20 Prilli shënon fillimin e Javës Evropiane të Vaksinimit, një nismë e vendeve të rajonit Europian e koordinuar nga zyra e OBSH-së për rajonin Europian në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Qendrën Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e cila trajton probleme që lidhen me vaksinimin. Kjo nismë europiane ka filluar në vitin 2005 dhe këtë vit shënon10-vjetorin e saj. Vendi ynë ka marrë pjesë çdo vit në këtë nismë duke organizuar aktivitete të ndryshme në mbështetje të saj. Gjatë kësaj jave, vendet e rajonit bashkohen në slloganin: Parandaloni! Mbroni! Vaksinoni!. Në të gjitha këto shtete zhvillohen aktivitete për të informuar dhe angazhuar personat përgjegjës në sfidat në lidhje me imunizimin.
Në takim e zhvilluar në mjedise e Ministrisë së Shëndetësisë, ishin të pranishëm, Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, Antonella Scolamiero, Përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri, Ledia Lazëri, Përfaqësuese e Zyrës Rajonale të OBSH-së në Tiranë, Arjan Bregu dhe Silva Bino, nga ISHP-ja, si dhe përfaqësues të Programit të Vaksinimit, shërbimit të Pediatrise Infektive, shërbimit të Sëmundjeve Infektive dhe FSDKSH-së.
Duke theksuar se kjo nismë ka për qëllim të sigurojë vaksinimin universal dhe ndërgjegjësimin për të rritur suksesin e programeve të imunizimit duke përfshirë të gjithë individët dhe sidomos ata që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë marrë të gjitha vaksinat e duhura, Ministri Beqaj tha se në vendin tonë, kjo mbulesë është mbi 97% për çdo vaksinë të kalendarit kombëtar në çdo komunitet anekënd territorit të Republikës, këto dy vitet e fundit. Por, shtoi më tej kreu i shëndetësisë, imunizim efikas do të thotë bashkërendim më i mirë i të gjitha strukturave qeveritare dhe jo-qeveritare të sistemit të kujdesit shëndetësor”, duke shprehur besimin se “në këtë përpjekje, është thelbësore aleanca jonë me punonjësit shëndetësorë të mirëinformuar dhe me prindërit”.
Vaksinimi shpëton më shumë jetë se çdo ndërhyrje tjetër në shëndet publik e megjithatë ende gjate viteve te fundit u shfaqën 31 685 raste me Fruth në Europë, një rritje kjo 348 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Kostoja e këtyre shpërthimeve epidemike, si në njerëz ashtu dhe në vlera monetare, është shumë e lartë. Vendi jonë prej disa vitesh ka eliminuar qarkullimin e brendshëm të Fruthit dhe Rubeolës. Po ashtu, në vazhdojmë të mbajmë satusin pa Poliomielit në vendin tonë. Për të ruajtur këto arritje kryhen përpjekje të vazhdueshme në drejtim të sigurimit të një shkalle të lartë mbulese vaksinale të fëmijëve 0-14 vjeç, përreth 97%, evidentimit të çdo rasti të dyshuar në kohë reale nëpërmjet survejancave sindromike dhe laboratorike, si dhe njohjes së situatës në rajon, e më tej, duke patur plane të gatshme të emergjencës, rritjes së vëmendjes për reduktimin në maksimum të fëmijëve të pavaksinuar dhe kombinimit të nismave të ndryshme.
Që nga vitit 2000 jane shtuar 5 vaksina të reja si dhe vaksina të kombinuara, dhe është përmirësuar sistemi i ruajtjes dhe transportit të vaksinave në çdo cep të vendit. Këtë vit, aktivitetet synojnë rritjen e njohurive të punonjësve shëndetësorë dhe përcjelljen e informacionit për prindërit duke përmirësuar mënyrat e komunikimit në lidhje me imunizimin dhe vaksina. Objektivat e këtyre aktiviteteve këtë vit janë:
1. Rritja e njohurive të punonjësve shëndetësorë mbi sëmundjet, vaksinat dhe imunizimin
2. Rritja e njohurive të tyre mbi komunikimin me prindërit rreth sigurisë së vaksinave dhe imunizimit
3. Përcaktimi i një grupi trajnuesish midis punonjësve shëndetësorë në komunikimin mbi sigurinë e vaksinave.
Më poshtë fjala e plotë e Ilir Beqaj
Vaksinimi është një e drejtë themelore e fëmijëve, dhe si e tillë, prindërit kanë përgjegjësinë ta realizojnë atë ndërsa institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor kanë detyrimi t’ua ofrojnë dhe të krijojnë kushtet që ky shërbim të ofrohet kudo dhe të jetë i sigurt, pavarësisht kushteve social-ekonomike dhe venbanimit të tyre.
Vaksinimi universal është një nga pjesët përbërëse themelore të shërbimeve universale shëndetësore, i cili ofrohet duke u mbështetur në parimet e kujdesit universal shëndetësor dhe është një nga shërbimet që kryhet në përmbushje të plotë të këtyre parimeve udhërrëfyese.
Ashtu siç jemi angazhuar në Programin Qeverisës, se do t’u japim qytetarëve mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim dhe akses universal, qëllimi ynë është të ofrojmë shërbime bazë cilësore si vaksinimi i të gjithëve, me qëllim që të mos kemi pabarazi në përhapjen e sëmundjeve infektive.
Së bashku me partnerë të rëndësishëm, si OBSH-ja dhe UNICEF-i, kemi punuar për zhdukjen e sëmundjeve infektive të rrezikshme, si Poliomieliti, Fruthi dhe Difteria.
Të gjitha vendet e rajonit i kushtojnë një rëndësi të veçantë vaksinimit dhe kemi mbulesa të larta vaksinale në popullatën e përgjithshme.
Në vendin tonë, kjo mbulesë është mbi 97% për çdo vaksinë të kalendarit kombëtar në çdo komunitet anekënd territorit të Republikës këto dy vitet e fundit.
Dhe këtu, duhet të falënderojmë për përkushtimin dhe punën e mirë që është bërë në këtë drejtim nga të gjithë drejtuesit paraardhës të ministrisë së shëndetësisë, e punonjësit e sistemit të kujdesit shëndetësor, dhe veçanërisht, 1600 punonjësit e 436 konsultoreve anekënd vendit.
Por ndryshimet ekonomiko-sociale e demografike që kanë ndodhur gjatë këtyre 20 viteve të fundit, e kanë rritur shkallën e rrezikut për importimin dhe përhapjen e sëmundjeve që ne tashmë i kishim eliminuar.
Kështu, rritja e numrit të udhëtimeve dhe shkalla ende e lartë e lëvizjeve migratore përbëjënë rrezik për importimin dhe përhapjen e tyre.
Përveç kësaj, grupe të caktuara të popullatës, si pasojë e zakoneve të veçanta dhe stilit të tyre të jetesës, e shpesh, edhe keq-këshillimit nga personeli shëndetësor mbeten të pavaksinuar apo të vaksinuar jo në mënyrën e duhur, duke mos ju siguruar atyre mbrojtjen e nevojshme.
Prandaj, më duhet të theksoj këtu, se imunizim efikas do të thotë bashkërendim më i mirë i të gjitha strukturave qeveritare dhe jo-qeveritare të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Po ashtu, mendoj se në këtë përpjekje, është thelbësore aleanca jonë me punonjësit shëndetësorë të mirëinformuar dhe me prindërit.
Përpjekjet e bashkërenduara ndërkombëtare të shëndetit publik zhdukën Variolën në të gjitha grupet e popullatës kudo në botë dhe Poliomieliti është në shifrat globale më të ulëta se kurrë.
Mungesa e rasteve me Fruth në Shqipëri është një shembull tjetër i qartë që flet për rëndësinë që ka bashkërendimi i përpjekeve dhe aksioneve të përbashkëta në këtë drejtim.
Por, rishfaqja e tij në vendet e rajonit tonë dhe në botë e vende të zhvilluara duhet të na bëjë të përgjegjshëm që të shtojmë e përshkallëzojmë mënyrat e komunikimit, me qëllim që publiku, prindërit të arrijnë të marrin mesazhet e duhura, duke i vënë fre asaj çka dëgjojnë dhe të pavërtetave nga gjithëfarëlloj sharlantanësh.
Pra, nëse jemi në gjendje të mbajmë në nivele të larta mbulesën vaksinale dhe të sigurojmë një shkallë të lartë bashkërendimi efikas të programit të vaksinimit në të gjitha nivelet, do të jemi në gjendje të parandalojmë shpërthimet epidemike të mëtejshme dhe të sigurojmë vaksinim efikas për këdo.
Aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës Evropiane të Vaksinimit, në këtë 10-Vjetor të saj, do të mundësojnë rritjen e shkallës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për vaksinimin dhe sëmundjet që parandalon ai.
Kjo javë e ndërgjegjësimit do të na shërbejë për të rikujtuar ato çka kemi realizuar deri më tash, por edhe për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë sonë për të ruajtur ato çka kemi arritur, duke bërë më shumë në të ardhmen për të siguruar një mbulesë vaksinale në çdo komunitet të vendit, me shërbime sa më cilësore vaksinimi të standardizuara me personel të kualifikuar e çertifikuar në këtë fushë kaq të rëndësishme si dhe futjen e vaksinave të reja të domosdoshme.
Në vijim, po rendis 10 arsyet se përse prindërit duhet të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke falënderuar çdo punonjës shëndetësor që në çdo cep të vendit përpiqet të ofrojë me përkushtim një shërbim cilësor vaksinimi:
1. Prindërit duan të bëjnë çdo gjë që është e mundur për tu siguruar se fëmijët e tyre janë të shëndetshëm dhe të mbrojtur nga sëmundje që mund të parandalohen. Vaksinimi është mënyra më e mirë për ta bërë atë.
2. Vaksinimi i mbron fëmijët nga sëmundje të rënda të parandalueshme me vaksinë, si dhe nga komplikacionet e tyre, të cilat mund të përfshijnë prerje të ndonjë gjymtyre, paralizë, shurdhim, konvulsione, dëmtime të trurit, deri edhe vdekje.
3. Sëmundjet e parandalueshme me vaksinë të tilla si Fruthi, Shytat dhe Kolla e Mirë, janë ende një kërcënim. Shytat dhe Kolla e Mirë ende qarkullojnë në vendin tonë, ndërsaFruthi qarkullon në vendet fqinje me ne. Këto sëmundje infektojnë shumë lehtë fëmijët duke çuar dhe në shtrimin e tyre në spitale.
4. Edhe pse vaksinimi ka çuar në një rënie dramatike të numrit të rasteve për disa nga sëmundjet ngjitëse në Europë dhe zero raste në vendin tonë, ka nga këto sëmundje që janë mjaft të zakonshme në vende të tjera të botës dhe që janë sjellë në Europë apo vendin tonë nga udhëtarët ndërkombëtarë. Nëse fëmijët nuk janë të vaksinuar, ata mund ta marrin shumë lehtë një nga këto sëmundje nga një udhëtar, ose nëse udhëtojnë ata vetë.
5. Shpërthimet epidemike nga sëmundje të parandalueshme me vaksinim ndodhin atëhere kur shumë prindër vendosin të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre.
6. Vaksinimi është i sigurtë dhe efektiv. Të gjitha vaksinat kalojnë një proçes të gjatë vlerësimi nga shkencëtarë, mjekë dhe autoritete kontrolli, në mënyrë që të garantohet siguria e tyre.
7. Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Organizata të ndryshme si OBSH-ja dhe UNICEF-i mbështesin fuqishëm mbrojtjen e fëmijëve me vaksinat e rekomanduara.
8. Vaksinimi mbron edhe persona të tjerë për të cilët ju tregoni kujdes, duke përfshirë anëtarët e familjes, miqtë dhe gjyshërit.
9. Nëse fëmijët nuk janë të vaksinuar, ata mund të transmetojnë sëmundjen tek fëmijë të tjerë ende të vegjël në moshë për tu vaksinuar, ose në fëmijë që kanë probleme me sistemin imun, të tillë si marrës transplanti apo të sëmurë me kancer. Kjo mund të rezultojë në komplikacione të stërzgjatura madje dhe vdekje për këta persona të pambrojtur.
10. Ne të gjithë jemi të angazhuar në shëndetin e komunitetit tonë për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe fëmijët e njëri-tjetrit duke vaksinuar anëtarët e familjeve tona.
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)