REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
K Ë R K E S Ë
DREJTUAR: ZOTIT ILIR META
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Adresa: Kuvendi i Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë
KËRKUES: Më shumë se 1/5 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
OBJEKTI: Kërkesë për miratimin nga Kuvendi të nismës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm, për pranimin ose jo nga Republika e Shqipërisë të importimit dhe vendosjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cdo arme kimike dhe lënde tjetër helmuese.
BAZA LIGJORE: Paragrafi 2 i nenit 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 118 e vijues të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, neni 185 pika 2 i ligjit 10019 date 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Në mediat vendase dhe ndërkombëtare është publikuar lajmi se Shqipëria mund të jetë vendi ku do të transportohen për shkatërrim armët kimike dhe lëndët helmuese siriane. Opinioni i gjerë publik ka shprehur shqetësimin për realizimin e këtij procesi në territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke marrë në konsideratë opinonin e ekspertëve shqiptarë dhe të huajë, publiku i gjerë jo vetëm është shprehur kundër realizimit të procesit të shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, por prej disa ditësh, shoqëria civile organizon protesta të përditshme për të ndërgjegjësuar Qeverinë Shqiptare që të tregojë përgjegjëshmëri mbi këtë cështje, duke kërkuar mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për këtë cështje thelbësore për mbrojtjen e jetës së tyre dhe për sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e vlerëson si të ligjshme kërkesën dhe thirrjen e qytetarëve shqiptar, për të vendosur me referendum mbi këtë cështje me ndjeshmëri dhe interes të lartë publik.
Në arritjen e konkluzionit të më sipër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, mban në konsideratë se referendumi është mjeti kushtetues që lidhet me nocionin e sovranitetit të popullit, që ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë. Çështja e përcaktimit të kushteve dhe rasteve në të cilat populli mund ta ushtrojë sovranitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, merr rëndësi themelore. Parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli nënkupton një koncept demokratik sipas kritereve të një demokracie përfaqësuese, që përmban edhe elemente që mundësojnë ushtrimin direkt të demokracisë kushtetuese. Instrumentet e demokracisë direkte konsiderohen jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve, ose balancimin e kësaj mungese. Në këtë mënyrë, referendumi paraqitet si mjet për integrimin dhe stimulimin e procesit vendimmarrës, në rastet kur nuk gjen zbatim parimi i përputhjes së vullnetit të shumicës parlamentare me shumicën e popullit në një çështje konkrete. Pra, bëhet fjalë për një instrument që mundëson transmetimin e mendimit të zgjedhësve në drejtim të instancave politike.
Mbrojtja e të drejtës së jetës së qytetarëve shqiptare, si dhe garantimi i objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, vecanërisht sigurimit të një mjedisi të shëndetshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, është cështje e një rëndësie të vecantë publike, ku roli dhe vullneti i qytetarëve duhet të jetë dominant. E drejta për të vendosur për këtë cështje, nuk i përket dhe nuk mund t’i përkasë një Kryeministri apo mazhorance të caktuar qeverisëse, por i perket ne menyre te drejtperdrejte popullit. Për këtë arsye, mbajtja e një referendumi, që ka për qëllim dëgjimin e zërit të cdo shqiptari mbi cështjen e lejimit të importimit apo vendosjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese luftarake është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Rrezikshmëria që paraqesin armët kimike dhe lëndët e tjera helmuese, është vlerësuar nga të gjithë ekspertët vendas dhe të huaj, si jashtëzakonisht e lartë. Shqetësimi i opinionit të gjerë publik dhe ndjenja e pasigurisë që ato përjetojnë nga një vendimmarrje e mundshme, pa dëgjuar zërin e tyre, është i drejtë dhe i bazuar. Nevoja për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të brezit të sotëm dhe të ardhshëm, nuk mund të trajtohet si cështje ku zëri i shqiptarëve nuk duhet dëgjuar. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është përkrah qytetarëve në realizimin e të drejtës së tyre për t’u shprehur nëpërmjet votës mbi këtë cështje kaq të rendesishme për sigurinë dhe jetën e shqiptarëve. Gjithëpërfshirja për cështjet me ndjeshmëri publike dhe interes të vecantë publik, janë themelet kushtetuese të një shteti funksional. Shmangia e llogaridhënies dhe realizimi i procesit pa kurrëfarë transparence, pavarësisht kërkesës së opozitës dhe qytetarëve, është tregues i një qeverisje arrogante dhe jo në përputhje me parimet e demokracisë funksionale dhe mbrojtjes së interesit publik.
Për këtë arsye, duke qenë përkrah qytetarëve në realizimin e të drejtës së tyre për t’u shprehur nëpërmjet votës për cështje të ndjeshme për sigurinë, shëndetin dhe jetën e shqiptarëve, në mbështetje të paragrafit 2 i nenit 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe neneve 118 e vijues të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshaur”,
K Ë R K O J M Ë:
Miratimin nga Kuvendi të nismës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm, për pranimin ose jo nga Republika e Shqipërisë të importimit dhe vendosjes në territorin e saj, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese. Nëpërmjet këtij referendumi (sipas fletës ilustruese të votimit bashkëlidhur), qytetarët shqiptare, duhet të kenë mundësi të shprehen nëpërmjet votës, për ceshtjen e LEJIMIT TE IMPORTIMIT, TRANSPORTIT DHE VENDOSJEN NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË ARMËVE KIMIKE DHE LËNDËVE TË TJERA HELMUESE LUFTARAKE, ME PO ose JO TE QARTE.
Kjo kërkesë mban në konsideratë detyrimin që kanë përfaqësuesit e popullit për mbrojtjen e jetës së qytetarëve shqiptar dhe arritjen e objektivave sociale, si dhe aspiratën e popullit shqiptar për pergjegjësi për të ardhmen dhe mbrojtjen e mirëqenies shoqërore, shëndetit dhe jetës sëë brezave të sotëm dhe të ardhshëm. Cështja e lejimit apo jo të importimit dhe vendosjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese, nuk i përkasin ndonjërës prej kategorive të cështjeve për të cilat ndalimi për t’iu nënshtruar referendumit është absolut (neni 151/2 i Kushtetutës) dhe as ndalimeve të nënkuptuara, të cilat mund të shërbenin si arsye bindëse për të vlerësuar se ekziston lidhje e drejtpërdrejtë me to. Gjithashtu, kërkesa i përmbahet kushteve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 9087/2003. Konkretisht:
Cështja që shtohet për referendum të përgjithshëm – Lejimi ose jo nga Republika e Shqipërisë të importimit dhe vendosjes në territorin e saj, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese luftarake.
Rëndësia që ka kjo cështje – Mbrojtja e jetës dhe shëndetit të brezit të sotëm dhe të ardhshëm. Armët kimike dhe lëndët e tjera helmuese paraqesin rrezikshmëri të lartë për garantimin e të drejtës për jetë dhe shëndet të qytetarëve shqipar.
Qëndrimi i kërkesit – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e cilëson të papranueshme asgjësimin e armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese në Shqipëri dhe për pasojë është kundër importimit dhe vendosjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese.
Cështja është formuluar në mënyrë të qartë, të plotë dhe pa ekuivoke, duke i lejuar zgjedhësit që të përgjigjen me “PO” ose “JO” lejimit të transportimit dhe vendosjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, të armëve kimike dhe lëndëve të tjera helmuese.
Referendumi i përgjithshëm nuk kërkohet të zhvillohet gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (në këtë rast, duhet të mbahet në konsideratë se afatet e shqyrtimit të kërkesës për referendum, e bëjnë të pamundur zhvillimin e tij përpara datës 7 Dhjetor 2013).
Ky referendum nuk përbën shmagie të përgjegjësive që ka Shqipëria për garantimin e sigurisë ndërkombëtare dhe ruajtjes së madhëdhënieve të shkëlqyera me partnerët tanë ndërkombëtarë. Roli dhe përgjegjësitë e Shqipërisë në këtë proces, duhet të jenë brenda kapaciteteve të saj si aleate, si dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Konventat ndërkombëtare të ratifikuara. Përsa më lart, kërkojmë përfshirjen e kërkesës në mënyrë urgjente në rendin e ditës së Kuvendit të Shqipërisë, dhe shqyrtimin dhe miratimin e saj brenda datës 25 Nëntor 2013.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,
DEPUTETËT E PD
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)