Jeta Deda merr drejtimin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”.Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Deda do të ketë përgjegjësinë për të çuar përpara prioritetet e Sanatoriumit, me fokus forcimin e kapaciteteve spitalore, përmirësimin e menaxhimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për pacientët.

Ajo ka zëvendësuar në këtë detyrë Elisaveta Treskën. Deda largohet nga drejtimi i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, detyrë të cilën e mbante që prej vitit 2023.

"Jeta Deda merr drejtimin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, me përgjegjësinë për të çuar përpara prioritetet e këtij institucioni, në funksion të forcimit të kapaciteteve spitalore, mirëmenaxhimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve. Mirënjohje Elisavetën Treskës për angazhimin dhe kontributin e saj dhe  suksese drejtoreshës së re të përgjithshme Jeta Deda, në detyrën e re!- thuhet në njoftim", shkruan Ministria. 

Jeta Deda që prej nëntorit 2026, mban detyrën e Këshilltares së Jashtme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nga dhjetori 2023 deri në nëntor 2026, ajo ka ushtruar funksionin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH).

Më herët, nga dhjetori 2021 deri në nëntor 2023, Deda ka mbajtur postin e drejtoreshës së përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), detyrë nga e cila u largua në vitin 2023, pasi paraqiti dorëheqjen.