Shqipëria është me të vërtetë një vend i çudirave deri në kufijtë e absurdit, dhe për këtë nuk ka ndonjë diskutim apo kundërshti shterruese. Pranohet si ‘aksiomë’, pa vertetim fare.
Askund tjetër nuk ndodh që të merret guximi që nëpër ekranet televizive të thirren në emisione vajza dhe djem beqarë, të pamartuar kurrë, për të folur për jetën në çift. Të thirren të divorcuarit për të folur dhe dhënë ‘receta’ për mbarëvajtjen e një martese, të thirren ata që nuk kanë fëmijë për të folur për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Flasim me kompetencë madje.
Lëre pastaj kur të shkolluar për letërsi flasin për ekoninë, sistemin bankar, krimin, jurisprudencën dhe gjëra të tjera të këtij lloji. E thënë në mënyrë më të thjeshtë, nuk e di se sa ia dalin këta organizatorët e këtyre ‘mexhliseve’ që të thërrasin për të dhënë mend njerëzit më të paduhur të mundshëm. Duke i bërë shqiptarët akoma më lëmsh se sa janë vetë si natyrë.
Apo quhen VIPA dhe influencere njerëz që nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre, nuk u ka thënë njeri ‘puna e mbarë’ në asnjë sektor, përpos faktit se kanë ‘zbuluar’ hiret nëpër rrjetet sociale, nëpër emisionet televizive, apo në çdo sektor të jetës së tyre, ende pa mbushur 25 vite në këtë botë të ndërtuar sëprapthi.
Ndërkohë që situata është në kufinjtë e aburdit dhe në politikë dhe në të gjithë sektorët e jetës. Ku shpeshherë i gjendet personit puna, dhe jo t’i gjendet punës personi adapt. Ndërkohë që politika është me të vërtetë në terë kuptimin e fjalës një absurditet më vete në Shqipëri.
Por ama në krye të renditjes qëndron vetëm ai, i padiskutueshmi dhe i paimitueshmi: Sali Berisha, i rikthyer në krye të Partisë Demokratike, pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe më pas, duke zbuar Lulzim Bashën nga drejtimi e duke i marrë partinë, vulën dhe logon e PD. Pra absurdi ka emër: Sali Berisha. Dhe kjo shpjegohet që nga ngjarjet e fundit.
Kreu i PD Sali Berisha ka premtuar ditë më parë, se teksa do të vijë më 11 maj 2025 në pushtet, dhe si kryetar i partisë ‘fituese’ do të jetë kryeministër i vendit, nën qeverisjen e tij do bëhet realitet udhëtimi pa viza në SHBA, por do të realizohet dhe anëtarësimi i plotë në BE.
“Pa viza në Europë. 15 vjet më parë, arritja e jetës e ish-njerëzve më të izoluar! Ishte koha kur qeveriste PD. Në rikthimin e tretë, Sali Berisha do të mundësojë projektin “Pa Viza në Amerikë“ dhe anëtarësim të plotë në BE! Fitorja më 11 maj, është ndryshimi që na duhet. Është radha jonë”, ka deklaruar publikisht Berisha. Zgjidhëm këtë premtim, se ka shumë ‘xhevahire’ të tjera të artikuluara prej tij, si premtime elektorale.
Në pamje të parë duket diçka ndomale, pasi shqiptarët janë populli më pro-amerikan në Evropë sëpaku dhe lëvizja pa viza në shtetin më të madh të demokracisë dhe aleatin e mikun tonë më të madh, është një ëndërr.
Por ky premtim i artikuluar nga Sali Berisha tingëllon si një nga absurditetet më të mëdha. Jo se ndalohet për ta thënë Berisha këtë gjë, mund ta thotë sot dhe gjithë ditën. Mund ta kishte thënë dhe nga arresti shtëpiak. Por Sali Berisha është njeriu më i papërshtatshëm, njeriu më i pamundur për ta premtuar heqjen e vizave me SHBA pasi është shpallur që në vitin 2021 person ‘non grata” në SHBA.
Pra politikani, të cilin SHBA e ka shpallur të padëshirueshëm dhe nuk e lejon të shkelë në territorin e vet, të cilit i kanë hequr ‘vizën’, dhe jo vetëm nuk e takojnë e nuk e marrin në referencë si faktor relevant politik por nuk i përmendin as emrin, vetëm e sanksionojnë dhe e kanë izoluar bashkë me PD-në, nuk mund të premtojë heqjen e vizave të shqiptarëve me SHBA-të. Prandaj themi se është absurditeti më i madh një premtim i tillë në prag të fushatës elektorale nga kreu i PD Berisha. Dhe premtim tërësisht i pabesueshëm. Me një fjalë premtim alla-Berisha.
Por Berisha e thotë një premtim të tillë pa iu ‘dridhur qerpiku’, anipse është kthyer në objekt humori në të gjitha ambientet politike, në rrjetet sociale por dhe në vetë radhët e PD. Të atyre që nuk ua ka ‘montuar’ ende trurin mbrapsht sipas standardit që ka vendosur në PD, që të besojë gjithçka nxjerr nga goja kreu i saj historik.
Në fakt Berisha as vetë nuk e beson një premtim të tillë, dhe thellë thellë kur është vetëm në ambientet e familjes apo rrethe të ngushta miqësore shkrihet së qeshuri sa herë e ridëgjon të ‘riprodhuar’ nga mediat apo në rrjetet sociale. Por ama këtë premtim e bën thjeshtë dhe vetëm për militantët e tij, që janë mësuar të ‘kapin’ si të vërtetë çfarë hedh në publik kreu demokrat. Kaq i duhet Berishës, premtimi e ka kryer ‘misionin’ e vet. Nuk pretendon më shumë ai, aq më tepër në këtë moshë dhe me tërë këto halle me drejtësinë që ka në kurriz.
Fundja Berisha nuk e ka për herë të parë që bën premtime absurde. Tashmë në deklarimet e tij për kthimin për herë të tretë në pushtet, Berisha premton siguri për shqiptarët, garanci për kursimet dhe të ardhurat e tyre, sigurinë për jetën në kushtet e rritjes së krimit në vend, ndërkohë që për 34 vite me radhë ka qënë njeriu që i ka shkelur të gjitha këto ‘vija të kuqe’/.
I premton këto pikërisht Berisha, njeriu që dogji Shqipërinë dhe shkatërroi nga themelet shtetin në vitin 1997, që ngriti firmat piramidale dhe u grabiti shqiptarëve mbi 1.2 miliardë dollarë kursime, që hodhi në erë një fshat të tërë në Gërdec, duke ‘pjekur’ të gjallë 26 njerëz të pafajshëm, viktima të korrupsionit shtetëror të tij dhe biznesit të djalit të tij, me municionet e ushtrisë. Apo vrau dhe 4 demonstues të pafajshëm të opozitës në mes të bulevardit më 21 janar 2011, me plumbat e Gardës së Republikës. I vrau teksa po shpërndaheshin, pasi po të ishte kulmi i protestës nuk mund të imagjinohej numri i të viktimave.
Berisha premton se në rikthimin e tij të tretë në pushtet do të luftojë korrupsionin, ndërkohë që është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor. “Non grata’ familjarisht madje, dhe është nën hetim për aferën korruptive të privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, ku është marrë i pandehur për korrupsion në favor të dhëndrit jamarbër Malltezi, si dhe është nën hetim familjarisht për pasurinë. Po hetohet dhe për aferën CEZ-DIA e abuzime të tjera me pushtetin, ku shumë shpejt do të thirret si i pandehur. Janë ‘rrugës’ thirrjet për të dëshmuar, ndërsa djali i ka dhënë dëshmitë me kohë e vakt.
Berisha premton se me rikthimin e tij të tretë në pushtet do të sjellë drejtësinë e pastër në vend duke zhbërë drejtësinë e “Sorosit” ndërkohë që është shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania pikërisht për shantazhim dhe goditje të drejtësisë. Të cilën vijon ta bëjë dhe sot e kësaj dite, duke sulmuar SPAK, kreun Altin Dumani. Madje dhe duke i kërcënuar me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme. Pasi janë nën hetim dosjet e rënda të tij, që nga korrupsioni e deri tek ’21 janari’ dhe “Gërdeci.
Pra Berisha, teksa është në atë botën e tij paralele, në atë universin e tij paralel, premton për militantët e tij pikërisht ato elementë që urren më shumë dhe të gjithë shqiptarët e dinë se as vetë nuk i beson. E ka treguar me prova dhe fakte. Por ama premtimet i duhen për militantët e tij. Nuk pretendon të marrë vota të elektoratit gri as për të ardhur në pushtet. Kërkon vetëm një grusht deputetësh thjesht e vetëm për të qënë parti e parë opozitare dhe e dytë në ranglistën e subjekteve politike në vend. Nuk pyet se po bie ‘pikiatë’ në mbështetje në krye të PD, duke treguar qartë se sa të jetë ai kryetar, nuk do ketë të përpjetë kjo parti. Në pushtet nuk vjen jo e jo.
Dhe me këtë çështjen e premtimit të heqjes së sistemit të vizave me SHBA, ndërsa është një person ‘non grata’ funksional në Amerikë, pikërisht në këtë linjë është. Ndaj themi se absurdi ka emër: Sali Berisha. Eshtë nga ato gjërat që që meriton plotësisht. Ka dhe të tjera, por herë tjetër.