TIRANE- Ministria shqiptare e Transportit ka sqaruar se si funksionon taksa për transportuesit dhe se në ç’fazë ndodhen bisedimet midis Tiranës dhe Romës lidhur me suprimimin e saj.
Transportuesit shqiptarë, për çdo kamion që shkon në Itali, paguajnë aktualisht dy lloj taksash: taksën e peshës dhe taksën e qarkullimit. Taksa e peshës (diritto fisso) paguhet sipas distancës që përshkon kamioni në territorin italian, me tarifën 6 euro për çdo ton ngarkësë për distanca deri në 100 kilometra dhe 9.3 euro për ton në distanca më shumë se 100 kilometra.

Kjo përcaktohet nga ligji italian i vitit 1959, ku thuhet edhe se, në kushte të caktuara, mund të bëhen përjashtime, në rast se një gjë të tillë e vendos ministria e Ekonomisë në marrëveshje me Transportet.
Taksa e qarkullimit paguhet për 120 ditë, edhe në rast se kamionët shqiptarë mesatarisht qendrojnë në territorin italian jo më shumë se 7 ditë. Ajo është 150-180 euro për kamionët e mëdhenj dhe 70-80 euro për kamionë deri në 8 ton.

Në takimin e nënkomitetit BE-Shqipëri për Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal, në vitin 2011, përfaqësuesit e ministrisë së Transportit bënë prezent shqetësimin përsa u përket taksave që paguajnë transportuesit shqiptarë në territorin italian. Përfaqësuesit e BE morën përsipër ta trajtojnë problemin me autoritetet kompetente italiane. Më parë, përfaqësues të ministrisë italiane të Financave kanë sqaruar se taksat për transportuesit e huaj mbështeten mbi marrëveshje të posaçme të lidhura midis administratave kompetente të Financës.

Informacioni më i fundit nga Ambasada italiane në Tiranë tregon se ministria italiane e Ekonomisë dhe Financave ia ka ngarkuar çështjen Zyrës së saj Ligjore për hartimin e një ligji që të rregullojë eliminimin e pagesës së “taksës fikse” nga transportuesit shqiptarë. Kryetari i Senatit italian mori përsipër këto ditë që të ndërhyjë pranë kryeministrit për ta shpejtuar procesin.

Shkrimi u publikua sot, 7 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)