“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”. Më këtë betim, ka marrë detyrën e presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Ceremonia e betimit, u zhvillua në Parlamentin e Malit të Zi, ndërsa morën pjesë rreth 200 personalitete, përfaqësues të vendeve të rajonit dhe botës, mes të cilëve edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.
“Do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare.Momenti aktual ka karakter historik, ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngjall shpresë, se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.”- tha Milatoviç.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe deputetë të Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, autoriteteve gjyqësore, si dhe presidenti i deritanishëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili do të presë afro 700 të ftuar në një drekë në Vilën shtetërore Goricas, Në mesin e të ftuarve, do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm do të jenë Zhelko Cvijanoviç dhe Zhelko Komshiç, ndërsa Aleksandar Vuçiç nuk ka konfirmuar prezencën. Nga zyrtarët evropianë, të pranishëm do të jenë president i Komitetit evropian ekonomik dhe social të Komisionit Evropian, ndërkaq nga Britania e Madhe dhe Gjermania, të dërguarit specialë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Saracin.
Presidenti i Malit të Zi zgjidhet çdo pesë vjet. Jakov Millatoviç, 37-vjeçar, është presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila pati pushtetin për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020, kur humbi zgjedhjet. Gjykanovic ka qënë 6 herë kryeministër dhe 2 herë president i Malit të ZI. Ndryshimi i kreut të shtetit vjen para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për 11 qershor. Ato u shpallën për shkak të krizës institucionale që ndaloi integrimet evropiane.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori sot pjesë në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit të ri të Malit të Zi, zotit Jakov Milatović, President i një vendi fqinj e mik me të cilin Shqipëria ndan interesa e një vizion të përbashkët euro-atlantik.
Në përshëndetjen dhe urimet e rastit me Presidentin Milatović, Presidenti Begaj nënvizoi marrëdhëniet e shumë të mira e të fqinjësisë së mirë që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, duke iu referuar shëmbullit shumë të mirë që dy vendet kanë dhënë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Presidenti Begaj, shprehu besimin, se këto marrëdhënie do të forcohen e zgjerohen edhe më shumë gjatë mandatit presidencial të Presisidenti Milatović.
“Si dy vende aleate në NATO dhe në proces negocimi për aderim në Bashkimin Evropian, dy vendet tona janë kontribuese aktive për paqen dhe sigurinë në rajonin tone, por jo vetëm” – u shpreh Presidenti Begaj.
Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit, vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur faktori shqiptar në Malin e Zi, për stabilitetin, pavarësisë dhe të ardhmen euro-atlantike të këtëij vendi fqinj e mik, si dhe shprehu besimin se ky komunitet do të vijojë të ketë vëmendjen dhe mbështetjen e Presidentit Milatović dhe të institucioneve malazeze. “Prania e shqiptarëve në Malin e Zi dhe e komunitetit malazez në Shqipëri janë ura të forta miqësie e bashkëpunimi, që së bashku duhet t’i mbështesim e t’i promovojmë më shumë” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Në këto ceremoni morën pjesë një sërë krerë shtetesh dhe qeverish nga vendet e rajonit të Evropës Juglindore, si dhe shumë zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë.
Gjatë vizitës një ditore në Malin e Zi, Presidenti Begaj bëri një ndalesë edhe në qytetin e Tuzit, ku u takua me përfaqësues të faktorit shqiptar në Malin e Zi. Presidenti Begaj i siguroi për vëmendjen dhe mbështetjen e palëkundur të institucioneve shqiptare për të gjitha çështjet e shqetësimet me të cilat ballafaqohet minoriteti shqiptar në Malin e Zi. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi në këtë takim rolin shumë konstruktiv që shqiptarët dhe forcat politike shqiptare në Malin e Zi, kanë luajtur, si për stabilitetin ashtu edhe në kuadër të procesve euroatlantike të vendit.