Kjo javë do të rikthejë klubet shqiptare në aktivitet, pasi në program janë Kupat e Europës me Teutën që të mërkurën do të inkuadrohet kundër Sherif Tiraspolit.
Përballja me moldavët është për turin e parë kualifikues të Champions League, ndërsa ndeshja e parë do të luhet në ‘Niko Dovana’ në orën 19:00. E veçanta është se kjo sfidë do të mund të ndiqet edhe nga tifozët durrsak, pasi komiteti i ekspertëve ka vendosur që nga 1 korriku stadiumet të hapen në masën 100%.
Ndërkohë po të mërkurën për Conference League Laçi do të luajë në transfertë kundër Podgoricës, ndërsa të enjten në orën 20:00 Partizani pret Sfintul Gheorghe në Elbasan Arena. Sakaq Vllaznia po të enjten në orën 21:00 luan në transfertë kundër Siroki Brijeg.