Java e kulturës italiane, ambasadori për Report Tv: 54 aktivitete, e mbyllim me koncertin e Albano Carrisi! Raporti me Shqipërinë i veçantë, kryeministri Draghi së shpejti në Tiranë

TIRANË- Kjo është ‘Java italiane e Kulturës’, ku ambasadori Italian në vendin tonë Fabrizio Bucci ka treguar detaje në Report Tv për të gjitha aktivitetet e planifikuara. Bucci thotë se 54 aktivitete janë pjesë e axhendës, ndërsa një pjesë prej tyre janë zhvilluar, nesër ambasadori iu bën ftesë qytetarëve që të bashkohen në sheshi ‘Italia’ ku do të organizohet një ‘Pizza Village’, me pica falas të gatuara nga kuzhinerët italianë. Përpos këtyre do të zhvillohen edhe aktivitete kulturore, por edhe koncerte muzikore, ku më 7 qershor në parkun e liqenit do të performojë këngëtari e mirënjohur italian Albano Carrisi.

Ambasadori Bucci tha se ishte e rëndësishme që të zhvillohej java italiane e kulturës, për shkak të miqësisë që Shqipëria ka me Italinë. Ai u ndal edhe në marrëdhëniet politike, ku bëri me dije se do të ketë një sërë takimesh të rëndësishme, ku pritet që të vijë për vizitë kryeministri Italian Mario Draghi, por në vijim edhe ministri i Jashtëm Luigi di Maio, ministrja e brendshme Luciana Lamorgese, ministri i kulturës që do nënshkruajë disa marrëveshje, e deri tek kreu i Guardia Di finanzia, i policisë italiane dhe kreu i Karabinierëve.

Intervista e plotë

Ambasador faleminderit për kohën tuaj. Kënaqësi që ju kemi në Studio Live në Report TV.

Faleminderit Juve.

Ka filluar java e kulturës italiane, çfarë mund të themi në lidhje me këtë ngjarje?

Vendosëm ta zhvillojmë javën e kulturës italiane, për të treguar se sa është e pranishme Italia këtu. Kemi raporte speciale mes Italisë dhe Shqipërisë dhe donim që të bënim një javë me aktivitete që të ishte speciale, si nga numri i aktiviteteve që do të jenë, 54, por edhe për cilësinë. Do të bëjmë pak nga të gjitha, koncerte, opera, ishte ballo me maska pak ditë më parë që pati shumë sukses. Do të ketë koncerte të tjera, por edhe aktivitete përkujtuese si ai për Gerardo Bozio babai i Tiranës moderne. Por, do të bëjmë aktivitete edhe më përfshirëse për popullin e thjeshtë. Nesër dhe pasnesër do të organizojmë “Pizza Villgae”, në sheshin Italia. Do të vijnë picierët nga Italia nga Napoli dhe do të bëjnë pica direkt falas për të gjithë ata që do të jenë në shesh. Dhe do e vazhdojmë me koncertin e madh të një këngëtari që është simbol i Italisë Albano Carisi në 7 Qershor te parku te liqeni.

Ambassador ndonjë detaj tjetër në lidhje me këtë javë, kuptova që gama do të jetë e gjerë, gastronomi, koncerte…

Ditë për ditë do të kemi aktivitete, përshembull sot pasdite do të ketë një paraqitje e koshëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave, që do të instalohen në Tiranë. Kemi dashur që të kemi aktivitete që nuk janë vetëm argëtuese, por edhe me sinjale të rëndësishme, si ruajtja e ambjentit. Si e dini, është një kompani italiane shumë e rëndësishme në partneritet me Bashkinë e Tiranës, merret me mbledhjen e mbeturinave dhe sot prezantojmë këtë risi. Por sot do të jetë një koncert i një grupi shumë të njohur në Napoli, “le armi greta”, që do të performojë në tarracën e pallatit të kulturës. Nesër fillon “Pizza Village”, por eventet vijojnë edhe në qytetet e tjera. Nesër përshembull do të jem në Shkodër, ku do të jetë një koncert i këngëtares së njohur italiane, Maria Laj dhe një festivalin kinematografik me Edart Tacin në Shkodër. Nesër do të ketë aktivitet në Vlorë, Gjirokastër kudo.

Përse është e rëndësishme të kemi një javë dedikuar kulturës italiane në Shqipëri?

Është e rëndësishme sepse, roli i Italisë në Shqipëri është unik dhe i veçantë. Ne kemi raport të thellë ndër shekuj, special në çdo sektor, atë politik, ekonomik, në drejtësi në mbështetje të reformës në drejtësi, luftës ndaj korrupsionit, kundër krimit të organizuar. Autoritetet italiane bashkëpunojnë me policinë shqiptare. Mes gjithë këtyre gjërave që bëjmë, një pjesë e rëndësishme i dedikohej kulturës. Prandaj me këtë javë të dedikuar këtyre eventeve, donim të evindentonim rolin e madh që Italia ka në aspekin kulturor. Nga ana tjetër Italia është simbol i të bukurës, i artit, modës, kulinarisë, që në këtë javë duam t’i evindentojmë pak të gjitha.

Ambassador çfarë mund të themi në lidhje me të ardhmen? Ku duhet të kemi më shumë vëmendje në të ardhmen?

E ardhmja është pozitive. Unë jam optimist si natyrë, por duke u bazuar në fakte dhe ato që shikoj janë raporte që vetëm rriten. Falë kalimit të pandemisë për shkak të COVID, shikoj rigjallërim të takimeve në livel të lartë politik. Pak javë më parë erdhi kreu i parlamentit. Javën që vjen në kuadër të javës italiane do të vijë Ministri i Kulturës Dario Franceschini, që jo vetëm do të marr pjesë në 2 aktivitete, por do të firmosë edhe një protokoll për bashkëpunimin kulturor. Por, një ditë më pas do të vijë edhe ministrja e Brendshme, Luciana Lamorgese me kreun e policisë italiane, me kreun e Guardia Di finanzia, dhe kreun e Karabinierëve. Sepse mes shumë përvjetorëve që po festojmë, është edhe 25 vjetori i firmosjes së paktit që rregullon praninë e policisë italiane në Shqipëri. Protokolli i 1997 dhe pas 25 vitesh, jemi ende duke punuar dhe bashkëpunuar me miqtë tanë shqiptar. Presim në Korrik, ministrinë e jashtëm Di Maio, por po punojmë edhe për takimin e forumit për investimet, drejtuar nga zoti Di Maio dhe kryeministri Edi Rama. Gjithashtu kemi parashikuar një tryezë me fokus energjinë, për të folur për energjinë dhe ambientin që janë shumë aktuale në kohët që po flasim. Në fund të vitit do të organizojmë një tryezë pune mes krerëve të policisë italiane dhe atij shqiptar. Por po punojmë edhe për një vizitë të kryeministrit Mario Draghi këtu. Raportet janë intensive dhe përherë më të forta. Shkembimet ekonomike rriten pavarësisht pandemisë numrat janë rritur. Ka shumë italianë që vijnë dhe jetojnë këtu në Shqipëri. Është e bukur pasi pak kohë më parë shumë shqiptar shkonin në Itali, tani shumë italianë vijnë në Shqipëri. Për të kaluar jo vetëm pushimet, por edhe shijuar pensionin.

A kemi shifra në cilat qytete jetojnë ata?

Ky komunitet, po rritet sidomos në bregdet, nga Vlora e duke zbritur në jug, ka një komunitet të vogël që po rritet në Sarandë. Klima është e mirë, qyteti është i mirë, ushqimi, pra jetesa është e mirë, ata ndihen në shtëpi. Për ata të ardhurit në Shqipëri është si të shkojnë në një rajon të Italisë, ndihen në perëndim. Dhe po rritet përditë e më shumë.

Ambassador duke parë këto fakte dhe drejt të ardhmes, përse është e rëndësishme që Shqipëria të jetë pjesë e BE?

Siç thotë zoti Edi Rama kryeministri juaj, Shqipëria është në BE, tani bëhet fjalë për ta vijuar këtë proces që Shqipëri të bëhet pjesë integrale e BE. Shqipëria ka bërë detyrat e saj për të hapur negociatat, dhe Këshilli i ka dhënë aprovimin 2 vite më parë, ne shpresojmë shumë që në korrik të hapen negociatat, dhe të fillojnë. E rëndësishme është të kuptohet jo se Shqipëria është pjesë ose jo e BE, por kur do të jetë. Është një rrugëtim që duhet të fillojë edhe në mënyrë formale. Është e rëndësishme që Shqipëria të jetë pjesë familjes Europiane, sepse është në Europë. Por tani Europa duhet të bëjë shumë për Shqipërinë, mjafton të shikoni fondet e kohezionit, që do të shërbejnë për të rritur nivelin e jetesës së banorëve këtu në Shqipëri. Por, do të rregullojë edhe sistemin e rregullave, ligjeve kur të adoptohen pra edhe në aspektin e drejtësisë, ligjit, administratës, Shqipëria do të jetë një anëtarë i denjë. Por ne nuk duhet ta shikojmë këtë proces me një kah dmth se çfarë Europa mund të bëjë për Shqipërinë por edhe çfarë Shqipëria mund të bëje për Europën. Unë besoj se vendi juaj, kur të bëhet pjesë e BE do të çojë një trashëgiminë me entuziazëm rinor në Europën e plakur, pra entuziazmi juaj rinor do të na rikujtojë se sa e rëndësishme është të jeni së bashku.

M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë