PRISHTINË - Presidentja e Kosoves, Atifete Jahjaga, garanton mbrojtjen e parimeve kushtetuese, nevojën për sistem kredibil të drejtësisë dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm, si domosdoshmëri për konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga e ftuar në debat nga "Lëvizja Fol" ka folur për përvojën e katër viteve në rolin e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke postuar sot paradite fjalën e saj në Facebook.
Jahjaga është shprehur se "detyrimi ligjor është të sigurojë respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe mbi këtë bazë kushtetuese, duke koordinuar me sukses luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, duke e bërë Kosovën shembull ndërkombëtar të përballjes me një sfidë të përbashkët të sigurisë kombëtare që sot prek pothuaj të gjitha shtetet e Evropës. Sundimi i ligjit dhe rendit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, lidhen ngushtë me proceset tona integruese. Na duhet më shumë përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo do të thotë më shumë rezultate konkrete".
Po ashtu, Presidentja Jahjaga ka sjell në vemendje Kryeprokurorin e Shtetit të Kosovës, ku ka pohuar se "Në këtë cështje do të isha pak e rezervuar, pasi ende nuk e kam marrë një vendim, e drejtë dhe obligim i cili ështe nën diskrecionin tim. Zgjatja e procesit nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh në zyren time. Lëmshi i krijuar është pasojë e një tejzgjatje për shumë muaj. Kjo tejzgjatje ka vënë në pah shumë probleme me të cilat ballafaqohet Këshilli Prokurorial, si një ndër shtyllat më të rëndësishme të sundimit të ligjit. Për mua është e rëndësishme të merret një vendim i cili do të jetë standard i bazuar në proces dhe kredibilitet. Propozimi është në shqyrtim, hapsirë të cilën ma jep ligji dhe kjo kohë e shqyrtimit nuk prodhon as vakum institucional e as nuk do të jetë në funksion të asnjë pazari politik".
Jahjaga pohon se "Kosova duhet të dëshmohet si shtet, në forcimin e legjitimitetit të saj të jashtëm përmes njohjeve bilaterale, anëtarësimit në nisma rajonale dhe ndërkombëtare. Qëllimi ynë eshte të krijojmë një orientim të qartë që fokusohet në partneritet me vendet e ndryshme të rajonit dhe të botës, forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe prioritetit thelbësor të integrimit në BE dhe NATO./ATSH/