Janaq Paço: Enveri dhe Mehmeti
ja si duhet të jetë Skënderbeu

Janaq Paço: Enveri dhe Mehmeti<br />ja si duhet të jetë Skënderbeu
TIRANE- Në rubrikën “Nga historiku i krijimit të veprave letrare-artistike” të revistës Nëntori, numri 9, 1979, gjejmë një shkrim të Kujtim Buzës mbi krijimin e monumentit të Skënderbeut në Krujë nga skulptori Janaq Paço. Shkrimi zbulon gjithë anën dokumentare nga shpallja e konkursit, pjesëmarrja në të, dosjet dhe përshkrimi i tyre, vendime qeverie me firmën e Enver Hoxhës, e deri kujtime të autorit të veprës monumentale, udhëtimet e tij në gjithë Shqipërinë duke ndjekur këshillat e Hoxhës për të krijuar një Skënderbe sipas frymës së regjimit.
 
Nga Kujtim Buza
Monumenti i Skënderbeut në Krujë

Partia dhe shoku Enver gjithmonë kanë porositur që të njohim, të rujamë dhe të mbështetemi në traditat e shquara patriotike dhe luftarake, kulturore dhe artistike të të parëve tanë, të çojmë më përpara këto vyrtyte të rralla të shqiptarit ndër shekuj. Figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij Partia e ka ngritur në piedestal si një shembull edukimi patriotik dhe revolucionar. Figura e Skënderbeut frymëzoi popullin shqiptar gjatë gjithë kohëravet, në vitet e robërisë otomane, të luftës për liri e pavarësi, e deri në ditët e luftës nacional-çlirimtare.
Figura e skënderbeut ka qenë burim frymëzimi edhe për shumë shkrimtarë e artistë shqiptarë edhe të huaj, që i kanë kushtuar dijet dhe talentin e tyre kësaj figure të shquar legjendare.

Shumë piktorë e skulptorë kanë patur në qendër të krijimtarisë së tyre Skënderbeun, janë realizuar portrete, kompozime në pikturë, relieve, vepra të artit aplikativ në të gjitha gjitë dhe teknikat, por janë realizuar edhe ekuestre siç është monumenti i Skënderbeut në Krujë, vepra e parë monumentale e realizuar nga skulptori i merituar Janaq Paço dhe Skënderbeu i ngritur në Tiranë në kuadër të 500-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar më 1968- vepër e skulptorëve O.Paskali, A. Mano, J.Paço.
 
Partia menjëherë pas çlirimit të vendit, krahas rindërtimit dhe zhdukjes së pasojave që shkaktoi lufta, ndërtimit dhe ngritjes së objekteve të rëndësishme industriale, një rëndësi të veçantë i dha edhe ngritjes së veprave të karakterit monumental, busteve, statujave monumentale, etj. Kështu, Këshilli i Ministrave i R.P. të Shqipërisë, kryetari i qeverisë së R.P. Shqipërisë shoku Enver Hoxha në vendimin e këshillit të Ministrave të datës 17.1.1949 vendosi ngritjen e një monumenti kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe.  Më këtë rast Komiteti i Arteve dhe i Kulturës shpalli një konkurs Kombëtar dhe ftoi gjithë krijuesit e vendit tonë për të marrë pjesë dhe kontribuar në këtë aktivitet të rëndësishëm kombëtar.  Morën pjesë atëherë të gjithë ata artistë që ishin dhe që ëndërronin me kohë për një realizim të tillë. Ata e kishin thënë fjalën e tyre edhe më parë, para çlirimit të atdheut, kishin provuar të skiconin dhe të realizonin bocete.  Shpallja e konkursit i mobilizoi atëherë skulptorët tanë O.Paskali, J.Paço, Dh.Çani, Ll.Nikolla, K.Koljaka, piktorin B.Sejdini, në realizimin e skicideve për këtë monument të rëndësishëm.

