Jo vetëm Shqipëria/ The Guardian dhe Associated Press: I gjithë Ballkani kritika BE-së për vaksinimin, na ndihmoni ose kthejmë sytë nga Rusia dhe Kina

Jo vetëm Shqipëria/ The Guardian dhe Associated Press: I gjithë Ballkani kritika BE-së për vaksinimin, na ndihmoni ose kthejmë sytë nga Rusia dhe Kina

Foto ilustruese

Një ditë më parë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se bota është në prag të një “dështimi moral katastrofik” për shkak të privilegjimit të vendeve të pasura në marrjen e vaksinës.

Sipas OBSH, deri tani janë shpërndarë 39 milionë doza vaksinë në 49 shtete të pasura të botës, ndërkohë që vendet e varfëra kanë marrë vetëm 25 të tilla. 25 për të varfërit, 39 milion për të pasurit! Një frymë e tillë pakënaqësie është gjerësisht e përhapur edhe në rajonin tonë. Mediat shqiptare kanë raportuar gjerësisht deklaratat e Ramës, ndaj të cilave u përgjigj Franca.

Por, situata është shumë më e tensionuar në vendet përreth. Duke nisur nga Serbia, e cila ka marrë deri tani vetëm 25 mijë doza nga Pfizer-BionTech prej Bashkimit Europian. “Associated Press” raporton se Beogradi ndihet thellësisht i pakënaqur me trajtimin që i është rezervuar nga Europa dhe si rrjedhojë, Kryeministrja Ana Brnabiç ka lidhur një kontratë paralele me Rusinë për marrjen e vaksinës ruse. 2.400 dozat e para kanë mbërritur.

Në Bosnje, situata është më e rëndë. Sarajeva është pjesë e aleancës së COVAX dhe në letër ka siguruar doza për të mbuluar 20% të popullsisë, por deri më tani asnjë dozë nuk ka mbërritur dhe shanset janë që të parat të mbërrijnë në prill.

Në një vend të ndarë midis tre etnive kryesore, muslimanët boshnjakë, kroatët katolikë dhe serbët ortodoksë, vonesa krijon një sfidë para së gjithash gjeopolitike. Me Bosnjen që ende nuk ka fituar statusin e vendit kandidat me BE-në, politikanët që duan të mbajnë ende vendin në orbitën europiane po humbin argumentin e tyre, ndërsa lideri i Republikës Serbe të Bosnjes, që përfshin 49% të territorit dhe rreth 35% të popullisë së përgjithshme, Milorad Dodik thotë: “Unë kam besim tek vaksina ruse. Ajo që nuk kam besim janë narrativat tregtare dhe sulmet e pajustifikuara që vijnë për këtë vaksinë nga perëndimi”.

“Mezi pres ditën që do t’i rikthehem jetës normale, por që kjo të ndodhë kemi nevojë për një vaksinë të suksesshme”, thotë Belma Gazibara, një mjeke infektive që punon në një spital të COVID-19 në Sarajevë. “Por, ndërsa vaksinat po shpërndahen me shpejtësi në Europë, është e trishtë që në Bosnje situata mbetet e tillë”.

Mali i Zi ka një situatë të ngjashme me Bosnjen. Pjesë e Aleancës së COVAX, fqinji ynë verior ende duhet të sigurojë dozat e para. Presioni për të negociuar paralelisht me Kinën apo Rusinë për vaksinat e tyre është gjithmonë edhe më i madh. Në Maqedoninë e Veriut situata është e ngjashme. 8 mijë vaksina që duhet të vijnë së shpejti janë shumë pak, për një vend që ka ndër shifrat më të larta në rajon për numër infektimesh dhe vdekshmërie për frymë.

Epidemologu maqedonas Dragan Danilovski krahason situatën aktuale me diferenca sociale të mbytjes së Titanikut në vitin 1911. “Të pasurit janë ata që marrin anijet e shpëtimit, të varfërit i mbyllin në katet poshtë që të mbyten të parët”, tha Danilovski në kanalin vendas “TV 24”.

Komisioni Europian premtoi në fund të dhjetorit një paketë prej 70 milionë eurosh për Ballkanin perëndimor, por ende nuk ka asnjë datë të qartë se si do të procedojë shpërndarja.

Ursula von der Leyen, kryetarja e Komisionit Europian ka deklaruar se brenda 2021, BE do të ketë më shumë vaksina se sa nevojat dhe tepricën do ta ndajë me vendet e Ballkanit dhe Afrikën.

Pikërisht, në këtë deklaratë qëndron edhe pakënaqësia e vendeve kryesore të rajonit, që ndihen të trajtuara me lëmoshë me çfarë koreje buke mbetet tepër dhe jo si partnere të mirëfillta.

Ndërkohë, edhe brenda Bashkimit Europian ekzistojnë pakënaqësi të forta për mënyrën se si po trajtohen edhe brenda bllokit shtetet e mëdha nga ato të vogla.

Gjatë kësaj jave, Kryeministri i Qipros, Nicos Anastasiades, ishte i fundit i një serie liderash që ngriti shqetësimin e tij, ndërsa bëri publike se vendit të tij po i duhet të negociojë marrëveshje shtesë për sigurimin e vaksinave.

Siç raporton “The Guardian”, Anastasiades tha: “Kam nisur zyrtarisht bisedimet me zotin Netaniahu, për të siguruar një dozë vaksinash shtesë prej Izraelit. Ai do të shohë mundësinë dhe do të kthejë një përgjigje brenda disa ditësh”.

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Free: 19/01/2021 17:23

    ne prill vendet e ballkanit do te kene imunitet te tufes dhe su duhet fare skema pfizer qe as vaksine nuk eshte.

    Përgjigju
    • Pjeter: 19/01/2021 19:43

      Ti po qe e ke kuptuar,uauu.Pa shpjegoje nje cike c'fare eshte imunitetit i tufes,dhe si zhvillohet ne trupin e njeriut?e per sa kohe?

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria prodhoi 2 milionë e 400 mijë tonë naftë në vitin 1974, Çfarë ndodhi më pas...! Sonte në Esencë ora 21:00 në Report Tv

Shqipëria prodhoi 2 milionë e 400 mijë tonë naftë në vitin 1974, Çfarë ndodhi më pas...! Sonte në Esencë ora 21:00 në Report Tv