Joseph: Vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, po ndihmojnë Serbinë

Joseph: Vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, po ndihmojnë Serbinë

Edward Joseph

Një raport i Institutit të Politikës së Jashtme të Shkollës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) dhe Qendrës Wilson me seli në Shtetet e Bashkuara vë në pah se njohja e Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s, që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, do të duhej të përdorej për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi që do të ndikonte edhe në pjesët tjera të Ballkanit Perëndimor.

Raporti me temën "Nga kriza në konvergjencë: Një strategji për trajtimin e paqëndrueshmërisë në burimin e saj", propozon një strategji të re perëndimore për krijimin e rrethanave që do të mundësonin një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Edward Joseph, tha të martën gjatë një debati rreth kësaj strategjie se qartazi “gota nuk është gjysmë e mbushur” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ende është në probleme. Ai tha se Serbia ka aspirata etno-nacionaliste ndaj tri shteteve fqinje: Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.

“Qeveria autokratike në Beograd është e orientuar drejt fuqive joliberale; Rusisë dhe Kinës. Duke qenë në pushtet për një dekadë, regjimi i (Aleksandër) Vuçiçit e ka kthyer prapa demokracinë në Serbi. Dhe Serbia mbrohet brenda Bashkimit Evropian nga fuqia joliberale evropiane: Hungaria. Ne besojmë se këto lidhje nuk janë vetëm taktike, për të siguruar vaksina apo investime, por pasqyrojnë karakterin e regjimi në Beograd”, tha zoti Joseph.

Ai nënvizoi se nuk do të thotë që vendet tjera nuk kanë agjenda etno-nacionaliste, siç është ta zëmë “Shqipëria e Madhe”, apo ndarja e “Herceg-bosnjes”, por agjendat e tilla janë të kufizuara nga orientimi perëndimor. Kroacia dhe Shqipëria janë vende të NATO-s, gjë që ndërlikon çdo synim për ndryshim kufijsh, tha ai.

Por, Serbia nuk ka kufizime të tilla, përkundrazi ajo paraqet balancim të rrejshëm ndërmjet lindjes dhe perëndimit, tha ai duke nënvizuar se është e pakuptueshme se ku e gjen presidenti Vuçiç fuqinë për të penguar fqinjët dhe njëkohësisht të hutojë diplomatët amerikanë dhe evropianë, që e quajnë Serbinë udhëheqëse në rajon ndërsa ajo punon me Kinën dhe Rusinë.

“Besojmë që Serbia ka leva ndikimi kundrejt Kosovës dhe përmes saj kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dhe këto leva ndërlidhen me vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, katër prej të cilave janë anëtarë të NATO-s”, tha zoti Joseph, duke theksuar se qëndrimi i vendeve mosnjohëse i ka krijuar mundësi Serbisë të pengojë përparimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.

Ai tha se rrugëdalja është në harmonizimin e qëndrimeve të katër vendeve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Greqisë, me shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, që tashmë e njohin Kosovën. Ai tha se Greqia për arsyet e saj strategjike, do të kishte interes nga njohja e Kosovës.

“Në besojmë se kjo do të kishte ndikim të mundshëm dhe të shpejtë mbi Serbinë, sepse rruga e Kosovës drejt NATO-s, qoftë edhe përmes partneritetit për paqe, do të ulte mundësitë e Serbisë, madje do t’i eliminonte ato”, tha zoti Joseph.

Ai tha se një harmonizim politikash do t’i krijonte edhe Serbisë mundësi që të dalë nga situata, ndërsa nuk nënkupton krijim hapësire për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Madje tha ai, Shtetet e Bashkuara do të duhej të kërcënonin me sanksione çdo udhëheqës në Kosovë apo Shqipërisë, që do të nxiste bashkimin ndërmjet këtyre dy vendeve.

Iulia Joja, nga Rumania, aktualisht mësimdhënëse në Georgetown University, tha se qasja e Hungarisë kundrejt disa pjesëve të Rumanisë dhe pakicës hungareze shihet me shqetësim nga Bukureshti, përfshirë edhe afrimin e udhëheqësit hungarez, Viktor Orban me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Nuk e shoh qëndrimin e Rumanisë si të pandryshueshëm apo kokëfortë, por në dritën e perceptimit rumun të sigurisë”, tha ajo, duke theksuar se Kosova herë pas herë del si një çështje që nuk është përparësi për Rumaninë. Ajo u shpreh e bindur se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të mund të ndryshonin qëndrimin e saj mes tjerash, përmes ofrimit të garancive të sigurisë.

Jan Cingel, nga Instituti i Analizave Strategjike me seli në Sllovaki, tha se vendi i tij është rast i ngjashëm me Rumaninë, meqë në të jeton një pakicë hungareze, ndërsa tërhoqi vërejtjen se sllovakët kanë ende ndjenja të fuqishme proruse, ndonëse është vështirë e shpjegueshme për shkak të së kaluarës së saj.

Lulzim Peci nga Instituti i Kosovës për Hartimin e Politikave tha se anëtarësimi në NATO është përparësi strategjike e Kosovës. Ai tha se Kina dhe Rusia ushtrojnë ndikim në rajon jo për shkak të fuqisë së tyre, por “për shkak se vende të caktuara kanë vendosur t’i hapin derën atij ndikimi” dhe se veprimet e SHBA-së dhe BE-së janë thelbësore në rajon.

Në këtë kuadër ai tha se periudha para janarit të vitit 2025, që përkon me përfundimin e mandatit të parë të presidentit amerikan, Joe Biden dhe mandatit të Komisionit aktual Evropian, është koha kur duhet përmbyllur procesin e normalizimi të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Igor Bandoviç, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, tha se në Ballkanin Perëndimor nuk ka rrezik sigurie, por probleme të trashëguara nga luftërat, mungesë të qeverisjes demokratike dhe çka është më thelbësore, tha ai, perëndimi për një kohë të gjatë nuk pati ndonjë ambicie për Ballkanin.

Ai vuri theksin tek fakti se, siç tha. “udhëheqësit e Serbisë shohin drejt Rusisë dhe Kinës si model se si të drejtohet vendi”.

Autorët e studimit bëjnë thirrje për një qëndrim të bashkuar perëndimor për Kosovën që do të ndihmonte frenimin e ndikimit rus në pjesë tjeram përfshirë Bosnje e Hercegovinën, që po përballet me krizën më të rëndë që nga përfundimi i luftës së viteve 1990./VOA/

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen