Sidoqoftë shkak zyrtar për ta hequr këtë roman nga qarkullimi dhe për ta penguar botimin e tij në Francë, u bënë ankesat që erdhën në Komitetin qendror nga qyteti i Elbasanit dhe nga Komiteti i Partisë Tiranë. Mbi këto ankesa, kryetari i Komitetit të Partisë Tiranë, Dashnor Mamaqi dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, Elbasan Jashar Menzelxhiu, dërgojnë në Komitetin Qendror gjithë ankesat dhe argumentet kundër këtij romani, i cili sipas tyre duhej hequr nga qarkullimi.
Këto dy dokumente, si dëshmi e presioneve mbi shkrimtarin Ismail Kadare dhe ndaj këtij romani që nuk e pati jetën të gjatë sipas versionit të botimit të parë, i sjellim për lexuesit e gazetës “Shqiptarja.com” të zbardhura të plota sipas origjinalit që ruhet në AQSH.
Dokumenti i parë denoncon në Komitetin Qendror, pakënaqësitë dhe kritikat e të rinjve komunistë nga Elbasani ndaj këtij romani dhe ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Pas shumë kritikash dhe pakënaqësishsh që renditen në këtë dokument vlen të veçohet një fragment ku thuhet se: “për t’i rritur vlerën këtij romani, kanë qarkulluar mendime të papjekura se këtë roman e la lexuar dhe aprovuar shoku Enver. Rastet që janë paraqitur në këtë drejtim ne i kemi sqaruar”, shkruan Jashar Menzelxhiu në shkresën e tij informuese për Komiteitn Qendror, duke nënvizuar pak më poshtë propozimin e tij që ky roman të hiqej nga qarkullimi.
Dokumenti i dytë të cilin do ta botojmë në numrin vijues të gazetës, shpreh sipas Dashnor Mamaqit, pakënaqësitë dhe kritikat e shprehura në organizatën e pedagogëve të Shkollës së Partisë “V. I. Lenin” për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë.
Të dy dokumentet u janë dërguar për ti parë Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, ndërsa vihet re një shënim i Hysni Kapos: “U pa, Hysni”. Akuzat dhe kritikat e këtyre dy dokumenteve janë pak a shumë këto: Shtrembërohet e vërteta historike, nuk pasqyrohet drejt e me vërtetësi jetësore situata e brendshme e vendit, lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozita e humanizmit abstrakt, propagandohet lufta midis brezave, ndihet fryma e deheroizmit, paraqiten plagë të tilla shoqërore si alkoolizmi, prostitucioni, influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste…”
Më poshtë sjellim të plotë dokumentin e pare që vjen në Komitetin Qendror në Tiranë nga Elbasani.
Dokumenti i plotë
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË I RRETHIT ELBASAN
Nr. 479 Prot. Ekzemplar Nr. 1
Elbasan, më 09.05.1973
KOMITETIT QENDROR TË PPSH TIRANË
Këto ditë ka dalë në qarkullim romani “Dimri i vetmisë së madhe” i shkrimtarit Ismail Kadare. Lexues të ndryshëm, disa kuadro e komunistë, të rinj etj., kanë shfaqur mendimet dhe vërejtjet e tyre për këtë roman.
- Në roman paraqitet një jetë e zymtë, shqetësim i madh, pasiguri pas prishjes së marrëdhënieve me Partinë Komuniste të BS; nuk del i plotë realiteti ynë, entuziazmi i masave, iniciativat e lëvizjet e tyre për realizimin e detyrave të mëdha që shtroi Partia për atë periudhë dhe qartësia politike e masave për këto ngjarje.
- Në roman të jepet ideja sikur ka një kundërvënie për disa kuadro të vjetra që shprehet nëpërmjet personazheve si, shefi i kuadrit, veterani Struga, prindërit e Zanës etj.
- Bllokada dhe presioni i revizionistëve sovjetikë ndaj vendit tonë minimizohet vetëm nëpërmjet mos dërgimit të sasisë së grurit për vendin tonë dhe nuk shtrihet në të gjithë sektorët e jetës, nuk del i plotë shkaku i ndarjes sonë, kontradiktat parimore në fushën ideologjike.
- Në kantierin e madh të ndërtimit që kanë penguar revizionistët sovjetikë, paraqitet ideja e një çorganizimi në punë nga kuadrot drejtuese, i një drejtori të hallakatur etj.
- Në roman ka pjesë, bile dhe shumë, që tregojnë shthurje morale të rinisë, tendenca feministe etj.
- Nuk është ndërtuar drejt linja e marrëdhënieve midis Besnikut dhe Zanës. Pse shkatërrohet kjo familje, mos ndoshta bëhet aluzion se dimri i vetmisë së madhe ka arritur edhe në familjet tona? Akoma më keq, shkrimtari e fut këtë vajzë me prejardhje, me qëndrim të mirë politik, e katandis në marrëdhënie me një pjesëtar të familjes së deklasuar dhe për Besnikun jepet ideja që shkon pas fustaneve.
- Në marrëdhëniet intime midis personazheve bëhen disa krahasime me vend e pa vend, duke përdorur shprehje të tilla si, “Mos je nëna e Maksim Gorkit”, “filmi korean”, “mos je Mao Ce Duni që i di të gjitha”, “kriza e përgjithshme kapitaliste” etj.
Për t’i rritur vlerën këtij romani, kanë qarkulluar mendime të papjekura se këtë roman e la lexuar dhe aprovuar shoku Enver. Rastet që janë paraqitur në këtë drejtim ne i kemi sqaruar.
Këto janë disa të dhëna fillestare dhe të shkëputura për vlerën e këtij romani. Mendojmë që të analizohet më thellë përmbajtja ideore e tij, sepse kemi mendimin që nuk ka vlerën e duhur edukative dhe nuk i përgjigjet realitetit në shumë pjesë. Propozojmë të hiqet nga qarkullimi ky roman.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT
(Jashar Menzelxhiu)
(firma, vula)
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)