TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku për kërkesën që Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi këtë të premte në Parlament për dhënien e autorizimit për arrestimin e dy deputetëve.

Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi dhe deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku thanë sot në media se nuk kishin asnjë njoftim zyrtar për kërkesën e arrestit ndaj tyre. Këtë pasdite, Kuvendi i Shqipërisë lajmëroi zyrtarisht dy ligjvënësit për kërkesën e mbërritur nga prokuroria.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë Albana Shtylla veç njoftimit, i ka bërë të ditur dy deputetëve edhe kërkesën e paraqitur nga ana e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe relacionin përkatës.
 
Në shkresën zyrtare dorëzuar Doshit dhe Frrokut, Kuvendi i Shqipërisë i vë në dijeni dy deptuetët se pasditen e të shtunës do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, i cili do të shqyrtojë kërkesën e organit të akuzës për dhënien e autorizimit për arrestimin e dy deputetëve.
 
Prokuroria e përgjithshme i kërkoi autorizim Kuvendit për arrestimin e Doshit dhe Frrokut, pasi nga hetimet e Krimeve të Rënda, rezultoi se dy deputetët kanë inskenuar historinë e atentatit të mbetur në tentativë gjashtë muaj më parë ndaj Doshit dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendoi se ekzekutimi i tij dhe i kolegut demokrat ishte urdhëruar nga kryeparlamentari Ilir Meta, duke paguar 500 mijë euro për eliminimin fizik të tij, dhe 100 mijë euro për vrasjen e Fufit. Bashkëpunëtorë të Doshit dhe Frrokut, Prokuroria akuzon Durim Bamin, 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja, për të cilin Doshi pretendoi se ishte vrasësi i paguar.  

shkresa 1
shkresa 2

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)