POGRADEC - Nga Progradeci, lideri i opozitës Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje kërcënimeve të ardhura drejt kandidatit të djathtë për këtë bashki Eduard Kapri, duke deklaruar se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë. Kryedemokrati akuzon se pas mesazheve që kërkojnë dorëheqjen nga gara elektorale të Kaprit fshihet Ilir Meta.
 
Kanë ardhur në Pogradec në një pazar të ulët, kthimin e Pogradecit në një çiflig për Ilir Metën. Meta e do me çdo kusht Pogradecin dhe nuk ka ndaluar as para kërcënimeve për të bërë gjithçka për ta shtirë në dorë. Së fundi kërcënoi kandidatin tonë, pse? Se nuk ka ofertë, nuk ka zgjidhje për pogradecarët. Ai e di që Pogradeci dinë që Meta nuk është zgjidhje po është problemi i tyre. Pogradeci do votojë për njeriun e vërtetë të punës dhe përkushtimit ndaj jush, për Eduard Kaprin. Don me çdo kusht mos të ketë zgjedhje, se e di që me zgjedhje është i fituar kryetari i ardhshëm i bashkisë Eduard Kapri. Ik nga gara, -i thotë që ta marr unë avrove? Pse ca është Pogradeci ndeshje futbolli që ta marrësh me bast? Këtu na ke përballë, kërcënuesit do të përgjigjen një për një ata që bëjnë presion të paligjshëm mbi pogradecarët. Dita kur do të japin llogari para institucioneve të drejtësisë nuk është e largët. I bëj thirrje qytetarëve, mos u trembi mos u frikësoni, oligarkia do të mundet ëndrra e pogradecarëve do të fitojë, se nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Basha.
 
Kryetari i Partisë Demokratike kërkoi votën për kandidatët e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet si alternativën e përmirësimit të kushteve të jetesës.
 
“Duan të rikthejnë pas zgjedhjeve ligjin për t’i marrë shtëpitë atyre që nuk kanë parë për të paguar dritat. Më 21 qershor kartonat nuk i kanë këta, por i keni ju, ndaj votoni ofertën tonë për heqjen e TVSH për mallrat e shportës e të blihen 20 % më lirë, për të ulur taksat, për uljen me 25 % të çmimit të energjisë, për faljen e kamatëvonesave, për heqjen e taksës për karburant. Kandidatja tjetër ka një qëllim t’ia shërbejë Pogradecin thellë pas thele si revani në tavë Ilir Metës e t’iu lë juve me gisht në gojë”, shtoi Basha.
 
Në 11 qershor demokratët bënë publik mesazhin e mbërritur në telefonin personal të kandidatit Kapri ku i lihej afat 3 ditë kohë për tu tërhequr nga gara pr arsye shëndetësore ose personale, në të kundërt- theksohej në mesazh, një anëtar i familjes së tij do të zhdukej.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)