Juliana Nura e ka njohur forcën e saj në rrethana që asnjë grua në botë nuk do të duhej t’i përjetonte: shantazhin, publikimin pa pëlqimin e saj të një videoje intime dhe sulmet seksiste e disa raste histerike në “Big Brother VIP Kosova”.
Sot, pasi ka sjellë në jetë binjakë, ajo flet për një forcë që nuk e përjashton frikën, lodhjen apo lotët. “Një grua është më e fortë nga sa mendon”, shkruan Juliana. Ky është edhe mesazhi që shoqëron lajmin e mëmësisë së saj: një grua mund të rrëzohet, të ketë frikë dhe përsëri të gjejë forcën për të vazhduar.
“I solla në jetë dy mrekullitë e mia… vetëm”, shkruan ajo krahas fotografive nga spitali, ku shfaqet me një rrobëdishambër të kaltër. Ngjyra ka ngjallur kureshtjen nëse është bërë nënë e dy djemve, por Juliana ende nuk e ka zbuluar gjininë e bebave në këtë postim.
Ajo që zgjedh të ndajë është përvoja e saj, të cilën e përshkruan si ndër më të vështirat, më të dhimbshmet dhe njëkohësisht më të bukurat e jetës.
“Kishte momente frike, lodhjeje, lotësh dhe pasigurie… por në fund, gjithçka ia vlejti në momentin që i mora në krahë dy engjëjt e mi.”
Në rrëfimin e Julianës, të përballosh një rrugëtim vetëm nuk do të thotë të mos kesh momente dobësie. Ajo u jep vend edhe atyre, kur shkruan se një grua mund të rrëzohet, të qajë e të ketë frikë, dhe përsëri të çohet e të ecë përpara edhe nga përvojat e vështira për të cilat ajo ka folur publikisht.
Këtë herë, Juliana tregon se mëmësia i ka ndryshuar edhe mënyrën se si e sheh veten.
“Sot, kur i shikoj dy bebat e mia, e kuptoj se çdo dhimbje, çdo lot dhe çdo moment i vështirë kishte një kuptim. Unë nuk isha vetëm duke sjellë në jetë dy fëmijë. Po lindja edhe një version të ri të vetes.”
Fjalët e fundit ua kushton dy të porsalindurve, duke lënë pas rrëfimin për vështirësitë dhe duke iu drejtuar atyre si nënë: “Mirë se erdhët në jetën time, dy dashuritë e mia të vogla. Nëna do t’ju dojë përtej çdo fjale, përtej çdo kufiri, përjetë.”











Komente
Komento