Ata punuan për dhjetë muaj mbi variantet, deri kur më 27.X.1949 Këshilli i Ministrave  mori vendim duke marrë  parasysh gjykimin e jurisë së monumentit të ngritur me këtë rast dhe të përbërë nga arkitektët, inxhinierë, letrarë e piktorë.
Në vendimin e Këshillit Ministerial, për monumentin e Skënderbeut nr.15 datë 27.X.1949 thuhet: këshilli Ministerial i Republikës Popullore të Shqipërisë, pasi pa se rezultatet e arritura prej konkursit të shpallur prej Komitetit të arteve e të kulturës në mbështetje të vendimit nr.9 atë 17.1.1949 mbi bërjen e monumentit të Skënderbeut megjithë rezultatet e mira të arritura në këtë konkurs, asnjëri nga bocetet nuk ishin të atilla që të paraqitnin me të vërtetë Skënderbenë e legjendave, luftëtar të pamposhtur, udhëheqës, organizator e fitimtar të kaq betejave popullore me qëllim që ta ketë Tirana një monument të tillë:
Vendosi     
  1. të shpallet prej Komitetit të Arteve dhe Kulturës një konkurs tjetër me pjesmarrjen e të gjithë skulptorëve të vendit tonë për të paraqitur bocetin e heroit tonë kombëtar Skënderbe.
  2. Ftohen skulptorët pjesmarrës që të angazhohen thellësis në njohjen mirë të Skënderbeut për të shprehur në skulpturë Heroin e vërtetë si në përmbajtje ashtu edhe në formë, vepër arti për në kryeqytetin e republikës sonë Popullore.
 
Kryetari i Këshillit të ministrave Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
 
Gjithashtu: Këshilli i Ministrave në vendimin Nr.505 datë 27.X.1949 pasi pa vendimin e jurisë për konkursin e monumentit të Skënderbeut, të shpallur me vendimin e vet Nr.3 dt.17.I.1949, në të cilin shprehet se megjithë rezultatet e mira të arrijtura në këtë konkurs, asnjëri nga bocetet nuk është në lartësinë e duhur për të paraqitur Skënderbenë e historisë e të legjendës, luftëtar të pamposhtur, udhëheqës organizator dhe fitimtar të kaq e kaq betejave, dhe se midis konkurseve, boceti i paraqitur nga skulptori Janaq Paço paraqitet më i miri si nga ana e përmbajtjes ashtu edhe nga ana e formës dhe i përshtatshëm për t’u ngritur në qytetin e  Krujës.
 
Vendosi:
Që skulptorit Janaq Paço t’i jepet çmimi i dytë i konkursit të shpallur prej Komiteitt të Arteve  dhe Kulturës në mbështetje të vendimit Nr.9 dt. 17.I.1949 dhe i jepet e drejta e vazhdimit të punimeve për ekzekutimin e veprës për në Krujë.
Kryetar i Këshillit të Ministrave
Gjeneral Kolonel
Enver Hoxha d.v.
 
Skulptorët që konkuruan, bocetet e tyre për arsye organizative të zhvillimit të konkursit, i kishin quajtur dikush “Kështjella” një tjetër “Puna”, “Guri”, “Një nga shokët”, “Silva”, etj.
Ndonëj variant i “Kështjellës” dhe “Silvës” e paraqesin Skënderbeun shtatore në këmbë, “Puna” e paraqiste Skënderbeun duke goditur me shpatë dy armiq, përmes një episodi konkret të ndeshjes së heroit tonë kombëtar. Ky projekt e kishte zgjedhur përgjithësisht mirë lëvizjen dinamike të kalit që hidhej përpara por figura qëndronte statike dhe jo në unitet me hovin që kish marrë kali, aq më shumë kur figura ndeshej me dy armiq. Edhe bazamenti nuk ishte funksional në shërbim të zgjidhjes plastike apo të vendit ku mendohej të ngrihej.
Varianti “Kështjella”, përveç mangësive konpozicionale që kishter pasur në zgjidhjen e figurës së Skënderbeut qoftë në variantin shtatore edhe në ate me kalë, bazamenti dëmtonte figurën, e konkuronte atë, dobësonte lëvizjen e saj. Bazamenti i konceptuar në formën e një kështjelle ngurtësonte figurën dhe i jepte asaj një frymë të rëndë, jo të një prijësi që luftoi gjithmonë në ballë të betejave, i shpejtë si rrufeja, trim dhe i zgjuar, udhëheqës popullor. Vlen të kujtohet se autori i këtij varianti kishte realizuar për konkurs një detal të zmadhuar të kokës së Skënderbeut, punuar me shumë dashuri, një portrtet i vlefshëm që arrinte të zbulonte tipare karakteristike të Skënderbeut.

