Xhuana Nikolli ishte në kulmin e rinisë kur vendosi t’i japë fund jetës me 10 mars duke konsumuar fostoksinë. Përcjellja e 25 vjeçares në banesën e fundit një ditë më parë ka shkaktuar një dhimbje të pamatshme për të afërmit dhe miqtë e saj, të cilët gjejnë ngushëllim duke shprehur dhimbjen e tyre në fjalë.
Xhaxha i Xhuanës, Vasil Nikolla, derdh të gjithë dashurinë për mbesën e tij dhe dhimbjen për humbjen e së saj në një postim të ndjerë në Facebook.
“Sot të nisem në banesën e fundit, moj mbesa ime e dashur Xhuana Nikolla. Jetove veç 25 vjet, moj e bukura e axhës, dhe na shkaktove plagë të thella, moj vajzë. Mamasë tënde, babait tënd që është djali i axhës tim, tre motrave të tua, gjithë axhallarëve, kushërinjve dhe gjithë të afërmve. Të gjithë ndihemi të tronditur. Kur vija te shtëpia jote në Shëngjin, ti gëzoheshe dhe vije më përqafoje duke më thënë: ‘Axhe, hajde më shpesh se të dua fort’. Krishti të pastë në parajsë, moj e bukura e axhës… nuk jam në gjendje të shkruaj bukur, por janë fjalët e axhës tënd që dalin direkt nga zemra. Do të na marrë shumë malli për ty, me atë buzëqeshjen tënde aq të bukur dhe të ëmbël”, shkruan ai.
25 vjeçarja ishte martuar verën e 2025-ës dhe muajt e fundit dyshohet të ketë përjetuar dhunë nga bashkëshorti Eraldo Fizi , i cili tashmë është shpallur në kërkim për “dhunë në familje” dhe “shkaktim të vetëvrasjes”.
Sipas policisë, dyshohet se dhuna e ushtruar ndaj të resë mund të ketë qenë një nga arsyet që e çoi drejt aktit fatal.
Persona që pretendojnë se e njihnin situatën kanë treguar se mes çiftit kishte pasur episode të përsëritura dhune. Sipas tyre, pas ndarjes Xhuana u largua nga Lezha drejt Tiranës, por ish bashkëshorti dyshohet se e kishte ndjekur edhe atje.
Në një letër të shkruar para kryerjes së aktit fatal, 25-vjeçarja u shkruante prindërve, duke thënë se nuk donte që njerëzit që e kishin lënduar të vazhdonin t’i bënin keq asaj. Përveç kësaj, e reja u kërkonte falje nënës dhe babait.
Ndërkohë, edhe ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar shenja të rënda dhune në trupin e saj, kryesisht në kokë, në fytyrë dhe në njërin krah.
Pas vdekjes tragjike familja dhe të afërmit e kujtojnë si një vajzë të qeshur dhe të dashur. Në mesazhin e tij, xhaxhai shkruan se do t’i mungojë përgjithmonë përqafimi dhe buzëqeshja e saj.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente





