JERUSALEM - Izraeli thirri sot ambasadorin e tij në Stokholm për bisedime, pas njohjes nga Suedia të shtetit të Palestinës.
"Kjo reflekton irritimin tonë dhe pakënaqësinë para një vendimi të panevojshëm që nuk kontribuon në mundësinë e rikthimit në negociata", deklaroi zëdhënësi i ministrisë izraelitë të Punëve të Jashtme, Emmanuel Nahshon.
"Isaac Bachman, në këtë post që prej vitit 2012, është thirrur për një periudhë të pacaktuar", shtoi zëdhënësi.
Shefja suedeze e diplomacisë, Margot Wallstrom, njoftoi sot se qeveria e saj njeh nëpërmjet një dekreti shtetin e Palestinës, duke u bërë vendi i parë perëndimor i BE-së që merr një vendim të tillë.
Një vendim "i rrezikshëm" ka reaguar menjëherë Izraeli dhe i natyrës për të riforcuar elementet ekstremiste dhe politikën e refuzimit për palestinezët.
"Qeveria suedeze duhet të kuptojë se marrëdhëniet në Lindjen e Mesme janë më të komplikuara se montazhi i mobiljeve "Ikea" dhe se duhet reaguar në këtë fushë me përgjegjësi dhe ndjeshmëri", theksoi ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman, në një komunikatë.
Suedia është vendi i parë anëtar i bashkimit Evropian që njeh shtetin e Palestinës, një iniciativë e përshëndetur nga presidenti palestinez si kurajoz dhe historik, por konsideruar i rrezikshëm nga Izraeli.
Sipas Autoritetit Palestinez, reth 135 vende në botë kanë njohur shtetin e Palestinës, ku shtatë janë anëtarë të Bashkimit Evropian, këto janë Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Rumania, Malta dhe Qiproja./ATSH/