Ndërsa projektet e skulptorit me pseudonimin “Guri” kishin qenë përgjithësisht të plota dhe variante, me lëvizje dhe të shkathëta, profesionalisht dhe të gjetura drejt por që nuk e rikrijonte dot madhështinë e figurës së Skënderbeut.
Variantet e skulptorit që paraqitej me pseudonimin “Një nga shokët” ranë në sy si skicidera me vlerë artistike, punime të një artisti me dorë të sigurtë që arrin të organizojë me mjeshtëri  gjithë elementet kompozicionale të një monumenti. Por e përgjithshmja e veprës, ndonëse në dimensione të vogla kishte krijuar përshtypjen e një skulpture të ngarkuar si vëllim që nuk i përgjigjej karakterit të heroit.

Kali ishte i plotë dhe pa lëvizje ndërsa heroi mbi të rrokte frëngjitë e kalit, por i kontraktuar dhe i veshur rëndë, jo në natyrën dhe konceptimin që ka populli për udhëheqësin e tij legjendar.  Koka e Skënderbeut ishte pëlqyer shumë për lëvizjen dhe tiparet që merrte. Skulptura në përgjithësi ishte konceptuar si një monument ekuestër-klasik. Në bazament skulptori kishte  projektuar tipa të ndryshëm luftëtarësh të epokës së Skënderbeut e deri në ditët tona me qëndrim vital dhe të patundur, ky mendim ishte pëlqyer dhe inkurajuar.

Sidoqoftë, me gjithë arritjet dhe mobilizimin e krijuesve sikundër del nga sa përshkruam më sipër variantet ishin të ndryshme, pjesërisht të arritura, me ndonjë ndikim, me disa të meta profesionale por me përpjekje të suksesshme në përgjithësi, zgjidhje që të bënin të mendoje, ndryshe nga sa e kanë konceptuar  Skënderbeun qoftë piktorët e shekullit XV e XVI në vizatimet dhe gravurat e tyre, ashtu edhe skulptorë si Romanelli, Augustinçiçi etj., në variantet e paraqitura në konkursin e vitit 1937.
 
Me unanimitet të plotë të jurisë varianti i skulptorit J. Paço u pëlqye më shumë dhe u konsiderua më i miri në konkurs. Ai kishte një zgjidhje të përgjithshme dinamike, i përmbahej më shumë karakterit legjendar të heroit dhe tipareve individuale e botës së brendshme të tij, mbështetej më shumë në kuptimin kombëtar të cilësive të heroit dhe trajtohej përgjithësisht me një gjuhë origjinale. Skulptura shoqërohej nga një bazament monolit, copë shkëmbi që qëndisej anash me një relief plot lëvizje që rrethonte skulpturën e formonte bashkë me të një imazh më të plotë rreth heroit dhe masës, përshkruante drejt tiparet e heroit tonë kombëtar i lidhur ngushtë me popullin e tij, shprehës i aspiratave të tij.
Varianti i J. Paços e paraqiste Skënderbeun me pallë ngritur.

Krahu i djathtë ngrihej lart ndërsa dora e majtë mbërthente frëngjitë. Kali ishte në lëvizje me të dyja këmbët e ngritura ndësa figura e Skënderbeut është pa mantel, mbërthyer në veshjen e tij të metaltë. Ky variant u miratua dhe iu dha e drejta për t’u ngritur në vendin ku qëndronte sot. Vetëm se gjatë gjykimit skulptorit iu bënë edhe disa vërejtje që ai duhej t’i kishte parasysh gjatë procesit të punës. Për detalin e kohës së Skënderbeut të zmadhuar nga autori, pati disa vërejtje, veçanërisht për sa i takon botës së brendshme të heroit që dilte më shumë si një dijetar i lodhur, mendimtar,  se sa një udhëheqës luftarak e i rrufeshëm. Skulptorit iu bënë vërejtje edhe për një konstruksion më të plotë të figurës, për një vendosje më të arritur profesionale në mes figurës dhe kalit, harmonizim më të plotë të lëvizjes së kalit dhe heroit.
Të gjitha këto skulptori i pati parasysh në punën e mëtejshme.

Pas aprovimit të skicidesë skluptoi Janaq Paço filloi nga puna me zell dhe mobilizim të plotë. Nisi armaturën dhe veprën në allçi në dimensionet reale në përputhje me vetë vendin ku do të vendosej skulptura. Studion atëherë e kishte në Rrugën “Konferenca e Labinotit”, pranë bustit të Heroit të Popullit Qemal Stafa, një ndër portretet më të bukura të tij dhe të gjithë skulpturës sonë monumentale, realizuar në një kohë kur skulptori merrej dhe punonte intensivisht mbi monumentin e Skënderbeut.

Gjatë procesit të realizimit të veprës skulptori ka kaluar shumë probleme të rëndësishme në konkretizimin dhe realizimin e çdo detali të saj. Duhej të konceptonte me imtësi dhe të ngjallte të vërtetë Heroin Kombëtar, të modelonte tipin e tij shqiptar dhe ta vinte atë mbi një kalë të gjallë e të shkathët. Skënderbeu duhej të pasqyrohej një luftëtar trim e i zgjuar, udhëheqës i popullit fitimtar që për 25 vjet me radhë luftoi e mundi hordhitë më të egra të kohës. Duhej të vinte në lëvizje kalin e ta harmonizonte atë me të zotin, t’i konceptonte ata në unitet të plotë dhe së bashku të qëndronin në harmoni përjetësisht përpara malit shekullor, të bardhë, të Krujës legjendare. Të gjitha këto probleme skulptori i gjykonte në mendjen e tij, bashkë me kolegët, me njerëzit e thjeshtë që ai takonte e bisedonte.

Takimi në studion e tij me udhëheqësit e Partisë dhe të Pushtetit, veçanërisht me shokun Enver Hoxha dhe shokun Mehmet Shehu në vitin 1953 ka qenë frymëzues dhe inkurajues për të çuar punën përpara. “Shoku Enver, - kujton autori, - më vuri dorën në sup dhe më këshilloi të thellohem në krijimtarinë e popullit, në gojëdhënet dhe folklorin tonë kombëtar, në konceptimin popullor të heroit tonë legjendar, të studioja dhe të njihesha mirë me materialet e shkruara për Skënderbeun, të gjeja dhe të krijoja një figurë të afërt dhe të dashur për njerëzit tanë, trimin kordhëtar, simbolin e lirisë së popullit tonë.

Më këshilloi që për këtë të futem në popull dhe të njihja tipin e shqiptarit, të skicoja dhe të thellohesha në tiparet dhe në fizionominë e njeriut tonë pastaj ato t’i gatuaja në mendje dhe të rikrijoja një Skënderbe me të vërtetë të fortë si shkëmbi që të qëndrojë me dinjitet në Krujën legjendare, që populli ta dojë gjithmonë e ta ndiejë atë pranë. Ardhja e shokut Enver Hoxha më përtëriu forcat, më hapi horizonte, më zgjoi fantazinë dhe më dha energji të reja për tu thelluar në punën time: - tregoi skulptori i merituar Janaq Paço. Dhe artisti ashtu bëri. Studioi më mirë Barletin, Nolin, Naim Frashërin,  Gavril Darën, legjendat dhe këngët popullore për Skënderbeun, materiale gojore që tregoheshin për të  në Krujë e kudo. Qëndroi në Krujë e u takua me pleq e të rinj. Dëgjoi me vëmendje popullin e  dhe hyri në konceptimin popullor të heroit, skiconte dhe vizatonte nga natyra.
 
Fjalët e Naimit për heroin gjithmonë i silleshin nëpër mend autorit: Ai i thoshte ato përmendësh:
...ish burr’ i gjall’ e i gjatë,
E në shpatullat i gjërë
S’ish i ligur e i thatë
Po ish si lulëja në verë.
...kish të gjitha mirësitë
Dhe të tërë urtësinë
Njerëzin’e dituritë,
Dhe fuqin’ e trimërinë.
...kali më fort hingëllinte,
dhe hidhej si vetëtima
asgjësendi s’doj të dinte,
si rrufeja bij me trima;
posi shqipja fluturonte
edhe ngritej drejt përpjet,
nga goja shkumbë lëshonte,
theshnje do pijë retë...
 
Këto vargje të zjarrta të poetit bashkë me gjithë gurrën e pashtershme popullore gatuheshin në mendjen e skulptorit e se linin atë të qetë. Donte ti skaliste këto fjalë në bronx, ti bashkonte e t’i derdhte në trupin e heroit legjendar. Shkoi skulptori në jug e veri, në mes të njerëzvet, pyeste dëgjonte skiconte, fotografonte, mblidhte materiale. Në mendje sa vinte e i qartësohej imazhi i heroit. Në Lumë skulptori gjeti një malësor të gjatë, me trup të lidhur e fytyrë si kreshtat e maleve, i bukur e fisnik, me hundën zhgabë e sy si vetëtima. Ky portret të cilin e modeloi e ndihmoi shumë në punën e tij. Ai sillte të bukura tiparet e të parëve tanë plot jetë dhe gjallëri.
Skulptori i kushtoi një kujdes dhe veshjes së heroit tonë kombëtar. Studjoi gjatë, iu desh të njihte me etnografinë, me kostumet tona popullore me tirqet e Tropojës dhe të Kukësit, të vyeshme për kalorësin legjendar.

Thjeshtësia e të veshurit, shprehje e heroit popullor, të shpejtë dhe të shkathët, i vlente skulptorit për ta parë atë më shumë në lëvizje, për të evidentuar trupin e zhdërvjellët mbi kalë, për të cilin iu desh të bëjë një punë të madhe njohëse. Kali “Ylli”, në mes shumë skicave kuajsh të vizatuara në lëvizje, i vlejti autorit të monumentit. Ai i ngajnte kalit të heroit, plot elegancë dhe linja të qarta plastike, që zbulon hijshëm shpërthimin dinamik të kafshës.

E gjithë kjo punë kërkuese e pasuroi fantazinë krijuese të autorit, i qartësoi skulptorit figurën reale të trimit, konkretizoi deri në detale problemet ideo-artistike.
Me këtë bagazh njohës skulptori thelloi punën. Në vitin 1954, përveç konsultave dhe takimeve, diskutimeve të ndryshme, u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës një mblehdje më e gjerë me pjesmarrës të ndryshëm, shkrimtarë dhe artistë, historianë dhe të ftuar të tjerë… dhe skulptori vazhdoi përsëri punën me zell. “I bëra atëherë – tregon skulptori – tri ndryshime variantit fillestar: I ula dorën e djathtë Skënderbeut, i mbështeta në tokë njërën këmbë të kalit dhe e vesha heroin me pelerinë. Nga një moment vërsuljeje me pallë ngritur e kalë hedhur përpara skulptori e shndërroi në një qëndrim gatishmërie, moment kur heroi është në prag të përleshjes me armikun, i gatshëm me një vitalitet të plotë.

Zgjidhja e re kompozicionale i ka krijuar mundësi të reja skulptorit për të shprehur më mirë psikologjinë, qëndrueshmërinë e patundur, besimin në fitore, sigurinë dhe vëmendjen, urtësinë dhe pjekurinë e Heroit tonë Kombëtar, cilësi të kalitura në luftëra dhe beteja të ashpra. Lëvizja e përmbajtur e heroit mbi kalë, krahët me llërë përveshur, shpata e gatshme të godasë, krahu i majtë që mbërthen trimërisht frëngjinë e kalit që mënjanon me nervozizëm kokën e zbulon gjoksin e gjerë të kryetrimit, fytyra e regjur në luftëra por fisnike dhe e urtë, e mençur dhe legjendare, e bëjnë portretin e Skënderbeut të shihet me interes dhe të zbulohet me gjithë cilësitë e tij. Edhe kali me lëvizjen e tendosjen që ka në dy këmbët e pasme, hapin e hedhur përpara, kontraktimin e natyrshëm dhe plot vrull, shoqëron dhe mban në harmoni të plotë figurën duke krijuar një unitet të plotë jo vetëm me të por edhe me gjithë ambientin përreth. Vendosur në sfond të maleve të thata, të çara nga rrëketë shekullore, me horizont të hapur përpara, monumenti i Skënderbeut qëndron shumë bukur në Krujën e lashtë dhe të re të rilindur dhe të zbukuruar nga arkitekti Sokrat Mosko.

Monumenti i Skënderbeut në Krujë i lartë gjithsej 12 m (6 m skulptura dhe 6 m bazamenti), derdhur në bronz me një peshë rreth 60 kv, pas një pune 10-vjeçare, më 27 nëntor 1959 u inaugurua dhe u zbulua për t’u parë gjithmonë frymëzues, simbol i lirisë dhe i fitores.
 
Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën