'Jemi të frikësuar, kemi dëgjuar të shtëna', rrëfimet e banorëve që po largohen nga Ukraina

'Jemi të frikësuar, kemi dëgjuar të shtëna', rrëfimet e banorëve që po largohen nga Ukraina

Kur lufta nisi tetë vjet më parë, Natalya, 28 vjeçe, thjesht fshihej në bodrum sa herë që kishte të shtëna dhe bombardime me artileri afër.

“Tani është ndryshe. Tani kam frikë për fëmijët”, tha ajo, duke mbajtur përdore djalin e saj tre vjeç e gjysmë dhe vajzën e saj pesë vjeç e gjysmë, teksa largohej nga qyteti Luhansk – që është nën kontrollin e sepratistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 – për në territorin nën kontrollin e Qeverisë.

“Po ikim përgjithmonë”, shtoi ajo.

Lufta e gjatë e Ukrainës, që zhvillohet në rajonin lindor të Donbasit, mund të jetë në prag të një përshkallëzimi të madh, me mbi 130,000 trupa ruse të pozicionuara pranë kufijve të Ukrainës dhe me tensionet e rritura midis Rusisë dhe Kievit në njërën anë, dhe me Perëndimin në anën tjetër.

Pikëkalimi i rrethuar e me shumë roje në Stanytsya Luhanska ka qenë problematik për t’u kaluar. Për banorët në qytetin e Luhanskut, të kontrolluar nga separatistët, dhe për zonat e kontrolluara nga Qeveria në veri, ka shkaktuar probleme – por, është pikëkalimi që duhet të përdorin qytetarët. Aty ata tregojnë pasaportat dhe lejet e qëndrimit, njëjtë sikurse do të vepronin nëse do të kalonin një kufi ndërkombëtar. Por, tani ndjenja është ndryshe.

Për shkak të intensifikimit të luftimeve dhe rritjes së frikës nga një pushtim i ri rus, por edhe pretendimeve të rreme nga presidenti rus, Vladimir Putin se Qeveria ukrainase po kryen “gjenocid” në Donbas, liderët separatistë në Luhansk dhe Donetsk më 18 shkurt urdhëruan evakuim masiv për në Rusi. Më pas ata njoftuan se kanë urdhëruar mobilizim të përgjithshëm për burrat e moshës 18 deri 45 vjeç dhe ndaluan që ata të largoheshin nga territoret.

Pa dhënë dëshmi, liderët separatistë kanë pretenduar se forcat qeveritare ukrainase shpejt do të nisin një ofensivë të madhe. Kievi ka mohuar se ka plane të tilla dhe zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Moskën dhe separatistët se po planifikojnë të krijojnë një pretekst për një pushtim të ri rus të Ukrainës.

Më 20 shkurt, një fluks i vazhdueshëm i njerëzve kaloi përmes këtij pikëkalimi. Ata nuk i janë përgjigjur thirrjeve për evakuimin dhe kanë vendosur që të qëndrojnë në Ukrainë. Këta persona thanë se po largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të rritjes së dhunës, veçanërisht në qytetin e Luhanskut. Disa thanë se po largohen përgjithmonë.

“Natyrisht që jemi të frikësuar. Të gjithë janë të frikësuar. Askush nuk ka ide se çfarë do të ndodhë”, tha Anya, një llogaritare, që së bashku me djalin e saj 12-vjeçar Danilin dhe Artyomin, gjashtëvjeçar, po prisnin që të takoheshin me familjarët.

“Çfarë do të bënit ju në një situatë të tillë?”, pyeti ajo.

Ajo tha se kalimi në Stanytsya Luhanska gjithmonë ka qenë problem. Kalimi këtu u bë edhe më problematik kur autoritetet vendosën kufizimin që qytetarët mund të kalonin vetëm një herë brenda muajit, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, pasi situata me pandeminë ka qenë më problematike në territoret e kontrolluara nga separatistët.

Pranë pikëkalimit, një sërë dyqanesh shesin gjëra ushqimore e barna. Matanë rrugës ka kontejnerë ku kryhen teste të shpejta për COVID-19.

Anya tha se ajo dhe burri i saj, që është agronom, fillimisht nuk kishin planifikuar që të largoheshin apo evakuoheshin nga banesa e tyre në Luhansk, pasi të dy ende paguheshin për punën e tyre, megjithëse jo shumë. Por, gjithçka ndryshoi më 19 shkurt kur administratat e separatistëve në Luhansk dhe Donetsk ndaluan të gjithë burrat e moshës 18 deri 45 vjeç që të largoheshin dhe një ditë më vonë ata urdhëruan mobilizim të përgjithshëm.

Autoritetet po ashtu kanë urdhëruar që nga 21 shkurti të mbyllen shkollat, por sipas saj, ky vendim nuk ka bërë shumë ndryshim. Shkollat kanë zhvilluar mësimin kryesisht online me qëllim që të parandalohet përhapja e COVID-19.

“Ka qenë e kotë. Fëmijët nuk mësojnë asgjë”.

Prandaj, ata vendosën që të dërgonin djemtë e tyre që të jetonin me gjyshërit në fshatin Bilokurakyne, që gjendet rreth 150 kilometra larg nga territoret e kontrolluara nga Qeveria, tha Anya. Ajo komunikon me ta përmes internetit dhe shpreson që t’i shohë brenda muajit, kur të lejohet që ta kalojë sërish pikëkalimin. “Përveç nëse nuk përfundojmë në ferr total”, tha ajo.

Kur ajo kaloi këtë pikëkalim për të vizituar djemtë e saj, Anya tha se ka pasur dhjetëra shpërthime dhe të shtëna në lagjen e saj. Ajo tha se është e pamundur të thuhet se kush qëndronte pas dhunës. Por, ajo tha se në përgjithësi ajo dhe familja e saj kanë ndierë se e gjithë bota kishte harruar këtë konflikt dhe se njerëzit ende po tentojnë që të jetojnë në këtë zonë.

“Askush nuk na do ne këtu, as Kievi, as Moska”, tha ajo. “Jam e gëzuar që ndoshta në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara, diku po lexojnë për ne”.

Në Stanytsya Luhanska, frika u rrit së fundmi kur granatimet, që zyrtarët ukrainas thonë se erdhën nga separatistët e mbështetur nga Rusia, goditën një çerdhe në këtë qytet. Dy mësues raportohet se janë plagosur lehtë në këtë incident, që ka shkaktuar dëme në muret e shkollës.

Është e paqartë se sa njerëz janë larguar nga pjesët e kontrolluara nga separatistët në Luhansk dhe Donetsk që prej se është dhënë urdhri për evakuim. Liderët e separatistëve janë cituar nga mediat ruse të kenë thënë se dhjetëra-mijëra persona janë larguar, kryesisht për në rajonin fqinj rus, Rostov.

Po ashtu, nuk ka dhëna të sakta se sa persona janë larguar vetë nga Luhansku për në territorin e kontrolluar nga Qeveria ukrainase. Media shtetërore ruse, TASS ka cituar autoritetet separatiste në Luhansk të kenë thënë më 20 shkurt se pothuajse 34,000 persona janë larguar për në Rostov.

“Është brutale, vërtetë brutale”, tha Tanya 27-vjeçare, e cila së bashku me vajzën e saj trevjeçare, po vizitonin prindërit e saj në Stakhanov, një qytet në jugperëndim të Luhanskut, jo fort larg vijës së kontaktit që ndan forcat qeveritare dhe luftëtarët separatistë. “Njerëzit janë plotësisht të frikësuar se çfarë do të ndodhë. Ushtarët janë kudo. Ka të shtëna gjithë kohës”.

Ajo tha se nuk e di se cila palë ishte më përgjegjëse për të shtënat.

“Është panik, panik total”, tha Tetyana, që ka punuar në një fermë aty pranë, para se të pensionohej më 2012. Ajo po evakuohej nga Luhansku së bashku me vajzën dhe nipin e saj tetëvjeçar. Ata ishin nisur drejt Rubizhne, në veri. Për ta, vendimi për t’u larguar erdhi pas ndalimit të burrave të moshës ushtarake për t’u larguar nga vendi dhe urdhrit që ata të rekrutoheshin në forcat e milicisë lokale në Luhansk.

“Kur vendosëm të largoheshim? Kur ata thanë urdhrin që burrat” t’i bashkoheshin forcave, tha ajo.

Natalya, si të gjithë personat e tjerë të intervistuar për këtë artikull, kërkoi që të mos tregonte mbiemrin e saj. Ajo tha se qetësisht ishte fshehur në bodrumin e saj më 2014, kur kishin ndodhur bombardime në Luhansk. Ajo tha se më 21 shkurt pritej që të niste punën e re si shitëse në një dyqan ushqimor, por urdhri që burrat të mos largoheshin nga territori dhe mbyllja e shkollave, ishin arsyet që e shtyn atë që të largohej.

“Fëmijët flenë gjatë natës, pak a shumë. Unë? Jo”, tha ajo.

Novoluhanske, një qytet në vijën e luftës në anën e kontrolluar nga Qeveria, ishte cak i granatimeve të rënda gjatë një vizite të ministrit të Brendshëm të Ukrainës më 19 shkurt. Por, banorët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, thanë se kërcënimi nuk ishte pushtimi i ri nga forcat ruse, por se qyteti po vdiste, nëse veç nuk ka vdekur: njerëzit po ikin dhe shkollat janë pothuajse të gjitha të mbyllura. Ky qytet tashmë ka një të dhjetën e popullsisë së re që kishte disa vjet më parë.

“Pse të largohem? Këtu kam tri banesa. Nëna jeton këtu, gjyshja po ashtu. Përveç kësaj, ku do të shkoja? Kam jetuar këtu gjithë jetën time. Kjo është shtëpia ime. Ky është qyteti im”, tha Serhiy Kraynov, 26 vjeç, teksa djali i tij gjashtëvjeçar, Zhenya luante në një shesh lojërash të rrënuar e të ndryshkur.

Pavarësisht kësaj ai tha: “Po, të shtënat, artileria ditëve të fundit definitivisht kanë qenë serioze. Nuk kisha dëgjuar diçka të tillë për një kohë të gjatë”.

“Ne kishim një qytet të mirë. Ka pasur shumë fëmijë. Të gjitha shtëpitë ishin të mbushura plot. Pas viteve 2014,2015, të gjithë u larguan”, tha Olesiya, një pensioniste 65-vjeçare, e cila që gjashtë muaj po shet bukë në një kioskë, në mënyrë që të plotësojë pensionin e saj mujor prej 106 dollarësh.

E pyetur nëse do të largohej në rast se do të shpërthente një luftë e re, ajo qeshi.

“Dhe, ku do të shkoja? Askujt nuk i duhem. Askujt nuk i duhemi ne që jemi këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, në pikëkalimin Stanytsya Luhanska, Iryna kaloi së bashku me dy fëmijët e saj të moshës shtatë dhe dy vjeç, duke u larguar nga Luhansku për të jetuar me familjarët e saj në Starobilsk, rreth një orë vozitje në veri.

Ajo tha se nuk ka punuar që prej se burri i saj vdiq një vit më parë, nga një sëmundje, që ajo nuk pranoi që të tregonte. Ajo tha se siguronte bukën e gojës me ndihmën e prindërve të bashkëshortit të ndjerë, por edhe tregoi se merr një pagesë nga Qeveria për nënat vetushqyese.

“Disa persona po qëndrojnë. Shumica po largohen”, tha ajo, duke iu referuar familjeve që kanë fëmijët në shkolla. “A ka panik? Nuk do të thosha. Por, tani ka frikë serioze. Nuk ka qenë kështu për vite me radhë”.

E pyetur se a ka dëgjuar shpërthime në qytet gjatë natës, ashtu siç është raportuar, ajo tha me zë të ulët: “Ne po tentojmë se të mos flasim për këto gjëra para fëmijëve”./REL

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen