Jakin Marena: PD lindi te studentët, shkruan ‘epitafin’ te dritarja e Berishës

Jakin Marena: PD lindi te studentët, shkruan ‘epitafin’ te dritarja e Berishës

Sali Berisha

Vetëm një vit para zgjedhjeve parlamentare, në kampin opozitar nuk ka asnjë përgatitje për të përballuar këtë garë elektorale, përballë PS që synon mandatin e katërt qeverisës rresht.

Për një opozitë normale, që në momentin kur shpallet rezultati i zgjedhjeve të radhës, i cili nuk i mandaton për të qeverisur vendin, fillojnë përgatitjet për revansh në zgjedhjet e ardhshme, duke kërkuar madje në çdo moment dhe zgjedhje të parakohëshme.

Opozita kaq ka në dorë, ngritjen e zërit në Parlament apo në publik për çështje që ajo i mendon se mund të zgjidhen ndryshe nga partia në pushtet, përcjelljen tek elektorati i saj të alternativës së qeverisjes së nesërme, e tentativën për të thithur elektoratin gri me elementë joshës që bindin se është më e mirë dhe më e aftë se qeverisja, në përpjekje për të marrë votën e këtij votuesi, që është i barabartë me pushtetin.

E themi këtë sepse opozita në çdo vend të botës s’mund të bëjë ligje apo të qeverisë, pasi për këtë punë është mandatuar partia fituese, dhe nuk duhet të ketë alarmime pse i rrëzohen nismat ligjore apo nisma të tjera që opozita apo deputetë të veçantë të saj paraqesin në Kuvend.

Nuk kemi dhe nuk duhet të kemi pakicë qeverisëse, pasi do të përmysej dhe formula e pushtetit dhe zhvillimet në Shqipëri nuk do ecnin në rrjedhën normale. Lufta e fortë opozitare do ta bënte shumë më të mirë qeverisjen nëse alternativa e paraqitur nga opozita apo opozitat do rivalizonte atë qeverisëse, duke bërë që mazhoranca të mendohet dy herë për të marrë një vendim apo nismë ligjore, për të shpenzuar me efikasitet paratë e shtetit, pasi në ‘derë’ do të ketë një opozitë serioze dhe alternative, e gatshmë për të marrë pushtetin.

E thënë në gjuhën sportive të atletikës, nëse qeverisja ndjen nga afër ‘dihatjen’ e kundërshtarit që e ndjek pas hap pas hapi në distancë të shkurtër, ose do të shtojë shpejtësinë dhe do ruajë ritmin, ose do të lirojë krahun për t’i lëshuar vendin e parë kundërshtarit. Pra në këtë rast opozita ia del të fitojë garën në mënyrë të rregullt.

Por çfarë po ndodh me opozitën shqiptare në tërësi dhe sa i rrezikuar është pushteti i mazhorancës socialiste nga kjo mënyrë e të bërit opozitë nga partitë jashtë pushtetit?

Për hir të së vërtetës opozita shqiptare është katandisur copa copa, ku për shkak të luftës për lidershipin, janë në një situatë të tillë konflikti, sa të gjithë janë vënë kundër të gjithëve.

Në krye të këtij sistemi rrëmujë të opozitës qëndron “Foltorja” e udhëhequr nga Sali Berisha, një grupim i shkëputur, deri më tani në shumicë, nga trupi i lodhur prej gati 34 vitesh i PD, i tkurrur nga përplasjet shumëvjeçare me përjashtime e linçime. Jemi besimplotë se asnjë shqiptar nuk ka dyshim se strumbullari i tërë këtij kaosi është vetëm një emër, Sali Berisha.

Dhe nuk është pa fakte një gjë e tillë. Kur të gjithë po mendonin se më në fund demokratët por dhe shqiptarët u ndanë përfundimisht nga Berisha, me atë humbje poshtëruese të tij më 2013 përballë Edi Ramës, dhe me zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD, kur mendohej se 10 vitet e qëndrimit zyrtarisht jashtë kupolës drejtuese të PD e kishin pensionuar me tamam Berishën, papritur u gjendën përballë faktit të kryer. Berisha jo vetëm që nuk kishte ikur asnjëherë nga drejtimi i kësaj partie, por tentoi të kthehej dhe zyrtarisht si lider i padiskutueshëm i PD.

Nuk mund të qëndronte pa bërë protagonistin Berisha, herë përmes mesazheve në rrjetet sociale, herë përmes deklaratave me mesazhe të ‘koduara’, duke diktuar të gjitha lëvizjet e forta të PD të drejtuar zyrtarisht nga Basha, që nga ‘çadra’ e famshme, bashkëqeverisja zgjedhore me Ramën, e deri tek djegia e mandateve të deputetit dhe sulmin ndaj institucioneve të shtetit, për të ardhur në vjeshtën e mbrame të vitit 2021 kur Berisha u rikthye zyrtarisht në politikën aktive.

Berishizmi jo vetëm që nuk ishte zhdukur por thirri zyrtarisht në skenë ‘babain’ e tij, vetë Sali Berishën, që në moshën afër 80 vjeçare nisi betejën brenda PD, duke e dërguar atë në zgrip, në kushtet e mbijetesës politike.

Gjithçka nisi para zgjedhjeve të 2021, teksa partnerët tanë ndërkombëtarë i kërkuan Bashës ndarjen nga e kaluara. Pra ndarjen nga Berisha, përmes moskandidimit të tij në zgjedhjet parlamentare. Gjë që Berisha e refuzoi në prapaskenë, duke e kërcënuar Bashën, por dhe duke shfrytëzuar momentin e ‘mirënjohjes’ prej tij për katapultimin në shkallët e pushtetit dhe të PD e mbi të gjitha pafuqinë e tij për të ‘vrarë babain’ politik.

Sapo u bë deputet, SHBA menjëherë e shpalli Berishën familjarisht ‘non grata’ në SHBA, me motivacionin se ka bërë korrupsion madhor gjatë pushtetit të tij, minuar demokracinë dhe ka shkatërruar drejtësinë, Basha ka deklaruar publikisht se partnerët i kërkuan që Berisha të tërhiqej nga skena e politikës aktive, këtë ia kishte komunikuar liderit historik, bashkë me paralajmërimin se në rast të kundërt do të degdisej dhe do rrezikonte tërë familjen. Këtë ka thënë Basha.

Basha ka bërë publik dhe faktin se i kishte thënë Berishës se do të penalizohej familjarisht, ndërkohë që kishte marrë si përgjigjie prej tij se është gati të përballojë gjithçka personalisht. Por që mori dhe tërë opozitën me vete drejt greminës. Historia më pas dihet. Basha e përjashtoi në shtator nga grupi parlamentar i PD dhe më pas nga vetë partia, gjë që solli katandisjen e PD në një luftë të paprecendent brenda vetes dhe rrënimin e saj, pas ndarjes në 3 a më shumë pjesë.

Berisha ngriti “Foltoren” dhe startuan kongreset paralele me përjashtimin e palëve respektive nga Kuvendet kombëtare po paralele, çka solli largimin e Bashës dhe rikthimin më pas të tij në krye të PD, lëvizjet kaotike herë nga njëri krah e herë nga krahu tjetër, ku më e spikaturi ishte kalimi i kundërshtarit më të madh kundër Berishës, Gazment Bardhit, tek “Foltorja” po e Berishës. Dhe mbi të gjitha ngërçi i madh se kush e ka vulën e logon e PD, të cilën do ta zgjidhë gjykata. Ka dhe shumë dhunë brenda PD, ku për herë të parë një grupim i një partie, në rastin konkret “Foltorja” me në krye Berishën, sulmoi me mjete rrethanore selinë e PD për ta marrë forcërisht. E mori pak më vonë, falë dhe të ‘kallauzëve’ të Berishës brenda PD zyrtare të Bashës. Të cilët madje e financuan dhe nga arka e PD Foltoren.

Megjithëse veprimi opozitar ishte ngushtuar në luftën brenda llojit, duke mos e kryer misionin që një opozitë që ka, atë të luftës për të ardhur në pushtet, masa e arrestit në shtëpi për Berishën me sa duket do të ishte dhe ‘gozhda’ e fundit që u ngul në ‘arkivolin’ e PD për ta përgatitur për në ‘amëshim’. Tashmë thjeshtë po i bëhet ‘ceremonia’ e fundit për ta dërguar në ‘banesën e fundit’ politike, atë të harresës së kësaj partie, e cila me sa duket e përfundoi misionin e saj politik.

E themi këtë sepse tashmë nuk diskutohet më se si mund të fitojë opozita zgjedhjet, si të përfaqësohet më mirë votuesi opozitar, por vetëm për lidershipin e opozitës, dhe mbi të gjitha për të gjetur një alibi për humbjen e radhës përballë mazhorancës socialiste. E ka thënë vetë Berisha këtë alibi, se me Ramën nuk fitohet, ndaj sipas tij do ta ‘përmbysë regjimin’ e tij.

Se me çfarë do ta përmbysë Berisha Ramën hajde merre vesh. Pasi ka ikur koha kur kërcënonte me demokratët e Mamurrasit apo të Kamzës se mund të rrëzonte qeverinë. Në krye të herës tashmë socialistët nuk sygjestionohen nga këto kërcënime, sikurse ndodhte në qeverisjen e parë të PS, ku në çdo vendim që merrej pyetej në mënyrë retorike: çfarë do të thotë Berisha, Ishte përcaktues në ecurinë e qeverisjes Berisha dhe në opozitë në atë kohë.

