Jul Deda, dy orë vjen në
shtëpi dhe e kthen përmbys

Jul Deda, dy orë vjen në<br />shtëpi dhe e kthen përmbys
TIRANE- Julian Deda është një prind që i mungon familjes, në të shumtën e vitit. Por mjaftojnë dy orë në ditë dhe ato tre muajt e verës pasi kanë mbaruar sezonet e shfaqjeve, që aktori i humorit të jetë një "baba me kohë të plotë". Madje më shumë se kaq. "Ku ka Jul ka zhurmë"-thotë për "Fundjava", Amanda, bashkëshortja e Jul Dedës. "Juli pavarësisht se nuk rri shumë në shtëpi, për vetë natyrën që ai ka, i mjafton të jetë dy orë dhe të kthejë gjithçka përmbys"-thotë Amanda, duke rrëfyer lidhjen e tij me fëmijët, sidomos me vajzën.
Si është Juli si baba?
Duke përgjithësuar mund të them se Juli është një baba shqiptar, që do të thotë që edhe nga puna që ai ben, nuk është shumë në shtepi dhe unë jam ajo që për momentin e mbaj këtë barrë më shumë, d.m.th. merrem me fëmijët, i laj, i ushqej, i bëj gati në mëngjes merrem me edukimin e tyre, pra bërtas më shumë. Juli edhe për vetë profesionin që ka duhet të dalë të takojë njerëz, gazetarë, të jetë i ftuar në programe televizive. Praninë e tij të vërtetë në shtëpi dhe në familje unë e ndjej kur ai nuk është në sezon. Ne atë periudhë ai është gjithmonë me ne, merret me fëmijët.
Sa përfshihet me fëmijet dhe a e ruan atë ndjenjë humori që ka në profesion edhe brenda shtëpisë?
Juli pavarësisht se nuk rri shumë në shtëpi, për vetë natyrën që ai ka, i mjafton të jetë dy orë dhe të kthejë gjithçka përmbys. Është njeriu që kudo hyn, ndihet prania e tij. Kur ai futet brenda një ambjenti gjithçka ndryshon, ka një energji pozitive që e përcjell si elektricitet. Të paktën kështu është ai në jetën time dhe të familjes tonë. Kur është në shtëpi Juli kuptohet që mbart me vete humorin, sepse ai e ka në gjak, nuk e ka profesion humorin. Me thënë të drejten Juli te fëmijët zëvendëson atë që ata nuk marrin nga unë, lojrat. Me pak fjalë kur ai është në shtëpi fëmijët tërbohen, se vetëm lozin dhe bërtasin sa edhe komshinjtë e kuptojnë. Kur Juli ishte një muaj në Korçë të gjithë me kanë pyetur bile edhe edukatorët e kopshtit se si ka mundësi që fëmijët janë bërë kaq të qetë??? ose si ka mundësi që nuk ju kemi dëgjuar fare e të tjera si këto.

Kur bëhet Juli baba i rreptë?
Juli është njeri i drejtë dhe me parime, kështu që ne të dy mundohemi t'i rrisim fëmijët me këto virtyte, dhe në këto raste ai bëhet i rreptë në momentin kur ata e shkelin, llastohen, kërkojnë gjëra që ne nuk mund t'i plotësojmë ose të tipit kur duhet t'i mësojmë një sjellje të caktuar dhe sidomos nëse unë i bërtas edhe ai më mban krahun. Kjo është një marrëveshje e fshehtë mes nesh, të cilen e kemi marrë nga prindërit tanë.

Juli tregonte se në shtëpinë e tij ka gjithnjë zhurmë. Përfshihet edhe ai në këtë zhurmë apo ju të dy së bashku përpiqeni ta "menaxhoni" sa më mirë?
Ku ka Jul ka dhe zhurmë, dhe në përgjithësi unë nuk jam shumë e përfshirë në këtë zhurmë. Jemi tre me një, d.m.th. ata bëjnë zhurmë dhe unë përpiqem që ta menaxhoj.

Cilat ishin emocionet e tij kur u bë baba për herë të parë. Po kur lindi djali juaj?
Emocionet e Julit kur ai ka parë për herë të parë vajzën tonë, Reinën, nuk do t'i harroj kurrë. Në fakt kur e morëm vesh që ishte vajzë Juli u mërzit pak, sikur çdo burrë mendoj, preferon që fëmijën e parë ta ketë djalë. Por si duket me kalimin e kohës ai u pendua dhe mezi priste që Reina të lindte. Ditët e fundit vinte ulej afër barkut tim dhe i fliste: "Hë mor bab kur do dalësh se dum me të pa tashi, pse po vonon?". Në fakt Reina lindi fiks kur mbushi 9 muaj në barkun tim dhe emocionet e tij kanë qenë shumë të forta. Ai vetë i preu një pjesë të kordonit. Erdhi afër krevatit tim dhe më tha: "A e shef sa të bukur e kemi bërë. Të lumtë!". Të them të drejtën kur lindi djali unë mendoja se do kishte emocion të fortë ndoshta prisja edhe diçka me tepër se me vajzën, por jo ndodhi krejt e kundërta. Kur lindi djali, Juli ka qenë i qetësuar dhe ndoshta i plotësuar, por jo i emocionuar. Me Mateon ai nuk e ka lidhjen që ka me Reinën. "E kam pikë të dobët"- më thotë mua. Në fakt Mateo është shumë i lëvizshëm, në tipa ngjajnë shumë dhe Juli luan shumë me të, por ndoshta është ajo tërheqja e të kundërtës, ose dhe fakti që djali akoma është shumë i lidhur me mua. Por marrëdhënien që ka me vajzën ai nuk e ka me djalin. Nëse i bërtet asaj, për tre minuta kthehet menjëherë dhe e pajton, e puth, e përqafon. Nga ana tjetër ai nuk është babai standard, që fëmijët ta kenë frikë, ose të rrinë sus para tij. Në familjen tonë është krejt e kundërta. Me të dy, por sidomos me vajzën ai do të jetë shok, të paktën deri në adoleshencë, sepse pastaj do fillojnë problemet e tjera besoj.
(Shkrimi u botua sot ne te perjavshmen Fundjava)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI)

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI)