"Në javët në vijim do të bashkërendohemi me të gjitha institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për të adresuar një herë e përgjithmonë çështjen e fletëarresteve të pabaza që po cënojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës", paralajmëron presidentja kosovare, Atifete Jahjaga.

Ajo shkruajti sot pasdite në "Facebook" se, mirëpret kthimin e deputetit të Republikës së Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas ndalimit në Slloveni, veprim ky që është bërë sipas një fletëarresti politik dhe të pabazë të lëshuar nga shteti i Serbisë.

"Falënderoj institucionet e Republikës së Sllovenisë dhe instancat më të larta të shtetit mik për bashkëpunimin e menjëhershëm për t'i dhënë fund këtij ndalimi të pabazë dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të Haradinaj", vijoi Jahjaga.