KURBIN - Një 7-vjeçare e cila jetonte bashkë me familjen e saj në një barakë në fshatin Shullaz të Kurbinit ka gjetur vdekjen nga pneumonia. Vogëlushja Pamela Jahja nuk mundi t’i mbijetojë të ftohtit të acartë të këtij dimri. Ajo ka ndërruar jetë në Pediatrinë e Tiranës 2 javë më parë.
 
Kushtet e vështira të jetesës brenda barakë të shkatërruar ku jetonin pjesëtarët e familjes Jahja, ndikuan që vogëlushja të marrë një ftohje të rëndë e shëndeti i saj të përkeqësohej vazhdimisht.
Në strehën e familjes Jahja tashmë ka pllakosur zija, ndërsa nëna e vajzës, Maria ndodhet në një gjendje tepër të rënduar psikologjike.

Babai i 7-vjeçares: Prokuroria të nisë hetimet, vajzës nuk iu dha mjekimi i duhur në Laç 
Babai i 7-vjeçares së mitur Sadik Jahja mes lotësh në sy tregon ngjarjen, ndërsa hedh dyshime se vajzës së tij nuk i është dhënë mjekimi i duhur në spitalin e Laçit për të cilën thotë ai i ka kërkuar prokurorisë që të nisë hetimet në lidhje me rastin.
 
"Vajza ime është sëmurë me datë 25 janar, kishte temperaturë të lartë dhe probleme me frymëmarrjen. Dukë parë gjendjen e rënduar shëndetësore të vajzës në orën 10:00 e kam dërguar në urgjencën e spitalit të Laçit. Në urgjencën e këtij spitali menjëherë u vendosen sorumin vajzës, por vajza sërish kishte temperaturë të lartë dhe nuk kishte përmirësime. Mjekët e kanë mbajtur për rreth 5 orë në këtë spital, por duke parë që vajza nuk ishte përmirësime dhe vajza u bë më e sëmurë ata e kanë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin pediatrik në Tiranë. E dërgoj ambulanca vajzën në Tiranë dhe ajo ishte në gjendje kritike për jetën. Atje menjëherë i dhanë ndihmën e parë, por vajza nuk ishte përmirësime dhe pas dy ditësh ka gjetur vdekjen. As mjekët në Tiranë nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi, përse vajza gjeti vdekjen. Ato vetëm më dhanë dorën duke më thënë se vajza juaj ka ndërruar jetë. Grafinë e kisha unë në dorë dhe ja dërgova specialistëve për të më kthyer një përgjigje, por asnjë shpjegim nuk kam marrë. Unë jam tepër i bindur që asaj nuk i janë dhënë ilaçet e duhura, se do të kishte shpëtuar. Vajza është sëmurë edhe herë të tjera me ftohje dhe pas mjekimit është bërë mirë. Sapo ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Laçit ajo është bërë më e sëmurë dhe kjo më lënë të dyshoj për vdekjen e sajë. Sepse vajza më ka vdekur brenda dy ditësh duke qenë shëndosh e mirë. Gabimi im ka qenë që ne nuk i kemi bërë autopsinë, pasi atë ditë ishim shumë të mërzitur nga vdekja e saj dhe ne si familje ishim të gjithë të çorientuar. Pas një jave kam shkuar sërish tek spitali i Laçit por dhe në Tiranë për të më dhënë shpjegime, por askush nuk më është përgjigjur mbi shkaqet e vdekjes ët vajzës time. Në këto kushte unë ditën e djeshme i jam drejtuar Prokurorisë së Kurbinit ku kam bërë denoncim për mjekët e Laçit dhe menjëherë organi i akuzës më ka thënë se do të nisë hetimet. Kam dorëzuar të gjithë dokumentacionin dhe kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund”, u shpreh Sadik Jahja.

Sadik Jahja

Sadik Jahja: E paralajmërova këtë fatkeqësi, por askush nuk më ndihmoi me shtëpi 
Sadiku tregon se i ka kërkuar disa herë pushtetit vendor dhe qendror që t’i gjendet një strehim, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë. Sipas tij edhe vajza tjetër e cila është vetëm 3-vjeçe, Ribela vuan nga një ftohje dhe i duhet që të dërgojë për mjekim në spital.
 
“Ku jetojmë unë dhe familja ime prej 8 vitesh nuk jetojnë as bagëtitë. Të gjithë familja jemi të papunë dhe nuk kemi asnjë të ardhur. Vajza është rritur në kushte tepër të vështira dhe nga i ftohti ka marrë dhe pneomoninë. Biles një muaj më parë i kam bërë apel nëpërmjet medias, shtetit që të më ndihmojnë dhe kanë qenë vetë vajza që e ka bërë këtë apel. Unë prej 8 vitesh kamë rendur duke kërkuar një banesë ku të fus kokën, por askush nuk më ka ardhur në ndihmë. Unë këtë tragjedi e kam paralajmëruar, por kjo nuk ka shqetësuar askënd. I bëj thirrje shtetit që të më ndihmojnë dhe të më gjejnë një shtëpi ku të fusim kokën, pasi në këtë banesë nuk jetohet më", tha Sadik Jahja
 
3 pjesëtarët e familjes jetojnë sërish në këtë barakë të shkatërruar, ndërsa edhe pas vdekjes së vajzës askush nuk iu ka ardhur në ndihmë për t’ju gjetur një strehim.

barake
  
Drejtori i Spitalit të Laçit: Jemi të hapur për cdo hetim, e kuruam në kohë 
I kontaktuar nga A1 Report Drejtori i Spitalit të Laçit Gazmir Dërvishi tha se vajza kishte shkuar në Spital në gjendje të rëndë shëndetësore dhe sipas tij i është dhënë ndihma e parë në një kohë shumë të shpejtë e me pas ajo është dërguar në Pediatrinë e QSUT.
 
"Unë jam i njohur me çështjen ne fjalë pasi para dy ditësh ka ardhur dhe më ka shprehur këtë shqetësim babai i vajzës dhe unë menjëherë kam marrë kontakte me mjekun që ka mjekuar vajzën. Ai më ka bërë të ditur se vajza ka ardhur në gjendje të rëndë shëndëtsore dhe menjëherë i është dhënë ndihma e parë, por nuk ka pasur përmirësime dhe është dërguar me urgjencë drejt Tiranës. Përsa i përket pretendimeve të ngritura nga familja e 7-vjeçares jemi të gatshëm për çdo lloj hetimi në lidhje me rastin në fjalë" tha Gazmir Dërvishi Drejtor i Spitali të Laçit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)