Jasir Asani është 'xhevahiri' që Sylvinho zbuloi me të mbërritur në janarin e këtij viti në stolin e Kombëtares. 28-vjeçari nga Shkupi ishte ndër lojtarët më rezultativë të fushatës kualifikuese Euro 2024 që me tre supergolat e tij ndihmoi skuadrën për të qenë në finalet e "Gjermani 2024".
Në një rrëfim për RTV Dukagjinin, Asani tregon se me kalimin te Guangju në Korenë e Jugut i humbi shpresat për një ftesë në Kombëtare.
"Kur largohesh për në Kore të Jugut je më larg Kombëtares, mendova se nuk do të më vijë asnjëherë ftesa e Kombëtares, sepse ika nga Evropa dhe është shumë e vështirë. Gjithsesi, puna dhe sakrifica që kam bërë, e meritoja një ftesë që ta tregoja veten time si futbollist, a ia vlen të jem pjesë e Kombëtares apo jo", tregoi 28-vjeçari.
Më pas Asani rrëfeu se nuk mundi të flinte kur mësoi se tanimë e kishte një ftesë për të qenë pjesë e kuqezinjve, paçka se në moshën 28-vjeçare.
"Gjithsesi, kur erdhi ftesa nuk kam fjetur gjumë, s’bëhet fjalë, është një emocion shumë i madh që nuk mund ta përshkruash nëse nuk e vesh këtë fanellë ose ftesa nga Kombëtarja kur e pret", tha Jasiri.