Jeta e panjohur e Santos ngjitet
në teatër, ndërtuar mbi librin e tij

Jeta e panjohur e Santos ngjitet<br />në teatër, ndërtuar mbi librin e tij
TIRANE- “Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9.00 të mëngjesit, më 7 shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur i tillë.”

Janë këto fjalët e shkruara në veprën “Individ” të bankierit të njohur Artan Santo, fjalë që pas vdekjes së tij tragjike kanë nisur të tërheqin më fort vëmendjen e miqve dhe shokëve të tij. Biznesmeni Artan Santo, ish-drejtori i bankës “Credins” ndërroi jetë pas një antetati tragjik në mëngjesin e 26 qershorit 2014 në moshën 54-vjeçare.

Shkrimtari biznesmen ishte shumë i lidhur me botën e artit. Ai ka lënë të shkruar edhe një libër të titulluar “Individi” me rrëfime poetike, ku pëfshihen kujtimet që nga nga adoleshenca me historitë romantike të rinisë, koha e universitetit, që e kaloi mes miqve të tij më të mirë si Ndriçim Xhepa, Agim Bajko, etj. Pikërisht vepra “Individ” e Artan Santos është premiera e re që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit.

Teatër i rrëfimit poetik, e ka quajtur regjisori Armand Bora, shfaqjen që ka ndërtuar mbi veprën “Individ” që Artan Santo e shkroi në vitin 2006. “Kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në një farë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë.

Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje”, thotë Bora. Regjisori, të cilit ideja i ka lindur më herët, thotë se i vjen keq, që nuk gjeti mundësinë për t’a realizuar gjatë kohës që Santo ishte gjallë. Shfaqja, e cila nisi mbrëmë dhe do të vijoj deri të enjten, në sallën “Shekspir” erdhi në formën e një ditari, të ndërprerë herë- herë nga poezi, të cilat janë interpretuar nga aktorët Ndriçim Xhepa,
Suela Konjari e Rozi Kostani.

Në skenarin e regjisorit Armand Bora shfaqja nisi në mënyrë kronologjike me kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës e mësuesit e parë. Më pas vazhdoi me pushimet në qytetin e Durrësit, me kujtimet për Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon më shumë me librin.

Regjisori Bora i ka përzgjedhur ngjarjet në mënyrë të tillë që si proza edhe poezia të shkojnë drejt një uniteti kronologjik kohor, pavarësht renditjes së autorit në vepër. Në kujtimet e Artan Santos një nga momentet më interesante është përshkrimi që bankieri shkrimtar i bën angazhimit të tij në filmin “Guximtarët”, aventura dhe njohja e një pjese të Shqipërisë së panjohur për të, fillimet e para të kontakit me artin dhe letësinë, për të cilin ishte një lloj dashurie me shikim të parë. 

Në shfaqjen që zgjati rreth një orë në Teatrin Metropol vijuan në mënyrë kronologjike dhe kujtimet nga adoleshenca me historitë romantike, universiteti, ku Santo kujtonte miqtë e tij më të mirë Ndriçim Xhepwn, Agim Bajko, Shkëlqim Canin, etj, me të cilin ndante dhe të njëjtin fakultet.

“Më vjen mirë, që në një farë mënyrë gjeta mundësinë për ta realizuar këtë shfaqje, por edhe bashkëpunimi me Ndriçim Xhepën dhe gatishmëria e tij,  për të bashkëpunuar për “Individ” më bën të mos ndihem borxhli”, shton regjisori Bora, duke komentuar më tej se në shfaqjen “Individ” është përpjekur të realizojë zyrën e Santos, sipas tij “vendin nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër”. 
Skenografia është realizuar nga Hysni Loka. I gjithë teatri i rrëfimit poetik do të shoqërohet nga muzikë live e intepretuar në piano dhe projektime imazhesh e fotografish, të cilat kanë të bëjnë me Santon, duke plotësuar sfondin e poezive të tij. “Individ” është një bashkëpunim midis Bankës Credins dhe Teatrit i Metropolit. 
 
Fragmente nga vepra “Individ”
 
Në veprën “Individ” në çdo paragraf Artan Santo gjen rastin për të nënvizuar momentet komike, siç është rasti i prezantimit të tij të parë në punë apo dhe raste të tjera. Vijon me sfidat e tij profesionale në fushën e ekonomisë e sistemit bankar. Në një cikël poezish duket si dashuruar pas muzikës së Çelentanos. Familja,  bashkëshortja dhe dy fëmijët janë prezent. Ja disa fragmente: 

Kopshti…
Reth moshës 3-4 vjeç më kanë çuar në kopësht. Mbaj mend edukatore Buqen, shokët e shoqet e mi të grupit, me disa prej të cilëve kam qenë deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kopshti ka patur edhe një roje plak, emri i të cilit nuk më kujtohet, por e kam ende në sy flokun e tij të bardhë dhe një kapele, kasketë prej cohe. Luanim shpesh me kukulla në një teatër hijesh, futeshim mbrapa një pëlhure të bardhë dhe sajonim ngjarje të ndryshme.

***
Histori më vete, pritja tërë ankth për të na dalë emir në listë se në ç’degë do të studionim. Gjatë viteve të gjimnazit dhe veçanërisht gjatë stazhit, kisha lexuar disa nga librat e mjekësisë, të arkitekturës, madje kisha kryer edhe praktika të ndryshme “stërvitore”. Juridiku më pëlqente gjithashtu. Por më doli ekonomiku.

Në ditën e dytë të fillimit të fakultetit shtrohem në spital, për një ulcer në duoden. Me mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë. Në disa provime, për të cilat s’kuptoja përse duheshin, kam bërë edhe kopje. Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin.

***
Zbori ushtarak pas fakultetit, për rreth 5 muaj në Golem, kokët e qethura, impenjimi im me grupin e pikëtorëve, më bëri që ta kaloja rehat atë periudhë. Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar.

“Ja- i thotë ai –gjithë këto tabela, piktura murale, etj i kanë realizuar ata”. Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonë. Me Borisin dhe Pavllon u përshëndetën si të njohur të vjetër, kurse mua më tha: “Po ty pse s’të mbaj mbaj mend?” shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi e kështu, ia hodha ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij grupi.

Kur shoh fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kur kujtoj revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonim duke perënduar dielli, më krijohet një lëngështim i brendshëm për vitet që s’kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh.

Në 1984-ën, filloj punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Aristotel Pano, më mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfilltë shkencore.

Në atë vit martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja aso kohe me shoqërinë time, se iu thosha: “Dëgjoja fjalën e Partisë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën” dhe unë i mora njërën prej “cucave” të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë.

Në 1985, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura, nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër i butë dhe i ëmbël.
Në 1988, lindi Egi, që më ka çmendur deri në moshën 7 vjeçe me kapriçiot, ulërimat, kërkesat dhe laringitin e tij. Sot është tjetër soj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe.   
santo

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Franca: Anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të shqyrtohet më vonë

Franca: Anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të shqyrtohet më vonë