“Jo drejtësi turmash dhe as ligje aksioni!”

“Jo drejtësi turmash dhe as ligje aksioni!”

Jordan Daci

Drejtësia sipas Ulpian-it, juristit të shquar Romak me origjina nga trojet e Dardanisë është “është dëshira e pandryshueshme dhe e përjetshme, për t’i dhënë  gjithsecilit atë që i takon! Ulpiani”.

Edhe sot drejtësia mbetet vetëm një përpjekje për të dhënë drejtësi, pasi drejtësia njerëzore nuk mund të jetë kurrë e pagabueshme. Për këtë qëllim, që drejtësia të jetë sa më pak e gabueshme, njerëzimi ka shpikur dhe zbaton edhe parime të tjera si humanizmi, rishoqërizimi rehabilitimi etj.

Në thelb, mëshira dhe përkrahja që shoqëria i bën një autori të një vepre penale pavarësisht sa e rëndë është ajo, lidhet pikërisht me logjikën që çdo qenie njerëzore në rrethana dhe në momente të caktuara mund të bëjë një krim dhe këtu përfshihen edhe ato puritanët e facebookut apo edhe politikanët e kulluar tonët që japin leksioni sesi duhej të veprohej me autorin e masakrës më të fundit. Nga ana tjetër, kjo mëshirë dhe tolerancë e shoqërisë ndaj një individi, lidhet edhe me faktin që në këtë mënyrë edhe anëtarët që kanë dhënë mëshirë mund të përfitojnë mëshirë nga të tjerët kur ato vetë të kryejnë vepra penale.

Ndërkohë, që drejtësia të jetë sa më e pastër dhe sa më afër të vërtetës, njerëzimi ka shpikur ligjet të cilat janë në thelb rregulla sjelljet të përgjithshme për të cilat shoqëria në tërësi dhe çdo anëtar i saj, janë shprehur dakord, përpara sesa ato të jenë vetë subjektë të këtij ligji.

Që ligji, të jetë vërtet ligj dhe i drejtë, ai duhet të mishërojë dhe mbrojë vetëm interesin publik dhe asnjë interes tjetër të një grupi të caktuar, klasës qeverisëse apo aq më keq sikurse në rastin e vendit tonë, kur ligji në disa raste ka marr edhe emrin e një individi konkret gjë e cila edhe në Republikën Popullore Socialistë të Shqipëisë ishte një gjë e papranueshme dhe zero e tolerueshme. Po ashtu, që ligji të jetë sa më i drejtë, ai duhet të reflektojë mendimin mbizotërues të shoqërisë të marrë si shembull jo në një ditë, as edhe në një vit apo aq me keq i lidhur me një apo disa ngjarje, pavarësisht sa të rënda jenë ato.

Ai duhet që të jetë rezultat i vëzhgimeve dhe vlerësimeve të vazhdueshme nga juristët, sociologët dhe gjithë fushat e tjera të shkencës që rregullon. E thënë me fjalë të tjera, ligji në një far mënyrë është dhe duhet të në thelb konsevator, që lejon të pasqyrojë interesin e shoqërisë i cili konsolidohet në kohë të gjata dhe nuk mundet në asnjë rast të jetë pasqyrim i emocioneve apo i mendimit të turmave. Pasi në këtë rast ligji rrezikon të hummasë moralin dhe “ligjet pa morale sipas Romakëve janë ligje të kota”.  

E bëra këtë hyrje për të dhënë një përmbledhje të shkurtër të bazës mbi të cilat duhet dhe duhej të zhvillohej diskutimi publik mbi tragjedinë e ditëve të fundit ku për fat të keq humben jetën 8 njerëz nga të cilët dy të mitur.

Vendosa të shkruaj këtë artikull, nisur nga diskutimi në facebook, që populli ynë e ka me shumë qejf të madh në të cilën u përfshinë gjithëçfarëlloj njerëzish madje edhe juristë, por edhe plotë pseudojuristë që më kujtuan skenën e filmit “Liria a vdekje”, ku jeniçerët modern osmanë, kërkonin kurban dhe vranë mësuesin, pas një disa ritualesh thuajse kanibaliste.

Ashtu, edhe turma e opinionit publik ku për fatin e keq bënin pjesë, politikanë, juristë etj, më ngjanin me një lukoni ujqërisht që mezi presnin të bënin kurbanin e radhës dhe që në thelb shfaqnin më shumë egërsi dhe “çmenduri” sesa vetë autori i masakrës. Në fakt, kjo shfaqje tregon qartazi dhunën që karakterizon shoqërinë tonë dhe problemet e rënda nga të cilat ajo po vuan. Në të njëjtën kohë, është një paralajmërim që ngjarje të tjera si kjo dhe largqoftë edhe më të rënda do të ndodhin prap dhe prap.

Në fakt, me shumë keqardhje, lexova vetëm pak mendime të arsyeshme dhe të drejta mbi shkaqet e ngjarjes dhe mënyrën e qasjes ndaj këtyre fenomeneve, pasi shumica midis të cilëve edhe juristë dhe ligjvënës e shikonin zgjidhjen tek “dënimi me vdekje”, ashpërsimi i dënimeve në Kodin Penal dhe gjithëçfarëlloj masash të tjera të papara dhe të padëgjuara në një vend demokratik.

Përsëri edhe kjo gjë nuk më çudit, pasi për fatin e keq, opinioni publik në vendin tonë është tërësisht i manipuluar dhe i keqorientuar në kuadër të “programit kombëtar” të trushpërlarjes ditore, të çkombëtarizimit dhe të çshqiparizimit të vazhdueshëm dhe e gjitha kjo me qëllimin e vetëm për të siguruar kontrollin social ndaj masave dhe për të mbretëruar të qetë.

Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëvuajtës të kësaj situatë të pashoq dhe që nuk e meritojmë, ligjet diskutohen, hartohen dhe zbatohen nga juristët, sikurse edhe çdo gjë tjetër sipas specialiteteve. Megjithatë, e theksojë nga juristët dhe jo petritët e partisë dhe as nga juristët e pesave apo ato që i ka bërë mami ose babi juristë.

Ndryshimi i ligjeve dhe aq më pak i Kodit Penal, duhet bërë mbi bazën e studimeve të mirëfillta shkencore relativisht të gjata dhe duhet të paraprihet nga diskutime gjithëpërfshirësë nga të gjithë grupet e interesit duke përfshirë publikun në tërësi. Ndryshimi i tyrë nuk bëhet vetëm për autorin e masakrës së radhës, por edhe për ju, nëse ju do të jeni një ditë vetë autor. Ato duhet të jenë humane dhe të respektojnë parimet që bota e qytetëruar zbaton me qëllim që drejtësia të jetë sa më pak e gabueshme.

Prandaj, ashpërsimi i dënimit për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” është gjëja më e gabuar që mund të bëhet dhe madje edhe formulimi aktual pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese duhet të rishikohet pasi idiotësija profesionale e ndryshimeve që shfuqizoi Gjykata Kushtetuese, ende reflekton në përmbajtjen e nenit 278 të Kodit Penal.

Duhet theksuar që asnjë vend të botës, ku janë kryer studime të gjata dhe shumë profesionale, kriminaliteti nuk bie nëse ashpërsohen dënimet për armëmbajtjen pa leje apo edhe për vetë krimet e tjera. Në fakt, “dashuria” e shqiptarit për “pushkën” është e trashëguar prej shekujsh dhe është shumë e vështirë të zhbëhet me aksione alla facebookse dhe drejtësia alla Plepash. Çfarë doni, të fusim gjysmën e popullit në burg dhe pastaj gjysma tjetër jashtë të ruaj me bukë gjysmën tjetër Brenda?!

Nga ana tjetër, të mendosh që mund të mbledhësh të gjithë armët është jorealiste, aq më pak për një shtet si ynë që nuk di as sa njerëz ka dhe jo më të mbledhë armët ekzistuese dhe të moslejojë futjen e të tjerave. Madje zgjidhja nuk mendoj që është farë mbledhja, por legalizimi i tyre nëpërmjet regjistrimit dhe marrjes së gjurmëve balistike të tyre dhe se mbledhja duhet të kufizohet vetëm në armët e kalibrit të rëndë, lëndëve plasëse etj. A i bën njeri pyetjes si do ishte bilanci i viktimave nëse një apo disa nga viktimat do të kishte armë në brez? Me siguri do të kishim më pak viktima pasi sulmuesi mund të neutralizohej.  

Tek e fundit në Shqipëri nuk kanë dhe nuk mbajnë armë vetëm qytetarët shembullor pasi çdo kriminel i këtij vendi e ka një të tillë dhe bredh lirshëm rrugëve. Atëherë, a nuk do të ishte mirë që edhe të tjerët të kishin armë me qëllim që ky krimineli të mendohej dy herë para se ta përdorte armën e vetë?! Sigurisht, kjo nuk është domosdoshmërisht zgjidhja, por qasja ndaj këtyre problemeve duhet t’ju lihet në dorë profesionistëve të fushës të cilët mundësojnë edhe zgjidhjet e duhura. Megjithatë, shumë pak u morën me shkaqet dhe me shumë me fenomenin.

Për të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera që s’mund t’i zinte vendi në këtë artikull, zgjidhja e këtyre problemeve të rënda dhe shumë problemeve të tjera edhe më të rënda që siç thotë populli “i kemi tek dera”, por si shohim, duhet të vijë së pari nëpërmjet ndarjes së punës sipas specialiteteve, rritjes së kontrollit dhe llogaridhënies ndaj ligjvënësit, ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe mbi të gjitha nëpërmjet arsimimit dhe programe sociale të hartuara dhe të zbatuara nga specialistët dhe jo me aksione politike dhe turmash. Boll me eksperimente! A nuk jemi kenaqur këto tri dekada ku vazhdojmë të jemi në tranzicion?! 

A ka ardhur koha që ligji të jetë ligj dhe ligjvënësi të jetë ligjvënës dhe jo bandit?! A ka ardhur koha që gjykatësi të jap drejtësi dhe jo të bëjë Pazar? A ka ardhur koha që secili të marrë atë që meriton?! A pra të dashur, të gjitha këto zgjidhje fillojnë e mbarojnë me zgjedhjet që bëjmë ne si qytetarë dhe përgjegjësitë që marrim apo nuk marrim ne.

Për ta mbyllur për ato që presin përgjigje për ngjarjen e rëndë, sigurisht autori do të marrë drejtësinë e merituar e cila në asnjë rast nuk është vdekja, por këtë do ta bëjë gjykata dhe jo turma, pasi kjo turma që po bën “gjyq” sot atë, mos harroni mund t’ju bëjë edhe ju neser dhe nuk besoj që do të pajtoheshit me këtë gjë.

Me shumë përulje për bashkëvuajtësit e mi, shqiptarët e ndershëm që nuk meritojnë të jetojnë në një Shqipëri si kjo e tanishmja!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 12/08/2018 17:00

    Bravo Jordan. Per mendimin tim nje njeri normal nuk mund te beje nje kasaphane te tille. Me sa lexova diku vrasesi kishte filluar te kishte probleme mendore pas nje djegje të madhe në trup nga zjarri.Në këto raste organizmi humbet disa aminoacide të rendësishme për sistemin nervor që duhen zëvëndësuar më pas.Kjo shoqërohet edhe traumë. Aspekti i dytë ketu eshte uni i njeriut, shpesh shume Shqiptare nuk e pranojnë dhe e refuzojnë dikë që ju prek apo ju ul unin e tyre. Kjo ndodh më shpesh tek ata që kan një Un bosh pra që skan Un fare dhe mbahen në këmbë me disa rregulla apo norma qe kanë vendosur vetë ata. Po e sulmove edhe këtu ata të godasin se nuk ju mbetet me asgjë. Si ky lloj tipi dhe karakteri ka shumë në Shqipëri. Me kete nuk dua te justifikoj vrasesin apo xhestin. Ai dhe shumë si ai në momentin që paraqesin rrezikshmëri në shoqëri duhen izoluar për të ruajtur pjesën tjetër të shoqërisë. Une mendoj se të dënuarit në përgjithsi duhet të punojnë edhe në burg për tu ushqyer, ska pse ti ushqej shoqeria.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë