Kenan Yildiz është gjithnjë e më shumë ylli i shfaqjes në këtë gjysmë të parë të sezonit te 'Zonja e Vjetër'. Lojtari i lindur në vitin 2005 po e udhëheq Juventusin me gola dhe performanca bindëse, teksa tani, pa Vlahovic të dëmtuar, Spalletti do të presë edhe më shumë prej tij.

Talenti turk po tërheq vëmendjen e disa klubeve kryesore evropiane dhe rinovimi i kontratës tani duhet të jetë përparësia kryesore për bardhezinjtë. Përveç Real Madridit, thuhet se për të është i interesuar edhe Arsenali. Për 'Topçinjtë', Yildiz është më shumë sesa thjesht një ide. Kohët e fundit, klubi londinez thuhet se ka ndërmarrë hapat e parë me rrethin e lojtarit për të kuptuar kërkesat e tij kontraktuale.

Duke folur për kontratën e tij, sulmuesi është i lidhur me një marrëveshje deri në vitin 2029, por drejtori ekzekutiv Comolli dëshiron ta rinovojë atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Siç raportohet nga 'Corriere dello Sport', Juventusi përballet me një mision mjaft delikat duke pasur parasysh hendekun që ende ekziston midis ofertës dhe kërkesave të lojtarit.

Yildiz aktualisht fiton rreth 1.7 milion euro në vit plus bonuse dhe thuhet se ka kërkuar një pagë të nivelit të lartë midis 6 dhe 7 milionë euro. Për momentin bardhezinjtë thuhet se i kanë ofruar atij një shifër pak më të ulët se 5 milionë euro në sezon. Shkurt, diskutimet do të vazhdojnë në javët në vijim. Loja është plotësisht e hapur.