Njëherësh, gjithkush mund të pyesë: Ku janë demokratët e Mamurrasit apo të Kamzës, qoftë dhe të Shkodrës që nuk po duken tani kur Berisha ka më nevojë se kurrë. Askush nuk po i shkon të bëjë ‘serenatën’ e përnatshme poshtë dritares së Berishës në katin e tetë të pallatit në rrugën “Mustafa Matohiti’ ku është ‘kyçur’ me vendim gjykate për korrupsion pasiv. Aq më tepër për llogari të Berishës e familjes së tij, të cilët kanë hall burgu, nën akuzën e korrupsionit e veprave të tjera penale, që kanë marrë dhe jetë njerëzish.

Aty shohim 20 apo maksimumi 40 vetë, mbi 90 përqind të tyre ish ministra, ish drejtorë që ia kanë parë hajrin financiarisht qeverisjeve të Berishës vakti. Demokratët janë të zhgënjyer, të mashtruar për vite me radhë nga Berisha, dhe tashmë i janë kthyer halleve të tyre. Për më tepër këto zona që kanë shërbyer si ‘hambar’ për Berishën për protestat dhe presionin ndaj qeverisë, janë nën drejtimin e përfaqësuesve të PS, përfshirë bastionin e fundit që ra më 14 maj, Shkodrën.

Pra grupimi më i madh opozitar është katandisur në një segment veprimi opozitar që nis nga selia e PD e marrë pa të drejtë buzë Lanës, pra e rrëmbyer forcërisht nga Foltorja, te dritarja e banesës së Berishës, i mbyllur në arrest shtëpiak.

Ndërkohë që kortezhi i mbështetësve të Berishës, na kujton atë kortezhin mortor të përcjelljes në banesën e fundit të një njeriu që nuk ka lënë gjë pa bërë dhe që është mallkuar jo vetëm nga banorët që e njohin dhe kanë provuar në kurriz maskarallëqet e tij, por dhe nga kisha apo xhamia si i pafe. Aq pak janë mbështetësit e liderit historik të PD që shkojnë poshtë dritares së banesës së tij.

Eshtë vërtetë i dhimbshëm fakti që vendi ka mbetur pa opozitë, duke parë degradimin e Foltores së Berishës, mefshtësinë proverbiale të PD të Bashës, zhdukjen nga ‘qarkullimi’ të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, pafuqinë e partive të tjera opozitare, që nuk arrijnë të gjejnë vend ku të ‘ngulin’ spirancën për të ndalur udhëtimin drejt greminës, drejt së cilës po e çon me shpejtësi Berisha. I cili po merr me vete tërë opozitën për hallet e tij personale, që janë halle burgu familjarisht. Teksa opozitarët, demokratë dhe më gjërë, janë të papërfaqësuar dhe të paorientuar.

Ne nuk e kemi tagrin të themi se si duhet të veprojë opozita për të ndalur rrënimin. Dhe ata që e marrin përsipër këtë gjë duke pushtuar panelet e ekraneve shqiptare, më shumë ndikojnë për ta shpejtuar këtë rrënim se sa për ta ndalur dhe filluar ngritjen. Se nuk ka si ndodh ndryshe, kur radikalë ish komunistë apo bij sigurimsash paralajmërojnë ‘revolucion demokratik’, paralel me shpalljen e luftës që i bëjnë SHBA dhe BE. S’ka si ndodh ndryshe kur sulmet më të ashpra të Berishës, mbështetësve të tij dhe në media, më shumë shënjestrojnë Bashën se sa Ramën.

Ndaj themi se katandisja e opozitës në një grusht njerëzish që bëjnë ‘serenata’ çdo mbrëmje poshtë dritares së Berishës, si dhe në zëra të shpërndarë më shumë në media, përbën ‘epitafin’ e vendosur në ‘varrin’ politik të PD dhe opozitës. Por dhe djegin ndonjë karrige në Parlament, apo veprojnë si këtë të shtunë në mbrëmje po në seancën Parlamentare, teksa kanë bllokuar foltoren dhe kanë penguar mbajtjen e fjalës në seancë nga ana e Presidentit Begaj, duke na marrë erzin në sytë e ambasadorit britanik dhe atij gjerman që ishin prezentë në këtë skenë kaosi në sallën e Kuvendit dhe kuptohet edhe duke mbajtur shënime,

Pra janë të gjitha këto veprime që shkojnë drejt rrugës së gremisjes së PS, për të shënuar përfundimin e misionit të saj, e cila e nisi në dhjetor ’90 tek Qyteti Studenti me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe po e mbyll poshtë dritares së Berishës me thirrjen “O Berisha o hero, gjithë Shqipëria ty të do. E duam Berishën…”, e akuzuar për korrupsion.
Dashtë Zoti dhe del ndonjë lider i ri apo forcë e re politike, që mund t’u rikthejë shqiptarëve opozitën e merituar. S’besojmë se jemi një popull i mallëkuar për të qënë në vitin 2024 të këtij shekulli pa opozitë.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja