PRISHTINË, 1 Tetor /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot në Nju Jork, Drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Irina Bokova, me të cilën diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Në 28 shtator edhe Principata e Monakos nënshkroi si bashkësponsorizuese kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. "Tani janë bërë 47 shtete që janë rreshtuar përkrah Kosovës në kërkesën që çështja e anëtarësisë të shqyrtohet nga Bordi Ekzekutiv në tetor", bënte të ditur zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi nga Nju Jorku. "Po ecim përpara hap pas hapi", shprehej ai.
Ndërsa zv/ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi (12 shtator) bëri të ditur se, Kosova bëri hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO. "Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s, që përbën një numër rekord të bashkësponsorizuesve në historinë e re të UNESCO-s", tha Selimi.
Sipas MPJ-së kosovare, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithëshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit, ku do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së.