PRISHTINË - Ministri për Komunitet dhe Kthim, Dalibor Jevtic, vlerëson se incidenti i fundit i ndodhur mbrëmë, ku është gjuajtur me gurë shtëpia e familjes së kthyer Konic në Klinë, si dhe dy incidentet e fundit në Mitrovicën veriore, janë një vazhdim i situatës së rrezikshme, e cila mund të ketë pasoja të këqija për bashkëjetesën në Kosovë si dhe në procesin e kthimit të qëndrueshëm. Në një komunikatë për media nga Ministria për Komunitet dhe Kthim, thuhet se "vazhdimi i incidenteve edhe pas porosive për qetësimin e situatës që kam dërguar këto ditë, nuk po kontribuojnë në zgjidhjen e situatës së tensionuar në këto momente. Si ministër për komunitete dhe kthim, nga përgjegjësia morale dhe përgjegjësia e pozitës që kam, çdo herë kam apeluar që të ndërmerren masat e nevojshme që mos të vije deri tek incidentet, si dhe ato të parandalohen me kohë. Megjithatë, situata në të cilën gjendemi aspak nuk është inkurajuese. Prandaj edhe këtë moment apeloj tek të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa dhe të parandalojnë gjendjen momentale. Apeloj edhe tek të gjithë ata që shkaktojnë këto incidente që mos të përsërisin gjëra të tilla, sepse në këtë mënyrë nuk ndërtohen vlerat evropiane për të cilat jemi duke u përpjekur shumica nga ne. Themelet e shoqërisë evropiane për tolerancën dhe respektimin e dallimeve janë duke u minuar", citohet të ketë thënë Jevtic./ATSH/