Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është kthyer këtë të mërkurë në Prishtinë, pasi Gjykata Speciale në Hagë i lejoi një vizitë për arsye humanitare, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Krasniqi ka mbërritur në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku janë vendosur forca të shumta të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, të cilat kanë rrethuar zonën pranë shtëpisë. Pamjet tregojnë momentin prekës kur Krasniqi i afrohet derës së hapur të shtëpisë ku del vajza e tij, e cila duatroket nga gëzimi dhe më pas hap krahët për t'i dhënë të atit një përqafim të ngrohtë.

Vizita është autorizuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Krasniqi po përballet me akuzat për krime lufte.

 Krasniqi do të qëndrojë në Kosovë deri në orën 17:00, pas së cilës pritet të kthehet në Hagë. Kjo është hera e dytë që Krasniqi vjen në Kosovë. Herën e parë, ai u kthye në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që është lejuar nga gjyqtarët për të paraburgosurit, për arsye humanitare. Vizitat e tilla bazohen në Rregullën 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, si dhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale e shpalli fajtor Krasniqin për disa prej tyre dhe e dënoi me 25 vjet burg.

Trupi gjykues e gjeti fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor dhe torturë ndaj 49 personave, si dhe vrasjen e paligjshme të 96 personave. Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:23
Jakup Krasniqi përfundon vizitën pranë familjes, ish-kryetari i Kuvendit largohet nga Prishtina drejt Hagës

1795026484_PerfundonvizitaeJakupKrasniqitneKosoveishkryetariiKuvendit.jpg

Ka përfunduar vizita humanitare në Kosovë e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili u kthye këtë të mërkurë në Prishtinë pasi Gjykata Speciale në Hagë i lejoi të takonte familjarët për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Krasniqi qëndroi në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku u prit nga vajza dhe familjarë të tjerë. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kishin konfirmuar se vizita ishte autorizuar për arsye bindëse humanitare, duke bërë të ditur se bëhej fjalë për vizitën e 15-të të këtij lloji për një të paraburgosur.

Vëllai i Krasniqit kishte bërë me dije se gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij nuk ishte stabile dhe se së fundmi ajo kishte marrë trajtim mjekësor në Turqi.

Kjo ishte hera e dytë që Jakup Krasniqi vinte për vizitë në Kosovë gjatë kohës së paraburgimit në Hagë. Herën e parë, atij i ishte lejuar të qëndronte në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin. Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot”, thuhet në përgjigje.

Jakup Krasniqi, njëri prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar në shkallën e parë me 25 vjet burgim për krime lufte.