Shqipëria vijon të mbetet vendi me kredecialet më të forta dhe në ‘hartën’ e vendeve me të avancuara në Ballkanin Perëndimor, në garën e madhe e të rëndësishme të procesit të integrimit në Bashkimin Europian!

Një fakt të tillë e kanë pranuar jo vetëm vendet anëtare të BE, me peshë specifike në uninion, që nga Parisi e Berlini e deri te Roma e Madridi, rasti më i fundit është edhe biseda telefonike e kryeministrit holandez Rob Jetten këtë të premte me kryeministrin tonë Edi Rama, por dhe vetë Brukseli zyrtar, kryeqendra e Bashkimit Evropian!

Në një deklaratë të fundit, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, vlerësoi maksimalisht progresin e bërë nga vendi ynë, duke e renditur Shqipërinë mes shteteve në krye të këtij procesi. “Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të zgjerimit. Shpresojmë që në muajin maj, do të jemi në gjendje që të miratojmë të gjitha standardet e përkohshme për sundimin e ligjit e pastaj të nisim me mbylljen e kapitujve.

Është e mahnitshme ajo që Shqipëria ka bërë në vitet e fundit me hapjen e të gjithë grupkapitujve. Fakti që ju keni një lidership të vendosur për integrimin e plotë në familjen evropiane e bën këtë projekt një kombinim të përsosur. Mbështetja e qytetarëve dhe puna e qeverisë, shpresoj të kontribuojmë në Bruksel”, tha Kos. Pra, jemi në krye të listës!

E thuajse tërë lidershipi evropian është i bindur që Shqipëria i ka të gjitha shanset që të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me BE deri në fund të vitit të ardhshëm për të qënë pastaj në ‘syrin’ e vendeve anëtare për të vendosur për anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të vetë qeverisë shqiptare por dhe zyrtarëve më të lartë të Brukselit, të cilët kanë mbështetur e mbështesin udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen e madhe dhe demokratike Evropiane!

Dhe në funksion të fazës së dytë, pra të vendimit të parlamenteve të të gjitha vendeve anëtare të Unionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ky është tërësisht vendim politik dhe nuk varet më asgjë në dorën tonë sepse me mbylljen e negociatave Shqipëria e përmbyll detyrimin  e saj, ka qënë dhe një deklaratë e fortë e kreut të diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, në raport me lehtësimin e rrugës së Shqipërisë por dhe vendeve aspirante për anëtarësimin e plotë më BE!

Ishte një lajm që u emetua në disa media shqiptare si me drojë dhe pa i dhënë ndonjë vend të rëndësishëm në rang-listën e lajmeve, a thua se ishte dikush që po kujdesej për ta kaluar pa u vënë re si lajm. Por që përmbante një mesazh të rëndësishëm, sipas të cilit BE mund të hyjë në një fazë të re vendimmarrjeje, pa bllokime e veto, nëse kalon propozimi i Gjermanisë për votim me shumicë, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Ishte ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ai që dha një mesazh të fortë dhe të qartë nga Dublini, teksa propozoi heqjen e parimit të votimit unanim në politikën e jashtme dhe të sigurisë brenda BE, duke e zëvendësuar atë me vendimmarrjen me shumicë. “Në një demokraci, parimi i shumicës është norma dhe unanimiteti përjashtimi. Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Europian. Vetëm në këtë mënyrë Europa mund të mbetet e aftë për të vepruar”, tha kryediplomati gjerman! Teksa shtoi se momenti duhet shfrytëzuar, duke iu referuar zhvillimeve në Hungari, pasi sipas tij pas zgjedhjeve në Hungari e humbjes së Viktor Orbán, tani kemi një dritare të mirë mundësie që duhet përdorur dhe çdo muaj ka rëndësi, madje çdo javë!

Wadephul paralajmëroi se BE nuk mund të përballojë më bllokime si në të kaluarën, teksa nënvizoi se ‘bllokime si ato që kemi parë, veçanërisht në javët e fundit, nuk janë më diçka që mund ta përballojmë në këtë botë. Kohët janë shumë serioze për këtë”! Deklarata e tij, është propozim gjerman ky që të kuptohemi dhe gjermanët u shkojnë deri në fund punëve nuk lënë asgjë në mes, vjen në një moment kur vetë BE po vihet nën presion për të ndryshuar mënyrën si merr vendime, sidomos për zgjerimin. Dhe këtu përfiton dhe Shqipëria!

Pra, për Shqipërinë, një nga vendet që kryesojnë përpjekjet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, ky propozim është lajm i jashtëzakonshëm, pasi hapet rruga që për një arësye apo tjetër, asnjë shtet i veçantë nuk mund të bllkojë përmes vetos anëtarësimin e vendit tonë në BE siç ka ndodhur deri më tani me Maqedoninë e Veriut, dhe sipas është kërcënuar dhe vendi ynë që të bllokohet për axhenda të ndryshme të ndonjë shteti të veçantë! Nëse Shqipëria ecën përpara me reformat, është në krye të listës së vendeve që kanë bërë më mirë për hir të së vërtetës, atëherë asnjë lloj vetoje nuk e bllokon procesin e integrimit! Sado përpjekje që të ketë!

Veto ka qënë ajo që e ka zvarritur procesin ndër vite, por nëse kalon votimi me shumicë sipas propozimit të Berlinit, gjasat janë të mëdha dhe të sigurta, atëherë historia ndryshon në favorin e Shqipërisë por dhe të vendeve të tjera aspirante për në BE. E thënë me fjalë më të thjeshta, me heqjen e vetos, Shqipëria shmang bllokimet politike e fiton kohë në turravrapin e saj drejt BE-së.

Gjithçka është e koordinhuar, nuk është thjehstë një rastësi që përmbledh të gjithë këta elementë në favor të Shqipërisë! Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e kanë thënë hapur se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të vendeve që po ecin më shpejt drejt anëtarësimit. Për më tepër, Metsola ka shkuar edhe më tej, duke kritikuar hapur vetë BE-në për vonesat. Sipas saj, vendet kandidate po ecin më shpejt sesa vetë Bashkimi Europian merr vendime. Ajo e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kërkesën për unanimitet, që sipas saj po e mban peng procesin.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka dhënë një vlerësim pozitiv, por fjala e fundit mbetet tek vendet anëtare. Dhe në një moment kur vetë zyrtarët më të lartë europianë pranojnë se procesi është zvarritur, ky debat mund të jetë pikërisht shansi që i duhet Shqipërisë që të arrijë objektivin e anëtarësimit në vitin 2030. Heqja e vetos është një lajm i mirë, shmangen skenarët ballkanikë të bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe vlerësuar në meritë, me shumicën e votës së vendeve anëtare, vendi ynë anëtarësohet në BE! Gjermanët nuk bëjnë shaka me propozimet e tyre, nuk i hedhin kot në erë, dhe mbështetja e tyre është një ‘aset’ për Shqipërinë!

Por teksa ‘yjet’ janë vënë në vijë të drejtë në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në raport me mbështetjen evropiane për anëtarësimin në BE, njëri dhe vetëm njëri është kundër të gjithëve, teksa deklaron se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për të qënë gati për anëtarësimin në BE! Ai është, i papërsëritshmi, jetëgjati në politikë e në jetën e përditshme, kreu i PD dhe i opozitës shqiptare, Sali Berisha! Teksa deklaron me një ligësi të dukshme se Shqipëria është narko-shtet, që nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në këtë vend dhe teksa bën thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës, ai tenton të bëjë dëme në raport me integrimin!

Berisha apelon dhe ndaj vendeve të BE që të vënë kushte për qeverinë shqiptare, nga ato të pakalueshmet, për ta bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE! Kreu i PD deklaron se Shqipëria nuk është gati për në BE dhe shpik çdo lloj pengesea dhe lajmi, për ta përcjellë jo vetëm në publik por dhe në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të BE, për të krijuar perceptimin se Shqipëria nuk është gati për anëtarësimin! Herë shkon vetë nga Evropë, herë dërgon Albanën, por dhe Gazin e Joridën, vetëm e vetëm për të nxirë sa më shumë Shqipërinë!

Deklaratat nga Berisha për të nxirë Shqipërinë në sytë e evropianëve janë  në kundërthënie të plotë  me vlerësimet maksimale të Komisionerës për Zgjerimin në BE, presidentes së Komisionit Evopian, presidentes së Pasrlamentit Evropian e me kryeministrat e vendeve anëtare, të cilët e thonë se jemi në krye të listës së vendeve aspirante! Teksa kreu i PD përpiqet me të gjitha mënyrat për ta vështirësuar udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE, Berlini zyrtar pritet të heqë dhe veton e vendeve anëtare, për ta lehtësuar maksimalisht rrugën e Shqipërisë në Union dhe për të mos e lënë anëtarësimin e saj në BE, nën humorin e vendeve që për një tekë apo tjetër bllokojnë integrimin! Berisha sillet si në atë proverbin e vjetër shqiptar, sipas të cilit ‘i zoti e shtet, tellali nuk e jep’!