PRISHTINË, 15 Dhjetor/ATSH/.- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dekoroi sot kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (FNXH) Marius Vizer me Medaljen Presidenciale të Meritave, për ndihmë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.
Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Presidentja Jahjaga e falënderoi Vizer-in për kontributin për anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në veçanti për ndihmën e madhe, që i ka dhënë Federatës së Xhudos së Kosovës.
"Me anëtarësimin e Kosovës në KON dhe në Federatat e tjera ndërkombëtare, të rinjtë e të rejat e Kosovës do të jenë pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e sportit ndërkombëtar që do t'u mundësojë atyre të tregojnë gjithë aftësitë, talentin dhe shkathtësitë sportive, duke përfaqësuar shtetin e tyre në skenën ndërkombëtare", theksoi Jahjaga.
Kryetari i (FNXH) Vizer përgëzoi presidenten, institucionet e Kosovës, Federatën e Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për anëtarësimin në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare të sportit dhe tha se mbështetja për Kosovën në fushën e sportit do të vazhdojë.
Në takimin me rastin e dekorimit të Vizer nga presidentja morën pjesë edhe ish-ministri Memli Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri dhe sportistja nga Kosova me famë botërore, xhudistja Majlinda Kelmendi./Kosovapress/k.s/








