Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është shprehur se janë të gjitha kushtet që Parlamenti t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut dhe ta dorëzojë atë para drejtësisë.

Komentet Qori i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku ngriti edhe disa pyetje ironike në lidhje me situatën e krijuar, ku ende nuk është marrë një vendim për imunitetin e Ballukut.

“Çfarë duhet të bëjë një ministër që të shkarkohet dhe që t’i hiqet imuniteti? Balluku vazhdon të jetë ministre e Infrastrukturës, sepse është e pezulluar nga detyra, jo e shkarkuar. Edi Rama nuk ka bërë as abc-në e përgjegjësisë politike, që në kushtet e një ministreje të akuzuar për korrupsion, të bëjë hapin më normal të mundshëm që është shkarkimi i saj. Balluku sot na thotë Prokuroria, akuzohet për krime, të cilat në rast se vërtetohen, do të shkojë dënimi deri në 35 vite burg. Kam përshtypjen se më shumë se 35 mbetet vetëm dënimi me burgim të përjetshëm.

Pra niveli i krimeve për të cilat jo vetëm dyshohet, por edhe akuzohet zonja Balluku, është aq i rëndë, saqë këtu nevojiten të merren masa si ato që propozon prokuroria. Prokuroria pretendon që Balluku dhe njerëz pranë saj, edhe të fortë, edhe zyrtarë, edhe bandit me kollare, edhe bandit pa kollare, kanë shkuar dhe kanë kërcënuar dëshmitarët. Prandaj përsëris pyetjen, çfarë duhet të bëjë më shumë një ministër për t’ju hequr imuniteti.

A duhet të presim që Balluku të mbushë një thes me para dhe të çajë kufirin natën me mushkë? A duhet të presim që Balluku të marrë një ditë armën dhe të vrasë dëshmitarët apo kundërshtarët e vet politik? Fundja kur u arratis Arben Ahmetaj, pse të mos arratiset edhe Balluku”, tha mes të tjerash Qori.


Lajmi kryesor:

Këshilli i Imunitetit, ‘5 Pyetjet’ zbardh detajet! SPAK: Duam arrest me burg për Ballukun, rrezikon të kryejë veprime të jashtëligjshme me vartësit