Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka miratuar ditën e sotme, pas diskutimeve për më shumë se një orë, të pestë projektligjet e rendit të ditës, ku binin në sy ndryshimet për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe artikujve e teknologjive për përdirim të dyfishtë.

Gjatë fjalës së tij para Komisionit, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, është shprehur se kemi të bëjmë me një realitet të ri sigurie, ku sipas tij rreziqet nuk vijnë vetëm nga armët klasike.

Po ashtu Vengu tha se projektligji që u kalua sot kishte për qëllim harmonizimin me kuadrin ligjor të BE-së dhe forcimin e mekanizmave të sigurisë.

“Kemi të bëjmë me një realitet të ri sigurie, ku kufiri mes paqes, krizës, përdorimit civil të mallrave ushtarake, është bërë gjithmonë e më i paqartë. Lind nevoja që ky rrezik të administrohet dhe parandalohet. Sot rreziqet nuk vijnë vetëm nga armët klasike. Teknologjitë e reja që transferohen në mënyrë të padukshme. Materiale dhe pajisje që transferohen për përdorime të dyfishta. Softuere që transferohen nga një vend te tjetri me një klik, apo pajisje që janë në dukje civile, por që përdoren dhe mund të shndërrohen në mjete survejimi. Mosveprimi ligjor në këto kushte nuk do ishte neutral. Projektligji që propozojmë sot ka tre objektiva themelore.

Projektligji që propozojmë sot kryetar ka 3 objektiva themelore. E para harmonizohen plotësisht me kuadrin rregullator të BE-së. Konkretisht rregulloren 821 të vitit 2021. Forcimin e mekanizmave të kontrollit, vlerësimit dhe rrezikut. Sikundër edhe rritjen e sigurisë juridike, jo vetëm për institucionet ligjzbatuese, por edhe për operatorët ekonomikë të ndryshëm.

E rëndësishme për operatorët ekonomikë, regjimi i licencave ripërtërihet, thjeshtohet dhe forcohet në disa raste. Qartësohen llojet e licencave dhe krijohet një bazë ligjore për licencat e përsëritura. Evidentohen operatorët me rrezik të ulët dhe kemi future edhe licencimet për projekte dhe programe industriale e teknologjike vendase. Kështu mbushim një mungesë ligjore të së kaluarës”, tha mes të tjerash Vengu.

Më poshtë të gjitha projektligjet e miratuara në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes:

1. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1, me shkëmbim të letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri–Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr.12/2024”

2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi - Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr.9/2024”

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 - 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024

4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar

5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”(Depozituar nga deputeti Ilirian Pendavini)