Jahjaga-Thaçi: Mirënjohje BE-së
për çlirimin e Kosovës

Jahjaga-Thaçi: Mirënjohje BE-së <br />për çlirimin e Kosovës
PRISHTINË - Presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi kanë përkujtuar 9 Majin, Ditën e Europës.


Atifete Jahjaga

 "Në 9 Maj shënojmë 63-vjetorin e nisjes së projektit historik për krijimin e Bashkimit Evropian. Kjo ditë, që njihet si Dita e Evropës, simbolizon aspiratat e popujve të Evropës për të jetuar në paqe, demokraci dhe prosperitet, bazuar në vlerat e përbashkët të lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut", ka nisur përshëndetjen e saj Jahjaga.

Sipas saj, kjo datë i gjen qytetarët e Republikës së Kosovës të bashkuar rreth këtyre vlerave dhe vizionit të integrimit në familjen evropiane. Na gjen në një moment të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit tonë, në prag të hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, që konfirmon suksesin e arritur deri më tani dhe që hapë rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Integrimi në BE varet prej nesh, prej institucioneve dhe qytetarëve, prej vullnetit dhe angazhimit tonë për të dëshmuar se jemi pjesë e Evropës dhe vlerave të saj. Nuk ka një rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE dhe ne nuk jemi të interesuar për një të tillë. Ne jemi të interesuar t’i plotësojmë të gjitha kushtet, sepse vetëm kështu mund të krijojmë një shtet të qëndrueshëm, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe një demokraci të konsoliduar.

Reformat që duhet t’i ndërmarrim janë jo vetëm për hir të integrimit evropian, por për mirëqenien tonë, për qytetarin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja. Në këtë ditë ne shprehim mirënjohjen tonë për institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon dhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës. Vizioni historik i një Evrope të bashkuar dhe në paqe nuk do të jetë i kompletuar derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e saj".

Thaçi: Mirënjohje BE-së për çlirimin e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të qeverisë iu ka uruar qytetarëve 9 Majin, Ditën e Evropës. “Kjo ditë, e cila edhe në Kosovës shënohet zyrtarisht, simbolizon lindjen e Evropës së bashkuar, krijimin e paqes dhe miqësisë midis kombeve të kontinentit”, thuhet në urim. Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj shteteve të Bashkimit Evropian, që sipas tij kontribuuan në të gjitha format për përkrahjen, mbrojtjen, çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës si në të kaluarën e afërt, ashtu dhe në ditët e sotme. “Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet çdo ditë me përkushtim për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e nevojshme, që Kosova ta zërë sa më parë vendin e saj të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane”, thuhet në mesazh.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)





  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet