Japonia i dha fund aventurës së saj në Botërorin 2026, pasi u eliminua në fazën e 1/16-ve nga Brazili, duke u përmbysur 2-1 me një gol të Gabriel Martinellit në minutat e fundit të takimit.

Pas ndeshjes, trajneri i përfaqësueses japoneze, Hajime Moriyasu, nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si erdhi eliminimi, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të dhimbshme për skuadrën e tij.

“Kjo natë është shumë e dhimbshme për të gjithë ne. Ishim shumë pranë arritjes së diçkaje speciale dhe të humbasësh në minutat e fundit është jashtëzakonisht e vështirë. Megjithatë, jam krenar për secilin prej futbollistëve të mi. Ata dhanë gjithçka për Japoninë”, deklaroi Moriyasu.

Tekniku japonez vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij, duke theksuar se futbollistët treguan kurajo, disiplinë dhe karakter përballë një prej kombëtareve më të mëdha në historinë e futbollit.

“Dhoma e zhveshjes është plot emocione. Ka lot, sepse këta futbollistë e përjetojnë thellë këtë humbje. Ata ëndërronin të shkonin sa më larg në këtë Botëror dhe ta humbasësh atë ëndërr në momentet e fundit është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar”, u shpreh ai.

Në fund, Moriyasu u kërkoi lojtarëve të tij të mos ulin kokën, duke theksuar se një rezultat nuk mund të zbehë atë që skuadra ka arritur në këtë turne.

“Iu thashë të qëndronin me kokën lart. Një rezultat nuk e përkufizon këtë skuadër. Ajo që arritëm në këtë Botëror ka frymëzuar miliona njerëz dhe shpresoj që ta kujtojnë këtë kur dhimbja të fillojë të zbehet”, përfundoi trajneri i Japonisë.


Lajmi kryesor:

Botërori 2026/ Përmbysje me 'zemër në dorë' kundër Japonisë, Brazili kualifikohet në 1/8-t falë Martinelli-t