James Biberaj, nga Hollivudi
për herë të parë në film shqipta

James Biberaj, nga Hollivudi<br />për herë të parë në film shqipta
James Biberaj është një aktor i njohur në Hollivud. Rolet e tij atje janë të shumta e krah aktorëve të njohur në mjaft seriale e filma të preferuar edhe në Shqipëri si “Law and Order”, “ The Sopranos”, “Sex and the city” e shumë të tjerë. Këtë herë James do ta shohim në një film shqiptar, krah aktorëve të njohur si Blerim Destani, Olta Gixhari e Flonja Kodheli. Një kastë e shkëlqyer, e cila është mbledhur nga regjisori i njohur Fatmir Koçi për filmin e tij më të ri “Amsterdam express”, i cili në qendër të tij ka një histori dashurie që zhvillohet mes Amsterdamit dhe Shqipërisë.  Ne kemi mundur të zhvillojmë një bisedë me James pas përfundimit të xhirimeve të filmit, i cili na rrëfen më shumë si ishte të punoje me trupën shqiptare dhe se çfarë i ka bërë përshtypje nga qëndrimi i tij në Shqipëri. 

James si je ndjerë në filmin e Fatmir Koçit “Amsterdam Express”?

Eksperienca këtu në fakt ishte e mrekullueshme. Unë  kam lindur në Amerikë dhe kam qenë vetëm 3 vjeç kur nisa të jetoja në Nju Jork. Familja  ime është nga Tropoja dhe prej disa vitesh Fatmiri ka folur me mua për të bërë këtë film. Kam parë disa nga filmat e tij dhe vërtetë më kanë pëlqyer… Ai më dërgoi skenarin, mu duk një histori shumë e mirë dhe vendosa ta bëja. Eksperienca ishte e mrekullueshme siç e thashë edhe në fillim pasi është hera e parë që bëj film në Shqipëri. Nuk e di se çfarë ju prisni sinqerisht dhe si do të jetë, sepse është e lehtë kur bën filma në Amerikë dhe hidhen shumë lekë dhe është shumë më e vështirë kur nuk ke shumë para.

Si eksperiencë e parë që ishte, a ia vlejti për ty?

Po po. Ishte shumë mirë. Ekipi ishte i mrekullueshëm. Edhe nëse punon në një film në Hollivud, ekipi është i njëjtë edhe me këtë këtu. Faktikisht mbaruam sot xhirimet në mëngjes herët…..gjërat kanë shkuar shumë mirë.

Sa shpesh vjen në Shqipëri dhe çfarë mësove të re nga ky qëndrim i joti?

Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Në fakt unë kam lindur në Kosovë pasi prindërit e mi lanë Tropojën. Kam lindur në Gjakovë dhe pastaj shkuam në Amerikë. Është hera e parë që vij pas 45 vjetësh.



Si tu duk Shqipëria?

Jam dashuruar me bukurinë e vendit këtu. Sidomos plazhet, deti ishin më të mrekullueshmet që kam parë ndonjëherë. Kam udhëtuar  kudo në botë nga Hauai në Australi  por mund të them  se natyra dhe deti janë absolutisht fantastike, mrekulli e natyrës.

Mund të ndash me lexuesin tonë pak nga eksperienca jotë në Hollivud?

Dua të them që kam qenë me shumë fat. Kam  nisur të aktrojë shumë vite më parë dhe mund të them se kam rreth 25 vjet që jam aktor.  Ama ka qenë edhe e vështirë,sepse si të gjithë shqiptarët shkuam atje dhe e nisëm nga asgjëja. Ishte një rrugë e  vështirë, por gjithmonë e kam pëlqyer punën që bëj, qysh kur kam qenë fëmijë.

Sa paguhet mesatarisht një aktor në Hollivud?

Varet. Është relative.



Po shuma më e lartë që ke marrë për një film nëse mundesh?

Kjo varet nga filmi.

Si ishte të punoje në këtë film me aktorë si Blerimi, Olta, Flonja…

Fantastike dhe aktorët ishin të mrekullueshëm, si Flonja. Jam shumë i lumtur dhe mund të krahasohet me filmat e Hollivudit. Aktrimi mbetet aktrim. Aktorët e mirë mbeten aktorë të mirë.

Cila është diferenca mes të bërit një film në kushtet shqiptare dhe një në kinematografinë amerikane?

Diferenca  më e madhe është ajo e lekëve. Ata kanë më shumë lekë dhe më shumë aktorë, staf më i madh gjithë këto gjëra. Është ndryshe sa i përket parave, por arti mbetet i njëjtë.

Do kthehesh sërish në Shqipëri?

Po patjetër. Madje do sjell edhe familjen këtu, gruan dhe vajzën.

Gruaja është shqiptare?

Jo është amerikanë dhe është kërcimtare në Broduej. Të them të drejtën s’kam pasur shans të shoh shumë nga  Shqipëria për shkak të xhirimeve, ndaj dua të vij dhe të shoh e të njoh më shumë.



Çfarë të magjepsi më shumë nga ajo që pe?

E thashë plazhet, që më pare që më magjepsën. Por gjithashtu më magjepsi fakti që erdha në vendin ku të gjithë flasin shqip mbi të gjitha. Dhe sinqerisht një gjë tjetër që më surprizoi ishte fakti se në çdo qytet kishe kaq shumë vende ku mund të shkoje, bare, restorante ose jeta e natës në Tiranë.

Roli juaj në film?

Unë kam një rolin e djalit të keq, kam rolin antagonist ndërsa Blerim Destani luan rolin e djalit të mirë.

U bëre xheloz që Blerimi ka rolin e djalit të mirë?

Jo. Më pëlqen. Është më shumë qejf, fun kur luan të keqin në një film.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)
 

 

1/3
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë