronbësi të ish- kryegjykatësit Arben Vrioni, megjithatë nuk e ka saktësuar nëse ngjarja ka qenë aksidentale apo e qëllimshme. 

"Elbasan /Informacion paraprak. Në lagjen "Kongresi", Elbasan,  ka rënë zjarr dhe djegur 2 mjete në pronësi të shtetasit A.V., 59 vjeç,  banues në Elbasan, të cilët ishin të parkura në rrugë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton policia.  

Ora 21:37
Kush është gjyqtari Arben Vrioni që i dogjën makinat, shkarkimi, dosjet e nxehta, lirimi i Lul Berishës dhe pasuria

Po kush është gjyqtari Arben Vrioni, i cili duket se mori një mesazh mbrëmjen e së premtes, nga persona ende të paidentifikuar nga policia? Arben Vrioni, sot i shkarkuar nga Komisioni i Vetingut, është një emër i njohur i drejtësisë, për shkak të dosjeve të ‘nxehta’ që ka gjykuar dhe pasurisë. Vrioni e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe nga viti 2016 ishte gjyqtar në Apelin e Durrësit.

Në 6 dhjetor të vitit 2016, gjyqtari Arben Vrioni ka kryesuar treshen e gjyqtarëve, të cilët liruan para afatit nga burgu ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, vendim i cili prodhoi polemika dhe reagime të forta, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar. Kur u lirua, Lulzim Berishës i kishin mbetet edhe 5 vite burg. Në atë kohë, reagoi ashpër ish-ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu i cili tha se “Lirimi i Lulzim Berishës është bërë për shkaqe të panjohura. Dua t’u them gjykatave të korruptuara se ky vendim është i papranueshëm. Duhet të indinjohemi”.

Në gusht të vitit 2018, Arben Vrioni, ishte pjesë e një turpe gjykuese, e cila liroi nga burgu Said Cikalleshin, i marrë i pandehur nga prokuroria e këtij qyteti për skandalin e tjetërsimit të pronave shtetërore në plazhin e Spillese.

Në nëntor të vitit 2019, trupa gjykuese pranë Komisionit të Vetingut, e përbërë nga Firdes Shuli, Alma Faskaj dhe Pamela Qirko shkarkoi nga detyra gjyqtarin Vrioni, pasi nuk justifikonte pasuri me vlerë rreth 85 mijë USD. Vetingu i gjyqtarit është monitoruar nga prokurori amerikan John Leonardo, pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Para shkarkimit dhe pasi ishte njohur me rezultatet e hetimit, të cilat diktonin deri diku fatin e tij në raport me drejtësisë, gjyqtari Arben Vrioni ndërmori 7 lëvizje për t’i shpëtuar shkarkimit. Lëvizjet konsistonin nga pretendimet se kishte kaluar një infarkt dhe se mjekët i kishin rekomanduar të mos kishte shqetësime deri tek kërkesat e ndryshme procedurale. Megjithatë, KPK-ja vendosi të shkarkonte gjyqtarin në 22 nëntor 2019. Vrioni, në 7 shkurt 2020, i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e këtij vendimi dhe konfirmimi e tij në detyrë.