Jeta dhe vepra e shenjtores së
Shqipërisë, Nënë Tereza/ Speciale

Jeta dhe vepra e shenjtores së<br />Shqipërisë, Nënë Tereza/ Speciale
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”.
 
Këto janë fjalët e lajmëtares së ndritur të dashurisë së Zotit Nënë Tereza.
Ajo lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet shqiptarësh i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit.
Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze.
 
Kungimin e parë e mori në moshën pesë vjeç e gjysëm dhe u krezmua në nëntor të vitit 1916.
Me vdekjen e papritur  të babait, kur Anjezja ishte vetëm 8 vjeç, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Në vitet ’20 familja jetoi në Tiranë në një shtëpi me qira duke përballuar jetesën e vështirë me nënën e saj Dranjen dhe motër Agen.
 
Në moshën 18-vjeçare në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirën nënës së saj dhe motrës Age, për të hyrë në Institutin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë.
 
Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929 dhe në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën Santa Maria për vajza dhe më pas u emërua drejtoreshë e shkollës.  Më 24 maj të 1937-s, motër Tereza bëhet "Vashë e Jezusit" për "amshim". Që nga ajo ditë  e tutje u quajt Nënë Tereza.
 
Më 10 dhjetor të 1946-s, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, Nënë Tereza ndjeu "frymëzimin" e ri. Ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime.
Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi me Misionaret e Bamirësisë, që do t'i kushtoheshin  shërbimit ndaj të varfërve.
 
Më 17 gusht të 1948-ës, ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, ku dha mësim 20 vjet rresht. U kthye rishtas në Kalkutë, ku më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve dhe u kujdes për ta.
 
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njohu zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në vitin 1960, Nënë Tereza filloi t'i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. Papa në shkurt të 1965-s, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Pas saj u themeluan shtëpi të tjera  në Romë e në Tanzani e në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza  hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë e Kubën.
 
Gjatë këtyre viteve meritoi shumë çmime  për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979.
 
Në mars të vitit 1997 Nënë Tereza si pati takuar Papën Gjon Pali II, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave.
 
Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë.
 
Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës. 
 
Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003, e diela 29të gjatë vitit kishtar, Dita Misionare Botërore.
Më 17 dhjetor të vitit 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në tru.
 
Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: E diel, më 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan Nënë Tereza shpallet Shenjtore…



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë