Jo Këshill, por këshilla për UP-në

Jo Këshill, por këshilla për UP-në
Universiteti i Prishtinës ka rënë përtokë. Sot, 13 vjet pas luftës, në vend se të ishte Universitet krejt i konsoliduar UP është institucioni publik në Kosovë për të cilin përfilitet për korrupsion e dallavera nga më të ndryshmet. Është UP disa profesorë të të cilit në muajin tetor morën paga deri në 8 mijë euro duke angazhuar veten në komisione të ndryshme punuese brenda tij. Universiteti i Pirshtinës është ai Universitet ku studentët ashiqare regjistrohen jashtë afateve, jo disa, por me qindra. Është ky Universiteti të cilit i plasin skandale me diploma të shitura siç ishte rasti i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, ku u konstatua se përgjatë disa viteve janë shitur e blerë me dhjetëra diploma.

Është Universiteti i Prishtinës ku për të qenë pjesë e stafit akademik ose punonjës i tij duhet ta kesh të afërm Rektorin. Është UP me sloganin “Jashtë politika nga Universiteti!” që për rektor ka Mujë Rugovën e PDK-së. Për më tepër, është Universiteti i Prishtinës që ka një organ të sipërvendosur mbi Senatin e tij, Këshillin Drejtues të tij me 9 vetë që kanë lidhje me pushtetin dhe PDK-në. 

Universiteti i Prishtinës që të gjithë e njohim si universitet i rezistencës shqiptare në Kosovë, sot nuk është as kritik ndaj pushtetit i cili e ka degjeneruar në këtë shkallë. Për më shumë, është mjet i disciplinimit në dorën e pushtetit. Pikërisht, universiteti i cili ka sot shumicën e studentëve të Kosovës. Juristët, ekonomistët, gjuhëtarët, politikanët, socilogët, filozofët, historianët, inxhinierët, doktorët etj. që do të dalin nga Universieti i Prishtinës në shërbim të shoqërisë sonë, por sa kompetentë, e me çfarë disciplinimi do të jenë ata? Shumica e profesionistëve të Kosovës prodhohen nga UP-ja, prandaj është kaq i rëndësishëm ky universitet. Por, asgjë nuk ndodh në të, as edhe një lëvizje bash për asgjë.

Më duhet ta them troç. Çdo fushë, çdo vend i punës, secila pjesë e universitetit kontrollohet. Kontrolli është bërë kaq i lehtë sepse mekanizmi i ushtruar mbi UP-në është pasuruar me një mjet interesant – Këshillin Drejtues të UP-së. Ky këshill i është sipërvendosur Senatit të UP-së dhe i ka të gjitha kompetencat vendimmarrëse mbi UP-në. Kështu, kontrolli mbi UP-në është bërë fare i lehtë në krahasim me kontrollin e Senatit ku do të duhej të korruptoheshin me dhjetëra njerëz e të mbaheshin vazhdimisht nën vëzhgim.


Çka është Këshilli Drejtues i UP-së?

Këshilli Drejtues është organ i përbërë nga 9 anëtarë, 4 nga të cilët dërgohen nga Ministria e Arsimit, ndërkaq 5 të tjerë nga Senati i UP-së. Por a e dini çka ka ndodhur? 4 të Ministrisë janë njerëz të pushtetit po se po, por edhe 5 nga Senati dolën të kenë secili lidhje me PDK-në dhe pushtetin aktual. Këtë na e vërtetuan më së miri kur rektor e zgjodhën Mujë Rugovën, funksionarin e PDK-së. Fakti që kriter për tu avansuar në UP nëpër grada të profesorëve dhe për tu ngritur në detyrë lidhet me atë se a ke të afërm të pushtetit siç duket ka dhënë rezultatet e tij.

Dikur, Universiteti i Prishtinës e ka pasur Senatin e tij dhe autonominë e zgjeruar në Këshillet e Fakulteteteve, atëkohë (1974-1981), me keqardhje më duhet të konstatoj, nën pushtuesin Jugosllav, Universiteti i Prishtinës ishte tamam universitet. Kishte institute e laboratore, botoheshin revista shkencore, bëheshin bashkëpunime me universitetet e rajonit e të botës, u shkolluan kuadro që i shërbyen shoqërisë sonë për dekada dhe më kryesorja: asnjëherë s’është heshtur përballë padrejtësive, kurse sot, ska hapësirë të mjaftueshme, laboratoret janë përplot me enë të vjetra kuzhine, ska asnjë punim shkencor, asnjë botim serioz, as edhe një ndërmarrje e vetme për ta bërë ndonjë nga këto. Sot, Universiteti i Prishtinës është mbushur me studentë që janë edhe të papunë. Për të qenë punëtor i tij duhet të kesh të afërm në pushtet. Për të studiuar përballesh me radhë të gjata të pritjes, mungesë të literaturës, mungesë të sallave, shpesh mungesë të profesorit. Krejt këto ndodhin sepse sot gjithçka kontrollohet nga pushteti, përmes Këshillit Drejtues dhe Rektorit të UP-së. Është ngulfatur liria akademike nga njerëz të paditur dhe po mbytet përditë shkenca e dija. Kriter sot është afërsia me pushtetin dhe jo aftësia dhe dija. Prandaj UP nuk është më Universiteti i vitit 1997 kur studentët bashkë me rektorin e tyre protestonin kundër Serbisë. Sot rektori angazhon veten në punë e merr pagë 5 mijë euro për një muaj ndërkaq studenti sillet kafeneve pa mundur të studiojë, se nuk gjen literaturë, profesori i vonohet ose nuk i vjen fare sepse është angazhuar në 4-5 kolegje private, apo se nuk ka vend në sallë!


Universitetit të Prishtinës nuk i duhet Këshill, por një sërë këshillash, nga ata që dikur punonin në UP-në e dijes e të shkencës, nga të rinjtë që kanë studiuar jashtë vendit dhe që i dinë praktikat më të mira ndërkombëtare. Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës duhet të hiqet si organ që merr vendime e që harton politika, eventualisht të mbetet monitorues dhe këshilldhënës. Duhet të zgjerohet autonomia e Universitetit të Prishtinës dhe të rritet buxheti për të.

Shembull nga rajoni

Ja edhe një shembull si organizohen universitetet në rajon. Universiteti i Zagrebit ka një praktikë të mirë në ndarjen e detyrave. Senati,natyrisht si gjithkund tjetër, është organi më i lartë vendimmarrës që harton politikat universitare dhe administron financat, që zgjedh rektorin dhe e kontrollon atë, që përbëhet nga profesorë e studentë të tij që interesohen për universitetin e tyre. Ata e kanë Këshillin e Universitetit që përbëhet nga përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, madje i ka edhe dy deputetë, por ama detyra e tij është vetëm monitorimi i universitetit dhe jom vendimmarrja për të.

Këshilli Drejtues i UP-së nuk i ka sjellë asnjë të mirë UP-së. Ai është i tepërt dhe i padrejtë. Është përfaqësues i interesave të pushtetit dhe jo të shoqërisë. Prandaj duhet të hiqet. Është vërtetuar se ky Këshill është i manipulueshëm dhe nuk përfaqëson interesat e shoqërisë por të klaneve dhe pushtetit. Universiteti i Prishtinës, sot më shumë se kurrë ka nevojë të çlirohet. Kosova, sot më shumë se kurrë më parë ka nevojë që universiteti kryesor i saj të jetë i lirë e të prodhojë dije dhe ekspertë, përndryshe e ardhmja e saj nuk po ndritet, ajo vazhdimisht po errësohet.

Universitet publik për studentët, shoqërinë, popullin!

Universitetit të Prishtinës s’i duhet Këshill i ri, por këshilla të reja.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje