Jeta e Martin Camajt

Jeta e Martin Camajt

Martin Camaj

Pas studimit që publikoi Auron Tare, i cili ngjalli shumë debat, Sadik Bejko ka bërë një postim të gjatë lidhur me jetën e shkrimtarit Martin Camaj.

Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ishte i biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ëma, ishte nga Prekali. Martini lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Vendlindja e tij është "… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nisi të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe në matematikë. Kjo gjë do t'i binte në sy ish-pagëzuesit atë David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen - pse jo - për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit "Xaverianum", ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe atë Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t'i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 - mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapidab Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar të jetojë në ilegalitet deri sa ia arriti të ikë në Jugosllavi bashkë me atë Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesi në Pejë (1 korrik - 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-'50) mësues në Tuz në shkollën "Mahmut Lekiq"

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 20 korrik 1955 duke dhënë provim diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas ne atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç, bijë e një akademiku me peshë në Beograd.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç - kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate "Gjuha e Gjon Buzukut". Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale Jugosllave, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të '56s), ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe nga profesorë të vjetër të ish-kolegjit jezuit te Shkodres, nga patër Luigi Rosa dhe patër Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letrësi shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione prej poetit Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në të folmet e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të PEN-klubit me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD ( Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Universitetit Ludëig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/'62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në "Bocconi" të Milanos si asistente në vitin akademik 1961-62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë "München American Elementary School" si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Vitet prej 1965 deri në 1971 qenë vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt - gjuhësi, dialektologji, gramatologji- u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në të folmet arbëreshe në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

Një fyell ndër male: poezi, Prishtinë 1953

Kanga e vërrinit: poezi, Prishtinë 1954

Djella: novelë në prozë e në vjershë, Romë. 1958

Legjenda: poezi, Romë 1964

Lirika mes dy moteve: poezi, Mynih 1967

Rrathë: roman, Mynih 1978

Njeriu më vete e me të tjerë: poezi, Mynih 1978

Shkundullima: prozë, Mynih 1981

Poezi: 1953-1967: poezi, Mynih 1981

Loja mbasdrekës: dramë Mynih, 1981

Kandili argjandit: dramë, Kozencë 1983

Poesie: Palermo, 1985

Karpa: Romë 1987

Selected poetry: Nju Jork, 1990

Dranja: madrigale, Mynih 1991

Palimpset: Nju Jork 1991,

Gedichte, Mynih 1991.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • veli stafa: 22/07/2020 11:44

    Ky shkrim ka disa kontradikta p.sh Martin Camaj nis shkollim me 1935 ne Xaverianum qe nenkupton Kolegjin Saverian ne Shkoder apo jo ? Sa per dijeni te autorit,Kolegji Saverian si dhe te gjitha shkollat e tjera private ne Shqiperi qe financoheshin nga Italija Fashiste,jane mbyllur me 1933 nga reforma arsimore qe ndermori mbreti Zog ne bashkpunim me ministrin e tij te arsimit,prof Mirash Ivanaj.Xaverianum kosiderohej nga mbreti Zog si avanpost i depertimit politiko-ekonomik te Italise Fashiste ne Shqiperi. Se dyti Martin Camaj paska luftuar kunder "partizaneve komuniste" gje e cila nuk eshte aspak e vertete duke qene se PKSH deri me 1948 ka qene parti ilegale.Ne ushtrine Nac.Clirimtare jo vetem qe ka patur me mijra djem te thjeshte nga populli qe nuk e kishin degjuar kurre emrin komunizem por i ishin pergjigjur parulles Pa dallim Feje,Krahine dhe Ideje Per nje Shqiperi te Lire dhe Demokratike por edhe vete nga shume komandante partizane nuk ishin antare te PKSH si Myslim Peza,Mestan Ujaniku,Haxhi Lleshi,Abaz Kupi,Mustafa Gjinishi etj. Autori ne kete shkrim korr por nuk lidh,nuk i ve koke muhabetit. Martin Camaj intelektual,shkrimtar,dijetar,profesor i albanologjise etj OK kjo eshte ana e tij shkencore por ana tjeter qe eshte angazhimi i tij politik me krahun antikomunist dhe profashist nuk eshte trajtuar nga autori.Ky lloj angazhimi politik nuk duhet te jete penalizues ne kuptimin tone dhe per menyren se si i gjykojme ne intelektualet bardhe e zi edhe pse kane jetuar e punuar 100 e me teper vite me pare. Knut Hamsun ka marre cmimin Nobel ne letersi por politikisht ka mbeshtetur nazismin duke qene mik personal i Gebels te cilit i beri dhurate medaljen e Nobelit.Kjo eshte ana tjeter e tij,politike, dhe nuk ka lidhje me aktivitetin e tij letrar.Pavarsisht nga kjo Norvegjia e denoi me burgim nuk e di sa vite qe me vone ja ktheu ne gjobe rreth 65.000 $ me kursin e sotem.Te kishte qene lindur shqiptar sot Hamsun nuk do te kishte as varr.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65- vjeçari