Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, theksoi se propozimi i ofruar nga qeveria greke në bisedimet në lidhje me krizën e borxhit në vend është në përputhje me pritshmëritë e kreditorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Juncker në deklaratën e tij me shkrim e ka cilësuar si "një hap të madh" propozimin e qeverisë greke ndaj Euro Grupit në lidhje me zgjidhjen e krizës financiare.
 
Ai ka theksuar se propozimi në fjalë është vonuar dhe u shpreh se: "Qeveria greke edhe pse ka paraqitur me vonesë propozimin e saj është në përputhje me pritshmëritë e kreditorëve".
 
Ministrat e Financave të Euro Grupit ditën e mërkurë do të takohen sërish në Bruksel për të diskutuar krizën e borxheve të Greqisë.
 
Për lirimin e kredisë prej 7.2 miliardë eurosh të mbetur në programin e financiar aktual, Greqisë i duhet që të arrijë një marrëveshje me kreditorët deri në fund të muajit qershor. Në të kundërt theksohet se Greqia nuk do të mund të zbatojë përgjegjësitë për rishlyerjen e borxheve kryesisht ndaj FMN-së në javët dhe muajt e ardhshëm.
 
 
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )