Juristët nuk i japin dot zgjidhje
Nishanit për ngërçin e KED

Juristët nuk i japin dot zgjidhje<br />Nishanit për ngërçin e KED
As juristët dhe konstitucionalistët nuk kanë mundur t’i japin një zgjidhje ngërçit institucional në të cilin ndodhet Presidenti i Republikës për zbatimin e reformës në drejtësi. Brenda datës 16 gusht Nishani duhet të hedhë shortin shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por kriteret përzgjedhëse mes kandidatëve duhet të saktësohen në ligj, ligj i cili ende nuk ekziston.

Për këtë arsye, kreu i shtetit, i ndodhur në ngërçin mes respektimit të afatit kushtetues 5 ditor nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, dhe në mungesë të ligjit, ka zhvilluar një takim konsultues me konstitucionalistë dhe ekspertë të jurisprudencës mbi procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Takimi ka qenë i mbyllur për mediat, teksa në të kanë marrë pjesë juristë të cilët morën pjesë dhe në grupin e ekspertëve të nivelit të lartë që hartuan ndryshimet kushtetuese, mes të cilëve Aurela Anastasi dhe Altin Shegani.

Burime pranë pjesëmarrësve në takim, bënë me dije për Shqiptarja.com, se ashtu sikundërse dhe për Presidentin, as juristët nuk ndanë të njëjtin qëndrim. Dy kanë qenë sugjerimet kryesore që konstitucionalistët i kanë dhënë kreut të shtetit. Disa prej tyre, kanë sugjeruar që në mungesë të ligjit, kreu i shtetit të hedhë shortin duke u bazuar tek kriteri i vetëm i përcaktuar në mënyrë sipërfaqësore në Kushtetutë: që kandidatët për tu bërë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të mos kenë pasur masa disiplinore gjatë karrierës së tyre.

Rezerva e këtij propozimi është se Kushtetuta nuk jep detaje se për çfarë lloj masash disiplinore mund të s’kualifikohet kandidati, dhe a mund të quhen masa disiplinore ato që janë rehabilituar me kalimin e kohës. Pjesa tjetër e ekspertëve të jurisprudencës i ka sugjeruar kreut të shtetit, ashtu sikundërse edhe Kuvendit, që të presë ligjin, ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të jetë funksional deri në fund të këtij viti, pasi çdo vit ai do të ripërtërihet. Vetë presidenca nuk bëri publike detaje nga qëndrimet e mbajtura në takim, por shpërndau vetëm një konkluzion sipërfaqësor mbi të.

“Duke i falënderuar pjesëmarrësit për diskutimet e mendimet e vyera si dhe sugjerimet racionale dhe ndihmuese, Kreu i Shtetit ripërsëriti dhe theksoi qëndrimin e Tij se çdo akt ligjor që del nga Institucioni i Presidentit të Republikës bazohet mbi sjelljen institucionale, do të jetë i mirëargumentuar dhe i përgjegjshëm, në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”,-u tha në njoftimin e Presidencës.

Ditën e sotme pritet që Kreu i shtetit të takohet me përfaqësues të grupeve parlamentare. Në këtë rast, për shkak të ekspertizës specifike të fushës, kreu i shtetit ka kërkuar takim me përfaqësues të partive, dhe jo kryetarët e grupeve parlamentare si në çështjet e tjera, duke ju lënë mundësi partive të dërgojnë njerëzit më të kualifikuar. Demokratët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre të planifikuar me Oerd Bylykbashin, ndërsa LSI nuk preferon të njoftojë paraprakisht se si dhe me kë do të përfaqësohen. Burime nga Partia Socialiste bënë me dije se nuk ka një vendim final deri pasditen e djeshme, nëse tek Presidenti do të shkojë një përfaqësues, apo një qëndrim i shprehur me shkrim. Ama socialistët janë të qartë në propozimin e tyre.

Ai do të jetë i njëjtë me administratën e Kuvendit, e cila në korrespodencën e pak ditëve më parë, i sugjeron presidentit të presë miratimin e ligjit përpara se të hedhë shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.  
  
Kritere për zgjedhjen e anëtarëve të KED:

 Të mos kenë pasur masë disiplinore
 Të mos arrijnë moshën e pensionit gjatë vitit kalendarik vijues
 Të jenë vlerësuar të paktën me vlerësimin shumë mirë në të gjitha vlerësimet e punës profesionale
 Të mos jetë i deleguar dhe të mos synojë të aplikojë për një pozicion të deleguar vitin pasardhës
 Të kenë deklaruar gjithmonë dhe në kohë të gjitha pasuritë
 Të mos jenë anëtarë të organeve qeveritare
 Të mos jenë në pozicion drejtues në grup interesi apo sindikate të gjyqtarëve apo prokurorëve
 Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës
 
Përbërja e KED

 Këshilli i Emërimeve përbëhet nga:
a) Dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese;
b) Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
c) Një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme;
d) Dy gjyqtarë nga gjykatat e apelit;
e) Dy prokurorë nga zyrat e prokurorisë pranë gjykatave të apelit;
f) Një gjyqtar nga gjykatat administrative.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois