Protesta në bulevardin qëndror të kryeqytetit, e cila si çdo natë nis në 18.00 me një numër tepër të paktë pjesëmarrësish, për t’u fryrë me gjimnazistë, nëna me fëmijë, pensionistë e njerëz të tjerë pas dy orësh, ka hyrë në ditën e 16-të këtë të hënë!
Nuk ka ndalim lëvizja e pasdites në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ por dhe nëpër rrugica, ndërsa protestuesit e kanë harruar tashmë shkakun se për çfarë janë ngritur në këtë protestë. Nëse krye të herës u ngritën për të mbrojtur Zvërnecin e Rrjollin, tani janë shndërruar në lëvizje që po godet në një pikë, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama!
Protesta është kthyer në një protestë politike, por me ndryshimin e vetëm se askush nuk po e pranon një gjë të tillë, madje nuk po nxjerr në skenë as lidershipin! Nuk është se nuk e dinë shqiptarët se kush është përzjerë mes këtyre protestuesve, shumica idealistë si vetë adoleshenca, për të marrë sadopak nga entuziasmi rinor e gjimnazor, për ta paraqitur dhe si mbështetje për ta!
Duke filluar me Lapajn, që nisi dikur një protestë para kryeministrisë me dhjetra njerëz anëtarë të partisë së tij, ‘Shqipëria Bëhet’, duke përfunduar më pas në tek pullë në një karrige po përballë kryeministrisë! Edhe tani me njerëzit e tij, është duke tentuar që të rrëmbejë lidershipin e protestës për t’u dukur si parti me mbështetje, por realisht ka përfunduar në periferi të saj!
Duke vijuar me neo-komunistin Arlind Qori, njeriu më konsistent në idenë e tij, atë të shembjes së kapitalizmit, ndërtimit të komunizmit që parashikon nxjerrjen jashtë vendit të investimeve të huaja, mosmarrjen e huave dhe ‘kafërdisjen’ me forcat tona! Si në kohë të Enverit vaktit, për 45 vite me radhë! Ia pamë hajrin, aq sa na katandisi në këtë farë feje që jemi, me një alternativë qeverisëse në opozitë një neokomunist si Arlind Qori që për fat s’ka fare mbështetje, por dhe një komunist të devotshëm si Sali Berisha, ky i fundit në krye të PD dhe opozitës, tash 36 vite!
Dhe meqë jemi tek Berisha, ajo që mund të themi është se ai po tenton fort të privatizojë kupolën drejtuese të protestës, gjë që thuajse e ka arritur! Pasi mori premtimin për vizën e përkohëshme për një udhëtim mjekësor në SHBA, lobimi mbi 6 milionë dollarë bëri punën e vet dhe e prodhoi një vizë të shkurtër, tashmë ka shtrirë ndikimin e vet në të gjithë enët kapilare të protestës! Janë thuajse të gjithë deputetët dhe zyrtarët e tjerë të PD të të gjitha niveleve në këtë protestë, me përjashtim të Berishës dhe Flamur Nokës! Dhe Palokës, të cilit nuk i del koha!
Nuk janë shumë, por ama, kanë depërtuar dhe tek mikrofonët e protestës, mbajnë fjalime, madje dhe flasin në emër të protestës, duke filluar me gazetarët e televizionit të familes dhe përfunduar me kandidatin e pavarur për kryetar të bashkisë së Tiranës, po gazetar i familjes, Florian Binaj! Janë të gjithë në të drejtën e Zotit! Madje dhe Stresi e babai i tij! Për sa kohë nuk bëjnë rrëmujë!
Kreun e “Mundësia’ nuk po e llogarisim, pasi ai po sillet kot nëpër anekset e protestës, pa asnjë ndikim në të! Përfshijmë këtu dhe kryeministrin e vetëshpallur, Pëllumb Pilinci, i cili deklaron se ai i organizon protestat! Meqë jemi te Pilinci, ende nuk e kuptojmë se përse policia bashkiake e Tiranës bllokoi makinën e tij, dhe ende na mundon dilema e fortë, nëse ishte në kundravajtje apo se po i prishte imazhin e mirë protestës rinore nga “Skënderbej’ në bulevardin e kryeqytetit?!
Nga ana tjetër, mbetemi sërish në qëndrimin se Shqipëria, pa dëshirën e saj, është përfshirë në një konflikt të pakërkuar ideologjik mes të majtës në SHBA dhe presidentit Donald Trump dhe familjes së tij! Vajza Ivanka e dhëndri Jarend Kushner, në kohën kur presidenti aktual amerikan më shumë ‘anonte’ nga hyrja në burg se sa nga rikthimi në Presidencë, kishte aq shumë akuza në kurriz dhe as që mendohej zgjedhja e tij në krye të SHBA, kishin shfaqur interes për të investuar në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec! Bashkë me një konsorcium të dy vëllezërve nga Katari! Shfaqur interes themi, sepse deri më tani s’ka asnjë projekt të shkruar dhe përfunduar, po punohet për të, por gjë e shkruar ende nuk është paraqitur, jo më të jetë firmosur!
Konflikti i pakërkuar mes të majtëve në SHBA dhe Trump u zhvendos në Shqipëri, ku papritmas u shfaq interesi i tyre për flamingot që ‘drekojnë’ në lagunat tona, pasi qëndrojnë inkonjito, si të gjithë zogjtë shtegtarë për të gjithë ata që nuk e dinë, sepse zog autokton që nuk e luan b**ën nga Shqipëria ne kemi shqiponjën, e kemi simbol kombëtar për hir të Zotit, madje dhe me dy krena!
Pa përjashtuar këtu dhe përplasjen mes Evropës dhe Trump për gjithçka, duhet të nënvizojmë se pavarësisht garancisë së dhënë nga vendet anëtare të BE, duke filluar nga Gjermania e deri tek Spanja, se anëtarësimi do të realizohet deri në vitin 2030, duhet edhe të pranojmë edhe faktin tjetër se nuk kemi jo vetëm luksin por as takatin që të kundërshtojmë aleatin tonë të madh, SHBA-të, në të gjitha iniciativat e saj! Përfshirë dhe Bordin e Paqes, pjesëmarrje të cilën nuk e kundërshtonim dot! Ka qënë gjithnjë pranë nesh SHBA, që me mbrojtjen e shtetit të parë shqiptar, si dhe me çlirimin e mbështetjen finale për ngritjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën! Kemi dhe detyrime dreqi e mori, s’bëhet gjaku ujë. Vetëm Enveri vaktit s’pyeste për Amerikën dhe të gjithë e dimë si u katandisëm!
Por në këtë protestë janë përzierë dhe iranianët me të gjithë mbështetësit e tyre islamikë, shihet ‘larmia’ e tyre deri në kapje foltoreje dhe në bulevardin qëndror të kryeqytetit, në përpjekjen spekuluese për t’i dhënë zë luftës së tyre kundër Izraelit, deri dhe manipulime të tilla duke hedhur lajme të rreme të mbështetura me pamje të manipuluara për krijimin e të ashtuquajturave ‘enklava izraelite’ në Vlorë e vende të tjera si dhe publikimin e hartave të rrejshme me flamurin izraelit në tërësinë territoriale të Shqipërisë! Pa përjashtuar publikimin non stop të protestave, madje të shumëfishuara me AI, deri dhe të sajuara me bllokimin e bregdetit! Fundja dhe mediat perëndimore, ato anti-Trump themi, protestat po i japin live, pavarësisht se nuk i akuzojmë se kanë manipuluar me to! Gazetarët dhe mediat kanë bërë punën e tyre, thjeshtë po evidentojmë këtë interesin e papritur, për të paraqitur Shqipërinë si vend anti-Trump dhe anti-SHBA!
Dhe meqë jemi tek mbështetja e gjithë axhendës anti-Trump të protestës, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Albin Kurtit, si përfaqësuesi tipik anti-amerikan kundër gjithçkaje amerikane, në organizimin e saj! Ka marrë përsipër diçka dhe ai! Përpos këtyre fantazmave që ka dërguar në terren që nga Elvis Hoxha, i cili nënvizojmë se ka gjetur bashkë me Dejona Mihalin ‘parajsën’ pranë Albinit, përpos atyre 1 mijë vetave që ka dërguar me autobusë dhe me 200 makina në mbështetje të protestës anti-amerikane në Shqipëri, ndihmesa më e madhe e Kurtit për protestën ka qënë vënia në dizpozicion të protestës e të gjithë makinerisë baltosëse online e mediatike të përdorur në zgjedhjet e fundit kundër kundërshtarëve politikë në Kosovë.
Janë të njejtët emra të rremë me adresa të rreme që ‘burojnë’ nga të gjitha qendrat e kryeqendrat evropiane, që komentojnë e linçojnë këdo që kritikon sadopak protestën, që kërcënojnë ata që dalin kundër protestës, që përdorin të njejtin fjalor për patriotizmën e deri thirrje për Albinin që të jetë në krye të Shqipërisë, që përdorin të njejtën kategori kërcënimesh për këdo që del kundër protestës! Madje dhe dalja e një pjese të protestuesve pranë çdo kafeneje e apeli ndaj qytetarëve, ‘ngrihuni nga kafja’, për të gjithë ata që po prehin kockat me familjet e tyre pas një pune të lodhshme të ditës, janë ide të Albinit! “Testin’ e ka bërë në Kosovë ai! Që herët!
Në këtë protestë kanë ndikimin e tyre të fortë dhe vendet fqinje, dhe mbi të gjitha Greqia! Është çështje biznesi, dhe ngritja me 4.5 miliardë dollarë e njërit prej resorteve më të mëdhenj në Mesdhe, siç pritet të jetë investimi i Sazanit dhe i Zvërnecit, ka ngjallur shqetësim dhe xhelozi! Është çështje konkurence, pasi mund të thithë një pjesë të caktuar të turizmit dhe parasë, që deri më tani ka shkuar në Greqi! Pra thith atë që quhet turizëm elitar, pa bukë me vete, me një fjalë!
I përmendëm të gjitha këto, për të treguar se protesta, është një konglomerat interesash dhe për pasojë dhe me qëndra drejtimi të ndryshme, çka e bën të dyshimtë axhendën e tyre nga dita në ditë! Kjo u pa dhe në mbrëmjen e së dielës, ku protesta pasi përfundoi ‘adetet’ në bulevardin përballë kryeministrisë, nisi ‘xhiron’ e tejzgjatur, nëpër unazën e Tiranës dhe më pas, në mënyrë të papritur pushtoi rrugën e Durrësit për të dalë në autostradën Tiranë-Durrës e për të tentuar mbërritjen në ambientet e të vetmit aeroport ndërkombëtar shqiptar, atë të “Nënë Terezës”!
Pa llogaritur faktin se bllokimi i autostradës solli një trafik të çmendur, krijoi radhë të gjata deri në disa kilometra me makina, ajo që ‘dhembi’ më shumë ishte bllokimi i qytetarëve, vendas dhe të huaj, të cilët do të merrnin avionët e linjës për të lëvizur jashtë vendit përmes aeroportit të Rinasit! Humbën avionin me një fjalë, dhe për më tepër nuk kanë kujt t’i drejtohen, pasi jo vetëm që humbën punën për të cilën ishin nisur, por dhe paratë që kanë paguar! Kush i kompenson ata?
Udhëtimi drejt Rinasit u ndërpre nga policia! Duke qënë se aeroporti “Nënë Tereza” është objekt strategjik i një rëndësie të veçantë për Sigurinë Kombëtare, për mbrojtjen e saj mund të ndërhyjë deri dhe Ushtria, forcat e policisë bllokuan marshimin e protestuesve në drejtim të aeroportit, i bllokuan në një vend ku nuk sillnin problem, megjithëse dëmi ishte bërë tashmë për një pjesë të udhëtarëve jashtë vendit që mbetën të bllokuar. Pasi policia u bëri thirrje që të shpërndahen, për hir të së vërtetës pjesa më e madhe e tyre u ftilluan pas bllokimit dhe këtë gjë e deklaruan me zë të lartë se ishin manipuluar në këtë ndërmarrje aspak ligjore dhe aspak dinjitoze! Përmendën dhe emra nga organizatorët e protestës, të cilët kishin bërë thirrje për të marshuar drejt aeroportit, pavarësisht se ata të zënë ngushtë justifikohen me ‘futjen e sabotatorëve brenda protestës’! Madje dhe organet ligjzbatuese kanë nisur thirrjen në seanca pyetjesh këta organizatorë!
I përmendëm të gjitha këto për të treguar se sa e lehtë është që të manipulohen protestuesit nga ky grup organizator, i cili ende mbetet një mister dhe vepron në ilegalitet të plotë! Mjafton një thirrje pa identifikim ndaj turmës, dhe protestuesit drejtohen drejt rrugëve nacionale duke i bllokuar ato e deri tek aeroporti i vetëm ndërkombëtar shqiptar, “Nënë Tereza”, apo larg qoftë nesër nëpër selitë e partive politike, zyrave të shtetit e deri tek shtëpitë e politikanëve kryesorë, duke vënë nën kërcënim dhe rrezik jetët e familjarëve të tyre nga turmat pa kokë që e lëvizin sa andej këndej! Prandaj themi se dikush duhet t’i dalë zot kësaj proteste, pasi nuk dihet se kush po e lëviz atë masë amorfe! Aq më tepër që pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë adoleshentë e fëmijë, të cilët manipulohen lehtë, për axhenda aspak në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve! Kjo protestë përpos e manipuluar në elementë të caktuar, duket se është dhe ‘kontaminuar’, parë dhe nga këndvështrimi i deklaratave, kërcënimeve dhe lincimeve të helmëta që lëshojnë!
Duhet të bëhen publikë organizatorët, jo se nuk dihen! Dhe të mos i bien kot më qafë gazetarit Marin Mema, i cili me sa duket gjendet në atë vorbull si padashje. Gjendet mes nevojës për të vijuar emisionin që ka në TV, është i shkëlqyer ky emision, pavarësisht kostos së lartë financiare që kërkon për ta mbajtur, dhe pamundësisë për të kundërshtuar situatën e papritur në të cilën ai gjendet, atë të protagonizmit! Shijon ai i bekuar protagonizëm! Megjithëse është distancuar!
Ajo që mund të themi është se dihen emër për emër organizatorët. Mos të bëjmë sikur nuk dihen nga gazetarët! Mësohet se dhe nga institucionet ligjzbatuese, janë identifikuar të gjithë ata që kanë devijuar protestën në këto akte paligjshmërie! Sidomos në këto 3 ditët e fundit, protesta ka devijuar rëndë në shinat e paligjshmërisë, teksa janë shfaqur personazhe me maska, si dhe ka thirrje për ekzekutime me vdekje të politikanëve, zyrtarëve dhe analistëve mediatikë të caktuar.
Ka dhe thirrje për rrethimin e SPAK për të mos e lënë asnjë prokuror që të dalë jashtë godinës, nëse nuk realizohen axhendat e tyre për të arrestuar të gjithë ata që turma e protestuesve, ditë pas dite ka vënë në listë, me betimin se do të dërgohen pa gjyq në burg! Ndërkohë që në shkelje të ligjit, tashmë nga turma e protestuesve ka nisur edhe bllokimi i akseve kryesore në Tiranë, duke e bërë kështu të domosdoshme ndërhyrjen e policisë dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Sipas dhe këshillave të studentëve serbë, ‘veteranëve’ të protestës anti-Vuçiç. Janë publikuar komunikimet në media, kanë dhe emra partnerët në Shqipëri! I gjeni kollaj!
Si organizatorë të protestës dhe përgjegjës për veprime të paligjshme janë identifikuar shumë e shumë punonjës të shoqatave që qarkullojnë dhe ‘konsumojnë’ miliona euro fonde të BE, janë dhe disa bankierë të dyshuar për pastrim parash, pavarësisht shkallës së lartë të inteligjencës që kanë shfaqur në rininë e tyre të hershme. Ka shumë ish zyrtarë të shkarkuar dhe të arrestuar për korrupsion në të gjitha qeverisjet, personazhe të dyshuar për krime kibernetike, punonjës të mediave të familjes Berisha, personazhe të skeduar për krime seksuale, biznesmenë që nuk paguajnë taksa në shtet, por dhe përfaqësues OJQ që kanë humbur financimin nga SHBA për shkak të një firme të Trump, njerëz të frustuar e në moshë madhore nga këto rrjetet ballkanike!
Organet ligjzbatuese kanë identifikuar edhe një grup tjetër personash, me emër dhe mbiemër, si të ‘importuar’ nga jashtë. Bëhet fjalë për njerëz të lidhur me Albin Kurtin, personazhe të tjerë të skeduar si lidhje të errëta me qarqet greke e të dyshuar të tjerë për lidhje me shërbime jo partnere si dhe të vendeve armike. Në bashkëpunim, mësohet se institucionet ligjzbatuese shqiptare, po punojnë për dokumentimin e veprimtarisë të secilit të dyshuar, ku pritet të ketë veprime sipas ligjeve shqiptare në fuqi! Heshtja e organeve ligjzbatuese deri më tani ka qënë për shumë arsye, mes të cilave, evidentimi e dokumentimi i shkeljeve dhe personave përgjegjës, dhe mbi të gjitha prania e madhe e fëmijëve dhe e adoleshentëve në protestë, pjesa më e madhe e të cilëve ende s’e kanë mbushur moshën e votimit, e për pasojë nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet që bëjnë!
Dhe meqë jemi tek bllokimi i rrugëve jetike në vend deri tek aeroporti i Rinasit nga protestuesit, ajo që nuk mund të kalojë pa u përmendur lajmi që dhe ka entuziasmuar fort protestuesit, është akti i ‘zhbllokimit’ të deputetës Marjana Koçeku, e dalë nga lista e sigurtë dhe e mbyllur e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Shkodrës. Madje ishte e para në listë e emri i saj s’është votuar, është votuar vetëm sigla e PS! E cila u ‘divorcua’ nga grupi parlamentar i PS!
Marjana dha lajmin se doli deputete e pavarur që nga mbrëmja e ditës së dielë! E njohur ndryshe edhe si ‘Neomalësorja’, në kulmin e protestës, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe kreut të partisë së saj, deri mbërmjen e së dielës, Edi Rama, Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i PS. Nuk dihen tamam tamam arsyet që e çuan deputeten drejt këtij ‘divorci’ politik me PS-në, por në një postim në rrjetet sociale ajo njoftoi se do të jetë deputete e pavarur.
Këtë qëndrim “Neomalësorja” e argumentoi shkurt, duke thënë se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë tani. “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo.
Prandaj themi se Marjana u ‘zbbllokua’ duke dalë jashtë kufijve të PS, me të cilën ishte asociuar më herët, duke mbetur në kufijtë e saj! Pavarësisht se nga PS, elementë të caktuar brenda saj, i kanë kërkuar të dorëzojë mandatin e deputetit pasi është votuar sigla e PS dhe jo ajo si kryesuese e listës së mbyllur në Shkodër, dorëzimi i mandatit të deputetit mbetet në dinjitetin e vetë Marjanës! Megjithëse grupi i PS nuk e diskutoi ikjen e Marjanës, por dhe vetëe Marjana i ka këputur një mbyllje telefoni dhe nuk përgjigjet fare! Poston ndonjë ‘emoji’ me Flamingo e kaq!
Nëse i referohemi deklaratës saj për daljen jashtë grupit të PS e ‘divorcit’ me partinë që qeveris vendin, pra rikthim në kufijtë e saj, lë për të kuptuar se mandati i deputetit është një ‘kostum’ i tepërt për Marjanën, është një ‘dhuratë’ e partisë në radhët e të cilës nuk dëshiron të jetë më. Ky ‘kostum’ që nga mbrëmja e së dielës, çdo sekondë e më tepër që e mban, i rri shumë keq, pasi s’është më për trupin e saj. Madje po del sikur ia kanë veshur me zor ditën e zgjedhjeve dhe i rri shumë keq! Por rëndësi ka që Marjana u rikthye në habitatin e vet, u ‘zhbllokua’ nga ‘zinxhirët’ e PS, pasi kishte mbetur e ‘bllokuar’ në një ‘trup’ tjetër politik, në një trup të huaj për të, si PS!
Marjana të bëjë dhe një sforco të vogël e të çlirohet tamam, të dorëzojë atë mandatin e deputetit! Apo nuk e pranojnë pa mandat këta ‘padronët’ e rinj, ata që drejtojnë protestën?! Do t’ju ‘bënte punë’ më shumë pa këtë ‘kostumin’ e PS, partisë që duhet të nxirret me patjetër, bashkë me PD jashtë skenës politike, sipas tyre! Të shohim! Robi rron për pak dinjitet, një çikë erz siç thuhet, që malësorët për hir të së vërtetës, e kanë me shumicë! Ndoshta Marjana do ishte rasti i radhës!
Komente







E Ke qare more Jakin. Aty spo merret ma vesh se kush eshte e kundra kujt eshte. Sa per kete kedhen e Shkodres , ska pse te shfrytezoje votat e PS me marr rrogen ne parlamento. Te shkoje Ke dhite. Na e nxorren bojen keta budallej, nje nga Lezha nje nga Shkodra tjetrit prej Rrjollin. Keta vertete e tregojne veten te marre
Përgjigju