Këshilli i Sigurimit i OKB
gjen zgjidhje për Sirinë

Këshilli i Sigurimit i OKB<br />gjen zgjidhje për Sirinë
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë në mbështetje të procesit të paqes për t’i dhënë fund luftës gati pesëvjeçare në Siri. Gjithsesi, mosmarrëveshjet për presidentin Bashar al Assad mbeten dhe rezoluta nuk përmend fare rolin e tij në procesin e tranzicionit. Sekretari amerikan i Shtetit e ka cilësuar planin e OKB si një gur themeli në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit. Ai tha se tani sirianët kanë një zgjidhje reale, mes luftës dhe paqes. Sipas Kerrit, Assadi e kishte humbur aftësinë për të bashkuar vendin, por kërkesa për largimin e menjëhershëm të tij, vetëm sa po e zgjaste më shumë luftën. "Presidenti Assad nuk është më i aftë të bashkojë vendin dhe të garantojë kredibilitet moral për të qeverisur në të ardhmen", tha Kerry.

Vendet perëndimore kanë kërkuar largimin e Assadit, por Rusia dhe Kina këmbëngulën që ky të mos ishte një kusht për bisedimet e paqes. Megjithatë, edhe pse e pranojnë idenë se lideri sirian mund të jetë pjesë e tranzicionit, Perëndimi dhe vendet arabe pretendojnë që, në përfundim të tij, Assadi të tërhiqet. Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius tha se ideja e pjesëmarrjes së Assadit në zgjedhje ishte e papranueshme. Por ambasadori sirian në OKB Bashar Jaafari tha se vendet e huaja po tregoheshin kontradiktore duke thënë se do të linin sirianët të vendosnin për fatin e tyre dhe në të njëjtën kohë kërkojnë zëvendësimin e Assadit. 

Rezoluta, e mbështetur nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, bën thirrje për bisedime të paqes dhe armëpushim, që do të fillonte që në ditët e para të 2016-s. Nga ana e tij, edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se një marrëveshje për qeveri teknike mund të arrihej brenda 6 muajve. Gjithsesi palët nuk janë në një mendje lidhur me grupet që do të shpallen si terroristë e që rrjedhimisht do të përjashtohen nga bisedimet apo armëpushimi. Sipas planeve, brenda 18 muajve duhet të mbahen zgjedhje nën mbikqyrjen e OKB-së dhe populli sirian duhet të vendosë për të ardhmen. 

Sulmet kundër grupeve që konsiderohen terroriste nuk do të preken, çka do të lejojë Rusinë, Francën dhe SHBA të vazhdojnë fushatën e bombardimeve ajrore kundër ISIS-it. Por rezoluta kërkon që palët të ndërpresin sulmet kundër civilëve.
 
Dëshmia
"Ju lutem shkatërrojeni ISIS, veproni përpara se të jetë tepër vonë". Është kjo thirrja që u ka bërë ndërkombëtarëve një grua siriane e komunitetit etnik iraken Yazidi, e cila rrëfeu përpara anëtareve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së tmerret e përjetuara përgjatë 3 muajve si skllave seksi e militantëve të Shtetit Islamik. Nadia Murad Basee Taha përshkroi vuajtjet e saj, por dhe të gjithë persekutimin, që komuniteti Yazidi po vuan nën regjimin e ISIS, i cili tregton gratë dhe fëmijët si plaçkë lufte. "Ata i përdhunonin gratë dhe vajzat që të siguroheshin se ato nuk do të mund të kishin kurrë më një jetë normale”, tha 21-vjeçarja e tronditur. Nadia u përshkroi 15 anëtarëve të KS-së se si u rrëmbye në fshatin e saj në Irak nga luftëtarët e ISIS në gusht të vitit të kaluar për t’u dërguar në një bazë në Mosul. "Përgjatë rrugës, ata na përdhunuan. Na morën, na çuan në Mosul bashkë me 150 familje të tjera Yazidi. Në ndërtesë kishte mijëra familje dhe fëmijë që shkëmbeheshin si dhurata”. "Ju përgjërohem, hiqeni qafe ISIS plotësisht", u lut ajo. Nadia arriti të shpëtojë pas 3 muajsh tortura e përdhunimi dhe tani jeton në Gjermani, por disa prej vëllezërve të saj u vranë nga militantët e ISIS. 
 
 
Detaje

 
Vendimi
Rezoluta e OKB bën thirrje për armëpushim, që nga ditët e para të vitit 2016. Kryediplomati rus Lavrov tha se marrëveshja për qeveri teknike në Siri mund të arrihej brenda gjashtë muajve
 
Presidenti
Sipas Uashingtonit, presidenti sirian Assad e kishte humbur aftësinë për të bashkuar vendin, por kërkesa për largimin e menjëhershëm të tij, vetëm sa po e zgjaste më shumë luftën.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

 U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate

U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate