Jakup Krasniqi sjell në
Tiranë librin e pavarësisë

Jakup Krasniqi sjell në<br />Tiranë librin e pavarësisë
TIRANE - Librat e Jakup Krasniqit i bëjnë të shquhen “mprehtësia, sinqeriteti dhe kthjelltësia”, tha dje në Akademinë e Shkencave botuesi i shtëpisë “Dituria”, Petrit Ymeri. Suksesin e librave të Krasniqit. Petrit Ymeri e ka shpjeguar me faktin se “ai nuk është politikan që merret thjesht me histori, por duke parë disa nga veprat e tij, besoj se është një historian që merret me politikë”.

Një nga protagonistët më të shquar të politikës dhe historisë në Kosovë, Jakup Krasniqi është prezantuar dje në Akademinë e Shkencave në Tiranë me botimin e tij “Pavarësi dhe personalitete”. Ai vlerësua si i pari shqiptar i cili bashkon dy pavarësitë shqiptare duke sjellë në mënyrë paralele refleksionet e dokumentuara mbi historinë kombëtare, mbi engjëjt dhe djajtë.

Krasniqi shprehu dje keqardhjen lidhur me shkrimin e vonë të historisë së Shqipërisë dhe dëshirën e mëtejshme për të hulumtuar për luftën që është zhvilluar për koncesion, për pasuri të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Historianit Pëllumb Xhufi “ky libër i jep përgjigje një sërë pyetjeve dramatike, kush e bëri Shqipërinë, apo kush e vrau Hasan Prishtinën”.

Në promovimin e librit në ambientet e Akademisë së Shkencave kanë marrë pjesë një sërë personalitetesh të larta. “Ka gjëra shumë interesante që merren me të sotmen dhe të ardhmen e politikës së Shqipërisë, duke parë të shkuarën e largët dhe të shkuarën e afërt. Unë mendoj se një lexues i kujdesshëm do të lexoj midis rreshtave ide për të cilat pozicioni politik i Jakup Krasniqit nuk e lejon të t’i thotë shumë hapur”, tha botuesi Petrit Ymeri.

Dje në Tiranë, libri i Jakup Krasniqit është vlerësuar për kriticizmin e tij për klasat politike në Shqipëri dhe në Kosovë dhe për të vërtetat historike për figurat e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, të cilat u lartësuan me tepri nga kryeministri Sali Berisha me deklaratat për rishikimin e historisë gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Sipas këndvështrimit të Krasniqit në libër politikanëve të sotëm u mungon koherenca e moralitetit historik. Ndërsa botuesi e ka konsideruar librin kërcitës, saqë mund të lexosh mes rreshtave. Studiuesi Moikom Zeqo në kumtesën e tij ka vlerësuar librin e Jakup Krasniqit si një vepër të rëndësishme, e cila ka hapur një hulli të re në studimet historike.

I pyetur nga gazeta se cilat janë risitë në fushën e studimeve historike, Zeqo pohon se “Ky libër hap një hulli të re në studimet historike. Së pari, studion në mënyrë të kompletuara dy pavarësitë, pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës”. Libri “Pavarësi dhe personalitete” ndahet në tre pjesë, historia kronologjike, konceptualiteti historik, konkluzionet e moralitetit historik.

“nuk mund të ketë një histori pa një moralitet, ndryshe pse duhet të vlerësohet historia”, thotë studiuesi Zeqo. Zeqo përmend edhe vlerat e Jakup Krasniqit si personalitet për vërtetësinë e veprave. “Është shkruar nga një pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë, në UÇK, dhe sot titullar i Kosovës gjatë periudhës së rindërtimit ose afirmimit të shtetit të Kosovës”, tha studiuesi Zeqo, duke komentua se Krasniqi pasqyrimin e personaliteteve historike e ka vështruar të njësuar me vlerat që i dhanë kombit.

“Figurat negative si ajo e Esat Pashës ose Ahmet Zogut nuk mund të jenë figura pozitive, ku bëhet fjalë për Pavarësinë. Ai ruan linjën e negativitetit ose pozitivitetit të figurave. Libri i Jakup Krasniqit e sheh ndryshimin e ngjarjeve kombëtare të lidhur me ato ndërkombëtare”, tha studiuesi Zeqo. Studiuesi Moikom Zeqo e përmbledh vlerësimin e tij për Librin e Krasniqit me një proverb latin: Atë që e shkruan pena, s’e pret dot as sëpata.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë