TIRANE - Ambientet e shkollës teknologjike në kryeqytet, ku janë strehuar një numër i konsiderueshëm jetimësh, ofrojnë një panoramë të trishtë dhe rrënqethëse.

Kamera e A1 Report ishte për të parë nga afër këto ambiente, ku prej kohësh jetojnë rreth 12 familje të jetimëve.

Situata në të cilën jetojnë këto familje, është mjaft e vështirë pasi nuk plotësohen as kushtet më minimale.

Ndërkohë që vetë jetimët pohojnë se prej vitesh gjenden në të tilla kushte, ndërsa ankohen edhe për sjelljen e stafit drejtues të shkollës teknologjike.

"Institucionet shtetërore na kanë lënë në harresë prej kohësh, tashmë kemi humbur çdo shpresë për një jetë më të mirë, godinat ku ne jetojmë nuk janë të përshtatshme për një familje me fëmijë. Drejtuesit e konviktit na trajtojnë më përbuzje dhe mundohen të na heqin qafe duke na transferuar sa në një vend në tjetrin", shprehen vetë jetimët.

Në moshën 14 vjeçare, jetimët largohen nga Shtëpitë e Fëmijëve dhe transferohen nëpër konvikte, ku edhe ndjekin më pas shkollat, kryesisht ato profesionale.

Këtu nis edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të përballuar shumë vështirësi që u dalin, pasi janë pothuajse jashtë vëmendjes së duhur të institucioneve shtetërore.

Shumë prej tyre detyrohen të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa në rrugë informale për të mbijetuar.

Kjo është drama më e madhe e jetës së tyre, pasi askush nuk kujtohet më për ta.
(eb/Shqiptarja.com)