Jorgaqi: “Heshtja ndaj Shevqet
Musaraj ka qenë e pamerituar”

Jorgaqi: “Heshtja ndaj Shevqet<br />Musaraj ka qenë e pamerituar”
TIRANE - Akademik Rexhep Qosja ka qenë i ftuar nderi dje në 100-vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit dhe publicistit të shquar shqiptar Shefqet Musaraj. Aktiviteti u zhvillua në Akademinë e Shkencave në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe promocionit “Toena”, ku me këtë rast u përurua edhe libri me dorëshkrime të papublikuara “Jam shok me ty”.
 
Akademikë, artistë, miq të librit dhe familjarë të shkrimtarit kanë qenë të pranishëm gjatë aktivitetit, ku siparin e çeli botuesja Irena Toçi, e cila u shpreh se “100-vjetori i lindjes së Shefqet Musarajit është një arsye e mirë për t’u mbledhur, është një arsye e mirë për të kujtuar personalitetet e shquara të këtij kombi”.
 
Gjatë aktivitetit profesor Nasho Jorgaqi, akademik Rexhep Qosja, studiuesi vlonjat Bardhosh Gaçe, kritiku Razi Brahimi, publicisti Roland Qafoku, etj, kanë kujtuar jetën dhe veprën e Shefqet Musarajt, ku veçanërisht këtë vepër akademik Rexhep Qosja e ndan në tri periudha: krijimtari të paraluftës, të luftës dhe të pasluftës.
 
Në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, publicistit dhe intelektualit të shquar Shefqet Musaraj, profesor Nasho Jorgaqi ka theksuar se për më shumë se dy dekada “heshtja ndaj tij ka qenë e pamerituar”. “Jemi mbledhur sot pas një heshtje politike të pamerituar të afro dy dekadave të përkujtojmë dhe nderojmë 100-vjetorin e lindjes të shkrimtarit të shquar Shefqet Musaraj”, tha shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi, i cili kujtoi pjesëmarrjen aktive në shtypin kritik të viteve ‘30, në luftën nacionalçlirimtare dhe përfshirjen e gjithanshme të Shefqet Musarajt në krijimtari letrare dhe publicistike.
 
“Ai la pas një opus të gjerë veprash që i kanë qëndruar me dinjitet kohës dhe sfidave të saj”, tha Jorgaqi, duke bërë një portret që nis që nga ai i djaloshit të rritur jetim në Smokthinë, deri tek personaliteti i tij i spikatur deri në vitet e fundit të jetës. Jorgaqi e quan pionier të shtypit kritik antifashist dhe e ka vlerësuar Musarajin për shpirtin spontan lirik në poezi, si dhe kritikën ndaj padrejtësive.
 
Studiuesi Jorgaqi ka kujtuar veprat më të mira, si novelën “Isha unë Çobo Rrapushi”, “Unë Mato Labi konservator”, poemën “Epopeja e Ballit kombëtar”, etj. Sipas Nasho Jorgaqit, përkujtimi i 100-vjetorit të shkrimtarit të shquar përbën edhe një apel për të nxjerrë në dritë veprën e tij më të mirë në kushtet e reja në të cilën po kalon shoqëria shqiptare.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit