Erion Malaj ishte këtë të hënë në Bruksel, ku nisi Java Parlamentare Europiane 2026 në Parlamentin Europian.
Deputeti i PS-së mori pjesë në sesionin hapës të aktivitetit, që mbledh bashkë parlamentarë nga vendet anëtare të BE-së, vendet kandidate dhe ato vëzhguese, si edhe eurodeputetë. Në fotot e publikuara prej tij, Malaj shfaqet krah Presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola, dhe mes kolegësh nga parlamente të ndryshme të Europës.
“Në sesionin hapës të European Parliamentary Week 2026 në Bruksel, me Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola, mes kolegësh nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare, kandidate dhe vëzhguese, dhe eurodeputetët. Dialog, bashkëpunim dhe vizion i përbashkët për sfidat e Europës”, shkruan ai.
Java Parlamentare Europiane po mbahet më 23-24 shkurt dhe konsiderohet si një nga forumet më të rëndësishme të dialogut mes parlamenteve kombëtare dhe atij europian. Në fokus janë çështjet ekonomike, buxhetore dhe sociale, si edhe diskutimet për stabilitetin financiar dhe koordinimin e politikave në nivel europian.
Komente









