Në këtë shtëpi të rrënuar jetojnë 10 anëtarë të familjes Metani në fshatin Moravë të Dimalit. Në kufijtë e mbijetesës, kryefamiljarja Nadire Metani mbledh kanoçe për të ushqyer fëmijët dhe nipërit.

E takojmë 56-vjeçaren në të dalë të Poshnjes mbi 30 km larg shtëpisë së saj duke mbledhur nëpër kosha. Ajo është e vetmja që punon në familje, ndërsa bashkëshorti është ndarë nga jeta 4 muaj më parë....Nadire Metani ecën  çdo ditë me dhjetëra kilometra, por monedhat që siguron  nuk mjaftojnë as për bukë.

“Mbledh kanaçe e çfarë të gjej. Kjo është e vetmja e ardhur që kam, mund të marr 1000 mijë lek në ditë. Askush s’më ka ndihmuar, s’marr ndihmë nga shteti më thonë s’kemi fonde”, tha ajo.

Nadire Metani është e detyruar të blejë ushqime me listë në dyqane, ndërsa ka hyrë borxh dhe për varrimin e të shoqit.

“Shkoj në dyqane për një bukë dhe s’më japin se është mbushur lista. Me borxhe plot jam, bëra dhe varrimin e burrit, njerëzit duan borxhet që mora për burrin”, tha kryefamiljarja.

Bashkia e Dimalit nuk i ofron ndihmë ekonomike, ndërsa Komisionin Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) i ka hequr pensionin e invaliditetit për djalin që vuan nga epilepsia.

“Kalamajtë flenë në tokë, kur bie shiu, uji hyn brenda. Kërkoj të më ndihmojë shteti, se kam dhe çunin me epilepsi”, u shpreh Metani.

Dikur ka pasur një ngastër tokë që është përmbytur nga prurjet e lumit Osum, ndërsa tashmë s'ka asgjë! Ajo vuan nga diabeti, por shqetësim kryesor janë fëmijët të cilët kërcënohen nga uria.